Presidenti Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, aktin normativ për ndryshimet në ligjin “Për nëpunësin civil””. Duket se akti normativ të qeverisë, që kërkonte shtyrjen me 6 muaj të hyrjes në fuqi të ligjit, do të rikthehet sërish në qendër të debateve mes mazhorancës dhe opozitës. Në një njoftim të Presidencës sqarohet se kreu i vendit u është drejtuar deputetëve të Kuvendit me një letër ku argumenton arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit në fjalë.
“Arsyeja kryesore për të cilën vendosa të mos e shpall këtë ligj dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim, bazohet në respektimin e parimit shumë të rëndësishëm të hierarkisë së normës juridike. Si akt me fuqi juridike të posaçme, ligji zë vendin më të lartë (pas Kushtetutës) në hierarkinë e akteve ligjore, ndaj si i tillë ai duhet ndryshuar apo shfuqizuar vetëm nëpërmjet një ligji tjetër, dhe aspak, në gjykimin tim, nëpërmjet një akti normativ. Krijimi i precedentëve të tillë, do të vinte në pikëpyetje rendin juridik dhe shtetin e së drejtës. Në këto kushte, një akt normativ i qeverise, pra i njërit prej pushteteve nuk duhet që të modifikoje apo ndryshoje një ligj i cili është miratuar me shumicë të cilësuar, po ashtu nuk mund të shprehet rreth çështjeve të hyrjes apo jo në fuqi të një ligji kaq specifik si ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, të miratuar në maj me konsensus të gjerë parlamentar. Neni 101 i Kushtetutës së RSH, në vlerësimin tim, duhet interpretuar stricto sensu, pra vetëm si
përjashtim, i cili i jep Këshillit të Ministrave të drejtën për të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për të siguruar marrjen e masave të përkohshme. pasi vetë masat që parashikohen në këto akte normative duhet të jenë të përkohshme. Gjithsesi,edhe në rast se një ligj rishihet me
anë të një akti normativ të Këshillit të Ministrave, mbetet taksative detyrimi i këtij të fundit të vrojtojë plotësimin e 3 kushteve: nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të përkohshme. Plotësimi i këtyre 3 kushteve duhet te jetë kumulativ pasi mungesa e plotësimit të qoftë të njërit
prej tyre, e kthen ndërmarrjen e një akti normativ nga Qeveria në një veprim antikushtetues. Nëse do ti hidhej një vështrim përvojës së vendeve të tjera, lehtësisht do të vërehej se aktet normative nxirren për të përballuar situata konkrete të cilat kërkojnë një ndërhyrje legjislative të menjëhershme apo kur ka boshllëk ligjor i cili duhet plotësuar po në mënyrë të menjëhershme.
Në rastin konkret, Këshilli i Ministrave për të ndryshuar ligjin .152/2013, “Për nëpunësin civil”, përdori instrumentin e aktit normativ, duke iu referuar nenit 101 të Kushtetutës se Republikës dhe duke paraqitur një situate emergjence dhe nevoje.
Në gjykimin tim si President i Republikës, Këshilli i Ministrave gjatë kohës që kishte në dispozicion, duhej dhe duhet të përgatiste dhe nxirrte aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr.152/2013, dhe jo të vinte në pikëpyetje
qëndrueshmërinë e ligjit duke e ndryshuar me akt normativ. Veprim ky që rezulton të jetë në shkelje të pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës, i cili ndër të tjera sanksionon se ligji për statusin e funksionarëve publikë, bën pjesë në grupimin e ligjeve që duhen miratuar me një shumicë të
cilësuar prej tre të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Akti normativ që ka fuqinë e ligjit dhe që nxirret nga Këshilli i Ministrave, kur miratohet nga
Kuvendi siç është ky me dt 17 tetor 2013, shndërrohet në ligj, pra bëhet ligj jo vetëm në kuptimin material por edhe atë formal, ndërsa para miratimit nga Kuvendi, është thjesht një ligj në kuptimin material. Dallimi midis aktit normativ me fuqi ligjore dhe ligjit, qëndron vetëm në
procedurën e ndryshme të ndjekur për miratimin e tyre, ndërsa nga pikëpamja e përmbajtjes nuk ka asnjë ndryshim mes tyre. Ky akt normativ pasi u miratua me 17 tetor nga parlamenti, mori fuqinë de iure e një ligji, pra fuqia që ligji gëzonte në mënyrë të përkohshme, me miratimin nga Kuvendi të aktit normativ u bë një fuqi e përhershme, pavarësisht afatit 6 mujor që është lënë për shtrirjen e efekteve të ligjit. Për më tepër, akti normativ modifikoi dispozitat kalimtare te një ligji të miratuar me konsensus të gjerë të palëve”, thuhet mes të tjera në letër.