Nje Dalí ne zgrip te pllakatit

Nje Dalí ne zgrip te pllakatit
Fondi i grafikës së ish-Institutit të lartë të Arteve u hap rastësisht. Shkak u bë Shoqata e dizajnerëve maqedonas “Plakart” që dëshironte një ekspozitë në galerinë e Universitetit të Arteve në Tiranë me postera të zgjedhur nga konkursi i tyre i përvitshëm. Pedagogu Petraq Papa mendoi t’i zgjasë kësaj ekspozite një pjesë që na del më tërheqësja.

17 pllakate të viteve 1964-’90. Janë punuar nga studentë të ish-ILA-s. Janë punë me dorë, mbi koncepte ideologjike të ofertës kulturore, ekonomike, sociale, politike të kohës. “Sigurisht që ky nuk përbën kriter për të sotmen”, thotë kuratori i këtij krahu të ekspozitës. Ato rrinë pranë posterave konceptualë, si rudiment i teknikës në një moment zhvillimi për gjininë e grafikë-dizajnit.

“Unë i përkas atij brezi që i punonim manualisht gjithë detyrat e shkollës”, thotë Papa. “Lënda e grafikës, punë semestrale kishte pllakatin, një term i huazuar nga Lindja për atë që sot të gjithë e njohim me poster.”

Pllakati si zhanër mbret i propagandës, – në rastin tonë ideologjike – paraqet një histori tematike nëpërmjet sloganit, lojës së tekstit, ngjyrave dhe simbolikës së tyre, modeleve mesazherë dhe personifikues, elemente që në këto pllakate e zhbëjnë krijimin dhe origjinalitetin.

“Mbrojmë fitoret, mbrojmë socializmin” është slogani i një pllakati ku, si rëndom, përdoret gërma kapitale. Dy gjymtyrët e fjalisë janë brinjë të një piramide në të cilat renditen simbolet e ndërtimit socialist të vendit: ikonë hidrocentrali, shtylle tensioni të lartë, teci, oxhaku, ure. Ato kulmojnë te ikona e kështjellës ku ndrin e kuqja e yllit pesëcepësh e ku shkruhet Parti-Enver. Ky është sfondi. Qendrën e zë një aradhë forcash njerëzore sipas modelit të thirrur nga lartësia e kështjellës: kooperativistja, aksionisti, ushtari, malësori, sekretari i Partisë (mban në dorë librin e kuq Historia e PPSH), vullnetarja e re me degë ulliri në duar, metalurgu, minatori, nëna e re me fëmijën që mbajnë lart lulet e Paradës së 1 Majit. Pllakati është punuar nga A. Baboçi i vitit 1981. Shumica nuk mbajnë as emra e as vit realizimi.

Pllakati që njofton organizimin e Kongresit 9 BGSH. Një figurë ngrihet mbi të tjerat, një grua me uniformë pune, përparëse, shami koke, shall aksioni, mbi një ushtri grash me uniforma punëtore e ushtarake. Është me interes situata që krijon ky student, i cili me siguri duhet të ketë ndjekur më vonë karrierën me leje krijuese nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Gruaja është vërtet në një pozicion thirrës në tribunë por me kurriz nga turma. Kujt i drejtohet ajo? Goja e saj është e hapur por e ngrirë, në gjendje ëndrre sikur dikush flet por nuk dëgjohet ose nuk kuptohet gjë. Çfarë thotë ajo? Diçka për ata me të cilët dikur në marrëveshje është vendosur një kod komunikimi. Dhe ky student i ILA-s po riprodhon shenjat e një kuvendi zyrtar.

“Sigurisht që nuk dilej dot nga korniza”, shton kuratori. “Posteri në çfarëdo sistemi, ruan një element thelbësor: duhet të jetë thirrës, duhet të jetë komunikues i një mesazhi. Këto që kemi ekspozuar e thonë këtë mesazh.”

