Nje Barbie Shqiptare ne Las Vegas

Një Barbie Shqiptare në Las Vegas

Kukulla "Barbie" është më e privilegjuara nga të tjerat, pasi ajo ka fituar statusin e përhershmërisë. E destinuar për të qenë lodër e lakmuar në duart e vajzave të vogla, ajo tashmë nuk mund të quhet më e vogël, pasi është rritur jo pak, por është bërë 50 vjeçe. Megjithatë, mbetet sërish kukull e paplakur.

E prezantuar 50 vite të shkuara, më1959-ën, në metropolin njujorkez, ajo është bërë e përbotshme dhe mund të thuhet, pa asnjë dyshim, se është kthyer në një mesazhere e ndryshimit të modës. Nëse do të vëzhgohet evolucioni gjysmëshekullor i saj, nuk do të jetë e vështirë që të konstatosh evolucionin e vetë modës dhe kulturës së veshjes. Sivjet, 50-vjetori i vogëlushes "Barbie", u festua jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, Azi, Afrikë, etj. E pra, "Barbie" është bërë qytetare e botës.

Natyrisht që, përvjetori i pesëdhjetë i kukullës magjike, është festuar në mënyra të ndryshme, në shtete dhe kontinente të ndryshëm, madje edhe brenda një shteti, ajo ka pas specifikat dhe befasitë e veta. Kështu, p.sh., "Qyteti i dritave", siç quhet ndryshe qytetit fluoreshent i Las Vegas-it, e festoi në mënyrën e vet origjinale këtë përvjetor 50-vjeçar. Qyteti i dha një ngjyrë të veçantë festës, duke organizuar një "Fashion Show" të bukur, në kompleksin madhështor të "Fashion Show Mall"-it, tamam në zemrën e qytetit.


Organizatorja e "Fashion Show", ishte në një shkollë e artesh, që nxiti studentët e "Fashion Design", të krijonin veshje origjinale për kukullën dhe për modelet. 


Nga rreth 150 studente që konkurruan, mes tyre ishte edhe studentja shqiptare Ermelinda Manaj, e cila rezultoi që të ishte një ndër fitueset e veçanta. Në fakt, fitueset e çmimeve ishin 20, por fituesja shqiptare u vlerësua për origjinalitetin e përzgjedhjes së saj në veshjen e modeles.
Ermelinda paraqiti diçka tepër të veçantë dhe tërhoqi vëmendjen e raporterëve dhe të pjesëmarrësve të shumtë me fantazinë e saj krijuese. Prej kohësh, në mendjen e saj ishte skicuar modeli i veshjes kombëtare, një përshtatje sipas flamurin kuqezi.

Ermelinda tha se ishte ndjenja kombëtare ajo që e motivoi që kukulla dhe modelja e saj të vishej me ngjyrën kuqezi, ngjyra karakteristike e flamurit tonë kombëtar.Pasioni i saj për profesionin e bukur që ka zgjedhur, rezultatet e larta që ka arritur në studime, intuita e saj në krijim, si dhe përvoja e marrë si stiliste nga firmat prestigjioze si, Chanel, Giorgio Armani, Teen Vogue, etj., e ka bërë të suksesshme në shumë konkurrime të zhvilluara në Las Vegas dhe Los Angeles.

Këtë here ajo shfrytëzoi 50-vjetorin e kukullës "Barbie", që të realizonte një veshje me motive kombëtare. Kombinimi i fustanit të kuq me krahët e zinj të shqiponjës dykrenore, ishte pagëzimi më i mirë i "Barbies Shqiptare". Për realizimin e këtij qëllimi, Linda e hodhi idenë e saj në letër, preu dhe qepi copat e kuqe të fustanit dhe formoi trupin e zi të shqiponjës, që do i vishej dy modeleve: kukullës Barbie dhe fotomodeles në "Fashion show". Një javë përpara shfaqjes, u ekspozuan kukullat dhe pikturat e studenteve, të varura në stenda, në mes të sallonit të madh të "Fashion Show Mall"-it, që shikoheshin nga mijëra vizitorë në qendrën e Las Vegas-it. Më 14 mars filloi "Fashion show" me parakalimet e modeleve, duke demonstruar veshjet e tyre dhe duke mbajtur në dorë kukullat barbie, të cilat kishin po të njëjtat veshje.

Të tria anët e podiumit ishin mbushur plot e përplot, si dhe në katet e sipërme, me studentë, të rinj e të reja dhe familje shqiptare të Las Vegas-it. Nën tingujt e muzikës, "I\'m a Barbie girl", doli modelja, bjondina e bukur me krahët e zinj të shqiponjës dhe me fustanin e kuq të Ermelindës. Kjo të jepte një përshtypjen e një engjëlli që zbriste nga qelli, por jo engjëll i bardhë, por shqiponja kuqezi, që u mirëprit me duartrokitjet e shqiptarëve të pranishëm, si dhe të pjesëmarrëseve të tjerë të shumtë. Këto ishin çaste me të vërtet emocionuese, kur shihej që në skenat e Las Vegas-it, paraqitej simboli i kombit të vogël shqiptar, por që po bëhet i madh nga bijat dhe bijtë e tij, që po rrezatojnë kudo nëpër botë. Duartrokitjet vlerësuese ishin shpërblimi më i madh që emocionuan shqiptaren Ermelinda Manaj, nga "Fashion show" i Barbit në Las Vegas.

Kush është Ermelinda Manaj?

Ermelinda është prezantuar në gazetën shqiptaro-amerikane "Illyria" si fituese e Miss Teen Nevada. Atëherë ajo s\'kishte shumë kohë që kishte ardhur, së bashku me familjen, nga Greqia. Bukuroshja shqiptare arriti që t\'i imponohet Nevadës së zhurmshme me një sfidë modeste, që ia falte bukuria natyrale dhe zgjuarsia.

Ermelinda nuk ishte më shumë se 12 vjeçe kur erdhi me familjen në SHBA, me një barrë ëndrra në Las Vegas-in e modes dhe kazinove.
Vazhdoi studimet në dy kolegje njëherazi. Krahas Universitetit të Las Vegas-it, ku cila u diplomua me "High honors" në Filozofi, dhe ku u radhit në 5 përqindëshin e studentëve më të mirë, Linda studion edhe në Akademinë e Arteve për Fashion Design.

Prej kohësh ajo ka krijuar modelet e saj, duke u bërë pjesëmarrëse në shumë show, që janë organizuar në Las Vegas dhe Kaliforni. Duke bashkëpunuar me kompani të famshme mode, ajo ka depërtuar tek sferat e larta të artit. Me anë të kompanisë "Style Firm", Los Angeles, California, ka arritur që të paraqitet si një stiliste me të ardhme premtuese.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama