Ky është një operacion që duhet të bëhet me kujdesin maksimal: avulli i prodhuar nga kjo situatë duhet që të mbahet sa më shumë që të jetë e mundur brenda centralit, sepse edhe ai ka përbërës radioaktivë. Veç kësaj hidrogjeni (që është një nënprodukt i operacionit) grumbullohet dhe në një kontakt të mundshëm me ajrin realizon një shpërthim të madh. Kjo në fakt ka ndodhur në reaktorët 1 dhe 3 edhe pse dëmet deri tani kanë qenë të vogla dhe të përballueshme.
Cili është rreziku i fuzionit?
Uji avullon nga kontakti me muret e nxehta që mbajnë uraniumin dhe nëse ky avull do të qëndrojë i ekspozuar në ajër për një kohë të gjatë, atëherë mund të përhapet me pasoja të rënda. Ky është rreziku në të cilin ndodhet aktualisht reaktori 2. Në fakt, sipas specialistëve, bëhet fjalë për një luftë kundër kohës, sepse nxehtësia e madhe e shndërron ujin menjëherë në avull dhe duhet që brenda një kohe të shkurtër avulli të izolohet. Ndërkohë, nëse muret brenda të cilëve qëndron uraniumi shkrijnë nga nxehtësia e madhe, atëherë në këtë rast do të çliroheshin sasi jashtëzakonisht të mëdha materiali radioaktiv në një shkallë të ngjashme me atë të Çernobilit. Megjithatë, bëhet fjalë për hipoteza teknologjike, të cilat nuk janë provuar kurrë në realitet, sepse gjëra të tilla nuk kanë ndodhur më parë.
A mund t’u zihet besë informacioneve zyrtare?
Agjencia për sigurinë e qeverisë “Nisa” dhe pronarja e centralit, kompania “Tepco” janë të vetmet organizma që kanë të gjitha informacionet e duhura dhe të detajuara dhe të dorës së parë, edhe pse ligjet ndërkombëtare i detyrojnë që të gjitha këto informacione t’ia kalojnë edhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, e cila ka dërguar teknikët e asaj në vend. Por ndërkohë ekzistojnë edhe burime dytësore (ushtria amerikane, media lokale) që për momentin kanë konfirmuar versionet zyrtare të situatës.
Çfarë do të thotë që sipas gjuhës së specialistëve ai i Fukushimës është një incident i “nivelit 4”? A mund të përkeqësohet situata?
Në shkallën ndërkombëtare të matjeve “Ines” një fenomen matet edhe nisur nga shpërndarja e tij, pra shtrirja gjeografike. Numri 4 në këtë shkallë flet për një ngjarje negative. Por ka shkencëtarë që flasin për një shkallë 5, e madhe dhe 7 të kësaj situate duke u nisur nga prania e madhe e avullit që del nga centrali. Por 7 nuk ka mundësi që të ketë ndodhur, sepse në këtë rast do të kishim një shkrirje të plotë të mbështjelljes në të cilën ndodhet uraniumi.
Si mund të përkthehet kjo situatë në termat e rrezikut për njerëzit? Pra rrezikut të ndotjes?
Dëmi i rrezatimit për shëndetin njerëzor varet nga doza e rrezatimit. Të jesh “i ndotur” nuk do të thotë as të sëmuresh menjëherë apo të konstatohesh menjëherë me tumore, apo sëmundje të tjera, e aq më pak të vdesësh menjëherë. Të ndotesh do të thotë që ke një probabilitet për të zhvilluar një të ardhme të papërcaktuar, shqetësime të natyrave të ndryshme në organizëm. Nga informacionet ende të pakonfirmuara që vijnë nga Japonia bëhet fjalë për një ndotje që është 1000 herë më e lartë nga situata normale, ose me fjalë të tjera një njeri merr në 1 deri 2 orë të njëjtën sasi radioaktiviteti që e marrim për shembull për një vit të tërë. Nëse një situatë e tillë do të zgjaste për disa orë rresht do të ishte shumë e rrezikshme, por jemi duke folur për një ekspozim të drejtpërdrejtë të atyre që janë në afërsi të burimit të radioaktivitetit, ose për ata që ndodhen brenda centralit.
Rrezatimet në Japoni a mund të mbërrijnë deri në Europë?
Ka jashtëzakonisht pak mundësi që të ndodhë diçka e tillë, madje edhe në rastin e një incidenti me pasoja më të rënda se deri më tani. Sipas specialistëve, retë e vogla që janë verifikuar mbi Japoni zakonisht kanë një rreze shumë të kufizuar të shpërndarjes që shkon 10 deri 20 kilometra. Më pas ato shpërbëhen për shkak të faktorëve të tjerë atmosferikë. Por nëse rrezatimi do të ishte më i përqendruar, atëherë do të mbulonte një sipërfaqe më të madhe për shembull prej disa qindra kilometrash, por për të evituar një shkallë rrezatimi si ai i Çernobilit duhet një emission i madh dhe në kohë të zgjatur që mund të shkaktohet vetëm nga ndonjë shpërthim i beftë dhe mbi të gjitha i ndihmuar edhe nga kushtet atmosferike, të erërave në favor, të mungesës së shiut dhe të turbulencave meteorologjike siç ndodhi pikërisht në rastin fatkeq të Çernobilit në vitin 1986. Por edhe sikur të përsëriteshin të njëjtat kushte atmosferike dhe rrezatimi pjesa më e madhe e resë japoneze do të përfundonte në oqean para se të arrinte në kontinentin amerikan.
A është e vërtetë që siguria e impianteve të reja bërthamore është më e lartë? A mund të arrihet siguria totale?
Teknologjia është përmirësuar. Impiantet e ndërtuara pas atij të Fukushimës në vitet e ’70 i kanë shumëfishuar sistemet e sigurisë, por është një garë, pra një rendje e pafund, veçanërisht për shkak, se ngjarjet natyrore janë të paparashikueshme. Kështu për shembull, centrali bërthamor në Japoni ka pësuar një tronditjeje të madhe për shkak të lëvizjeve sizmike një tronditje që ishte shumë më e madhe nga ajo e parashikuar prej inxhinierëve që projektuan projektin. Ndërkohë, nuk duhet harruar se impiante të tilla janë subjekt i ndryshimeve të vazhdueshme dhe mbikëqyrjeve e përmirësimeve në sistemet e sigurisë, çka duket se nuk është bërë në impiantin japonez.