Thirrje të tjera: LUFTËTARE TË DENJA TË PROGRESIT; 30 VJETORI I BASHKIMEVE PROFESIONALE TË SHQIPËRISË; LAVDI DËSHMORËVE: SHQIPËRINË DO TA NDËRTOJMË ASHTU SI E NDËRTONIT JU; TË SHKOJMË NË KONGRESIN E 9 TË PPSH ME DETYRA TË REALIZUARA; SA MË SHUMË PESHK POPULLIT; ULLINJTË E PËRJETSHËM SELITEN NGA RINIA E PËRJETSHME E ATDHEUT; SA MË SHUMË NAFTË ATDHEUT.

Ka pllakate ku studenti del nga aktualiteti, hyn në histori pa hequr dorë nga simbolet e revolucionit proletar, drapri e çekani, katër portretet në flamur të etërve të marksizëm-leninizmit:

GJENDJA SOT I NGJAN NJË VULLKANI

NË ERUPSION NJË ZJARR QË PËRVËLON

ZJARR QË DO TË DJEGË PIKËRISHT

KLASAT SHFRYTËZUESE E SHTYPËSE

Nuk do funksiononte një slogan kaq i gjatë në posterat e sotëm ku përpjekja për ta kamufluar apo zhdukur tekstin shkon e gjitha te energjia e simboleve.

Ja edhe një slogan rekord në pllakatin me tematikë agrare, me autor studentin Gazmend Leka, nga të paktët emra të identifikuar:

QË BUJQËSINË TA ZHVILLOJMË INTENSIVISHT DUHET TË ZBATOJMË KUDO TË REJAT E SHKENCËS. T’I JAPIM RËNDËSI PËRHAPIES SË PËRVOJËS SË PËRPARUAR.

Hedhja e tekstit duket kaotik. Por nëse do të flitej për ndonjë tendencë me formën, kuratori do të veçonte vetëm një farë loje që studenti ka bërë me fjalën bujqësi. Gërma U ku është futur një fidan, shkëputet nga toka nga duart e kooperativistes. “Nga pikëpamja estetike ajo rri perfekt”, thotë kuratori. E njëjta dorë studenti ka bërë pllakatin flakërues me katërshen marksiste-leniniste në profil me sloganin e mirënjohur: PROLETARË TË TË GJITHË VENDEVE BASHKOHUNI. “Ka qenë detyrë diplome” shpjegon kuratori. “Studenti duhej të bënte 9 pllakate. E ndër to, një patjetër që do ta bënte në linjën ideologjike.”

Nga gjithë sa pamë qëndron si lavdi e nëpërkëmbur, ky është njoftim:

BISEDË:

SUREALIZËM

PËRGATITUR NGA KUDRET VELÇA.

BISEDA ZHVILLOHET

MË DATË 19 PRILL 1972

ORA 17

DEGA E ARTEVE FIGURATIVE

Në këtë njoftim në karton është riprodhuar një pikturë e Salvador Dalí-së. Nuk është punë studenti. Është një njoftim i rrallë me vlerën e një dokumenti të rrallë për klimën e mendimit teorik e estetik pikërisht në vitin që paralajmëroi me Festivalin e 11 të Këngës në RTSH, fushatën e goditjeve në art e kulturë, shpikjen e grupeve armiqësore në kulturë, njëlloj si në ushtri dhe ekonomi.

Kuratori Petraq Papa konfirmon që “këto janë afishe njoftuese që viheshin përpara Institutit të Lartë të Arteve. Deri më 1972 bëheshin biseda për surealizmin. Njoftimi shoqërohet me një riprodhim nga Salvador Dalí si përfaqësues i surealizmit në arteve figurative,  rrymë e shek. XX që bazohej në teoritë mbi ëndrrën dhe pavetëdijen, zbulime frojdiane në fushën e psikanalizës.”

Në vazhdim estetë si A. Uçi që nuk do t’i mjaftonte vetëm modernizmi në letërsi, po edhe labirintet e tij në artet figurative, i dënuan si karikatura e antivlera. Literatura e huaj në Bibliotekën e Institutit të Arteve ishte një fond rezervat për pedagogët, dhe studentët mbetën në shtrëngesat e rregullave të shkollës edhe më të ngurta nga ç’ishin.

Pllakatet e ekspozitës që mbajnë vitet 1988-’89 tregojnë se fryma e këtyre normave u ruajt deri në fund. Një studenti të talentuar mund t’i jepej rasti të realizonte edhe afishet e prodhimeve të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si për filmat “Një udhëtim i vështirë” apo “Ata ishin katër”.

“Qëllimi ynë ishte të evidentonim se si ka evoluar posteri nga pllakati dhe çfarë mund të thuhet për aspektin teknik. Sot studentët punojnë posterin me temë të lirë. Janë kreativë. Sado që mendimi, simbolika kanë evoluar shumë në posterin e sotëm, njerëzit ndjejnë në të teknologjinë e ftohtë dhe bëhen kuriozë përballë kësaj historie të pllakatit. Sepse të gjitha janë punuar me dorë, në karton, ndihet ngrohtësia e vizatimit dhe punës me guash. Te këto pllakate ndihet dora e piktorëve të ardhshëm dhe është e natyrshme, sepse është një medium që komunikon drejtpërdrejt.”

Sa i pasur është fondi (nëse mund të quhet fond vendi dhe mënyra si ruhen punët e studentëve të ILA-s, sot Universiteti i Arteve)? “Fondi është i dëmtuar. Një pjesë e madhe janë shkatërruar shumë”, thotë Petraq Papa. “Është mjaft i pasur fondi për pikturën dhe vizatimin.” Me këto të fundit mendohet të projektohen ekspozita retrospektivë.

Plakart

Është organizatë e dizajnerave grafistë nga Maqedonia. Ajo është aktive edhe me partnerët ndërkombëtarë në Republikën Çeke, Poloni dhe Turqi. Që nga viti 2007 “Plakart” organizon konkursin ndërkombëtar të posterit për studentë. N konkurset e realizuara brenda 4 viteve janë trajtuar kryesisht tema sociale si toleranca, varfëria, ekologjia, SIDA etj.. Kanë konkurruar rreth 3000 studentë nga vende te ndryshme të botës, nga Kina deri në Meksikë. Çdo vit, ekspozitat e këtij konkursi zhvendosen nga Shkupi në Varshavë, Pragë, Paris, Stamboll dhe këtë radhë edhe në Tirane, me dëshirën që të bëhet një ekspozitë e përvitshme edhe me studentët e degës së grafikës në Universitetin e Arteve.

Plakart dëshiron që ky konkurs të bëhet një ditë festival i dizajnit me qëllimin për një vetëdije më të lartë sociale nëpërmjet dizajnit dhe këmbimit të ideve, për të ofruar zgjidhje me impakt vizual për çështje të ndryshme që prekin njerëzit në nivel global. Studentet motivohen që nëpërmjet posterit të komunikojnë në një mënyrë më direkte edhe me opinionin e gjerë publik.

Shembulli

Franc Ashikun (1925-1998) është një nga artistët me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e grafikës në vendin tonë, e sidomos për pllakatin. Studiuesit e veprës së Ashikut i cili punoi një kohë të gjatë në Ndërmarrjen e Dekorit në Shkodër, thonë se ai “mundi të dilte me shumë kujdes në situata krijuese antikonformiste, duke servirur një ritëm e formë kompozicionale jashtë skemave, me një zbërthim sintetik të konceptit apo temës së pllakatit. Krijimtaria e tij pati një ndikim direkt edhe në të tjera aktivitete që bëheshin në atë kohë, si në panaire, në industrinë e tekstilit apo në ekspozita përvjetorësh, ku tregoheshin arritjet dhe fuqia ekonomike e vendit, por kuptohet që paraqitja e tyre bëhej në eksponatet e improvizuara, të cilat ishin edhe treguesit e kulturës në fushën e dizajnit grafik të asaj kohe.” Punët e Ashikut mbërrinin një shkallë abstraksioni të elementeve simbolike, përmes një grafike që për atë kohë ishte mjaft bashkëkohore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama