TIRANË, 27 Tetor /ATSH/ - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Nishani i përcolli Presidentes Jahjaga urimet më të ngrohta për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një ngjarje historike për Kosovën, që shënjon institucionalizimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian.
"Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një mbështetje dhe shprehje e fuqishme e besimit europian ndaj institucioneve të Kosovës, një gurthemeli për integrimin e përparimin e mëtejshëm të saj në strukturat europiane e euro-atlantike", u shpreh Nishani.
Presidenti Nishani gjithashtu theksoi se "përfshirja institucionale e Kosovës në qasjen europiane nëpërmjet nënshkrimit të MSA është një lajm i shkëlqyer edhe për të gjithë rajonin tonë, për të ardhmen e përbashkët europiane si dhe për paqen, stabilitetin dhe ripajtimin në Ballkanin Perëndimor. Duke uruar edhe një herë Presidenten Jahjaga dhe nëpërmjet saj qeverinë dhe gjithë popullin e Kosovës për këtë arritje të madhe, Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë edhe për anëtarësimin e pritshëm të Kosovës në UNESCO më 9 nëntor dhe në organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, duke e siguruar njëkohësisht për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në çdo hap"./i.v/./a.ke/