Për hir të së vërtetës, kjo shemri e hershme mes Tiranës dhe Vlorës, nuk është e sotme, pasi ajo ka filluar që nga Ahmet Zogu, Mbreti i shqiptarëve, i cili nuk shkoi në Vlorë për 20 Vjetorin e Pavarësisë kur u bë rivarrimi i Ismail Qemalit, e as për 25 vjetorin, kur të gjithë festimet u bënë në kryeqytet. Duket se gjërat i vendosi në vend një Vendim i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me rastin e 50 vjetorit, i cili e shpërnguli për 5 ditë me radhë Presidiumin dhe qeverinë në Vlorë, për herë të parë në historinë shtetërore. Kjo ishte dhurata më e bukur për qytetin, që më 28 nëntor ’62 u shpall “Qytet Hero” dhe, në një farë mënyre, mori imazhin ndryshe që meritonte dhe që nuk ish vlerësuar deri më atëherë kurrë me këto përmasa.
Ende Vlora më 1932
“Më 20 vjetor, festimet iu kushtuan ardhjes nga Kanina të eshtrave të Ismail Qemait drejt Vlorës në ‘Sheshin e Flamurit’. I gjithë ceremoniali u bë atje dhe Vlora u organizua nga nxënësit e shkollave, qytetarët e thjeshtë dhe zyrtarë për ta bërë sa më festive çdo gjë”, shkruan historiania Ledia Dushku. Për të gjithë këtë u mbajt procesverbal, firmosur nga gjeneral Gilardi, ministrat Mosi e Tutulani, prefekti Nepravishta dhe i biri i të ndjerit, Et’hem Vlora. Një vit më vonë, mu në 9 nëntor 1933, flamuri u përcoll në stendat e kujtimeve me vlerë të historisë kombëtare në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Një drekë e shtruar nga Prefekti Nepravishta mbylli festimet në Vlorë, por mbreti qëndroi në Tiranë dhe organizoi pritjen e rastit në Pallatin Mbretëror. U krye lutja në faltore dhe u ekzekutuan gjuajtjet ceremoniale me top.
Tirana merr peshën më 1937
Tirana e mori peshën e rëndësisë për 25 vjetorin e Pavarësisë. Ministria e Punëve të Brendshme u drejtoi një shkresë administratave lokale, ku ua bënte me dije që më parë programin. Dita e 28 Nëntorit 1937 mblodhi në Tiranë gjithë trupin diplomatik, delegacionet shqiptare e të huaja, etj., kurse risi në atë kohë ishte Fjala radiofonike që u mbajt direkt nga Zogu me rastin e inaugurimit të Radios.
Në orën 10.00, në Pallatin Mbretëror u mbajt pritja e rastit, kurse më orën 15.00, në sheshin “Skënderbej” kryetari i qeverisë Koço Kota mbajti fjalimin e rastit. Pastaj ngriti flamurin kombëtar, veprim ky që u pasua nga 101 të shtëna topash. Në orën 15.30, para mbretit Zog, u organizua parakalimi i nxënësve të shkollave, të ardhur në Tiranë nga qarqet. Duhet thënë se rrethet vepruan me programe më vete festimi, të cilat mbeteshin modeste. Në Vlorë u ngrit në mënyrë komemorative flamuri, kurse kryetari i bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, shtroi një darkë me një iniciativë të tij personale.
Rikthimi i Vlorës më 1962
Shumica e personazheve, që gjendeshin në dy përurimet e para, s’do jenë më për 50 vjetorin. Shumë syresh janë pushkatuar dhe më shumë akoma janë arratisur. Në vitin 1962, me një vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili mban datën 23 nëntor 1962, prej datës 26 e deri më 30 nëntor 1962, Presidiumi dhe Këshilli i Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë “kryejnë funksionet e tyre në qytetin e Vlorës, ku u shpall pavarësia kombëtare më 28 nëntor 1912”. Sipas këtij vendimi, të gjithë ceremonitë zyrtare do kryheshin në kryeqytetin provizor të Shqipërisë, Vlorë. Aty u mbajt një miting madhështor, u ngrit flamuri, u kryen vizita në muzeun e Pavarësisë dhe u shtrua dreka e rastit. Edhe pritja e të ftuarve u bë në Vlorë. Enver Hoxha, në një mbledhje të përbashkët të KQ të PPSH, Presidiumit të Kuvendit dhe Kryeministrisë, propozoi që Vlora të shpallej “Qytet Hero”; të shpalleshin “Heronj të Popullit”, Ismail Qemali, Bajram Curri dhe Selam Musaj; dhe të ngrihej në të ardhmen Monumenti i Pavarësisë...
Tirana, sërish-2012
Vitet shkuan sërish dhe shumë nga njerëzit që kremtuan 50 vjetorin, kuptohet që kanë vdekur.
Kryeministri Berisha, me riardhjen në fuqi më 2005, i dha qysh herët sinjalet e tij se Vlora nuk do ishte në planin e tij të kremtimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë. Megjithatë, kishte dhe një shpresë për këtë në zgjedhjet e 2011-s. Nëse bashkia e Vlorës do të fitohej nga Partia Demokratike, atëherë vartësit e kryeministrit do t’i bënin veprimet protokollare shumë më tepër të çlirëta se Enveri me 50 vjetorin e tij. Në fakt, festimet e këtij përvjetori i ngjajnë një thesi eventesh, ku brenda janë futur dhe aktivitete të thjeshta, dhe të mendosh se është lënë p.sh një sërë aktivitetesh, zakonisht bërë në këtë muaj (“Nëntori”, një ekspozitë pikturash-ishte njëra syresh). Të mendosh, kalendari nga Ministria e Kulturës u shpall shumë vonë, kurse mali i premtimeve për një parlament të ri, stadium të ri, monumente të Ismail Qemalit (që u nxor enkas nga muzeu) dhe shumë e shumë të tjera, s’u realizuan dot.
Megjithatë do ketë një Monument të ri Pavarësie, dy koncerte, një paradë dhe ngritja ceremoniale e flamurit, e cila do të bëhet në Vlorë. Por, edhe që duket se do t’i ndajë si asnjëherë shqiptarët në këtë kremtim të madh, ku Opozita nuk pranon të jetë me Pozitën. Më pak fjalë, zyrtarisht, në ceremonialet shtetërore, Vlorës i mbetet ceremoniali i flamurit më 10.00, i cili konfirmohet se do ngrihet nga presidenti Nishani...dhe asgjë më shumë. Si asnjëherë tjetër shemria e Vlorës ka arritur kulmin ndaj Tiranës, të paktën kur dëgjon marazin e kryetarit të Bashkisë së qytetit, Shpëtim Gjika, që ashtu si paraardhësi i tij Ali Asllani më 1937, gjithçka e ka bërë vetë në qytet, nga monumenti i Ismail Qemalit, festimet, pritjen..., me vetëm një grant modest qeveritar për pllakat e “Sheshit të Flamurit”.
100 vite pavarësi, një histori rivaliteti Tiranë-Vlorë
1932
20 Vjetori i Pavarësisë
Programi i ceremonisë për ngritjen e përmendores në varrin e Ismail Qemalit
1-Ma 28 Nanduer do të bahet ceremonia e përmendores së ngrehun prej L.M. së tij Mbretit në nderim të Ismail Qemalit në Vlorë
2-N’orën 10.00 të gjithë autoritete civile dhe ushtarake të Vlorës, paria e këtij qarku, nxënësit e shkollave do të mblidhen në varrin e tij në Kaninë
3-Në orën 10.15 përfaqësuesi i Naltmadhnisë së tij Mbretit, ministrat, Përfaqësuesit e Parlamentit dhe të bashkive do të arrijnë pranë varrit në Kaninë.
4-Gjindja e mbledhun në mënyrat e tregueme në pikat 2 dhe 3 mbasi të jenë nxjerrë eshtrat e të ndjerit, e mbasi të jenë vendosur në arkivolin e posaçëm duke pasur këtë përpara bashkë me të gjithë kurorat dhe bandat muzikore do të nisen nga Kanina dhe do të mbërrijnë në ‘Sheshin e Flamurit’ në Vlorë, ku do të vendoset flamuri dhe arkivoli dhe ku do të zbulohet nga napa e zezë përmendorja e ngrehun. Sapo të jetë zbuluar përmendorja, përfaqësuesi i Nalt-Madhnisë së Tij Mbretit do të mbajë fjalën e rastit.
5-Pas zbulimit të përmendores do të depozitohen kurorat e pregatituna prej të gjithë bashkive të Shqypnis , prej Parlamentit, prej qeveris dhe të tjerëve dhe në emrin e Qeveris dhe Parlamentit do të mbahen ligjëratat e rastit. (është shuajtur diçka)
6-Në këtë ceremoni Bandat e Muzikave që do të marrin pjesë do t’u bihen copërave funerale dhe patriotike (kjo e shtuar me laps).
7-Në ceremoninë inaugurale, përveç përfaqësuesve të Bashkive do të marrin pjesë trupat e paraushtarakëve të Tiranës, të Shkodrës, të Durrësit, të Beratit, të Korçës, të Elbasanit, dhe të Gjirokastrës dhe një grup i paraushtarakëve të Vlorës, të cilët veshur me uniformat zyrtare bashkë me nxanësit e nxënëset e shkollave do të bëjnë nderimet duke përshëndetur përmendoret.
8-Pas paradimit të ushtarakëve dhe të nxënësve, gjindja me Bandat duke përshëndetur edhe njëherë përmendoren kujtimtare do të largohen prej “Sheshit të Flamurit” dhe do të vijnë në bashki ku do të priten urimet e ditës.
9-Bashkia e vendit për nder të mysafirëve në orën 1 (paradite[mesditë shtuar me kalem]) do të shtrojë një drekë. Qyteti do të jetë i stolisur dhe nëpër sheshe fytyra e Ismail Qemalit do të jetë e ndritsuar, si edhe flamuri i ngrehur n’atë ditë.
10-Për kujtim të kësaj dite madhështore, vrapi çiklistik i organizuar për Tiranë-Kavajë-Lushnjë-Fier-Vlorë do të ekzekutohet në orën...dhe ay që do të fitojë konkursin çiklistik do të marrë në prefekturë kurorën e Nalt-Madhnisë së tij, Mbretit e këtë do ta depozitojë pranë Përmendores.
AQSH 152
1937
25 Vjetori i Pavarësisë
Programi Zyrtar i festimeve të XXV Vjetorit të Vet-Qeverimit në Kryeqytet
Një urdhër qarkor i Ministrisë së P. të Brendshme
Në lidhje me festimet e 25 Vjetorit dhe programit të tyre, Ministria e P. të Mbrendëshme u drejtoi administratave shkresën që vijon:
Me rastin e 25 Vjetorit të Vet-Qeverimit këtu në Tiranë do të funksionojë një radio-transmetuese në ndërlidhje me stacionin radiofonik të Barit, me anën e të cilit do të transmetohen ma parë mesazhi Mbretnuer i shqyptuem nga vetë N. M. e Tij Mbreti dhe mandej suksesivisht edhe fjalimet e tjera dhe çfaqje të tjera këngësh, vallesh, muzikë, etj. Programi i këtyne transmisioneve me orat e caktuam do të ju njoftohen ma vonë. Asht dashuri i Qeveris Mbretnore që Mesazhi Mbretnuer të ndijohet mundësisht në të gjitha viset e Mbretnis direkt me anë të radios. Gjith’ashtu edhe programi i radio-emisioneve të tjera, që do të zhvillohen gjatë festave. Për këtë qëllim ato Bashki e komune që kanë posibilitet duhen qysh tash të kujdesohen me instalue alto-parlante nëpër sheshe të gjana ku mund të mblidhen popull e zyrtarë. Alto-parlantat mund të lidhen me aparata radiosh private nga ato ma të fuqishmet që mund të gjinden. Kur të ju komunikohet programi radiotransmetues duhet të bani çpallje e të lajmoni popullin me u mbledhë ndër sheshe n’orët e caktueme në program. Shtojmë në këtë rasë se edhe kafet, restaurantat dhe ata që shesin radio mund të çelin radiot e tyne për publik.
Programi
Dita 25 Nantor
1)Ora 13.20-Hapja e Festimevet prej Nalt-Madhnisë së tij Mbretit me anë të një mesazhi radiofonik, drejtuem popullit Shqiptar. Në mbarim të mesazhit do të bjenë 101 topa si shenjë e fillimit të festimeve.
Dita 26 Nantor
2)Ora 8.30-Komemorim i datës historike të XXV Vjetorit ë sheshin e Ministrivet prej Kryetarit të Parlamentit me anë të një fjalimi, si edhe pagëzimi i atij sheshi me emënin “Sheshi Skandërbej”, e zbulimi i shtyllës kuptimore në vendin ku do të ngrehet statuja e Fatozit Kombëtar.
3)Ora 9.30-Paradë Ushtarake para Naltmadhnisë së tij Mbretit (2)
4)Ora 14.00-Në praninë e Naltë të patroneshës së turizmit N.S. princeshës Maxhide, shfaqje gjimnastikore në fushën e Sportit prej nxansavet t’Institutit “Nana Mbretneshë”.
5)Ora 16.00-Inaugurimi i ekspozitës dokumentore të Rilindjes Kombëtare në shkollën e Vizatimit prej N. S. Princeshës Ruhije.
6)Ora 17.00-Fjalim në sheshin e Bashkisë n’emën të Djelmnisë Jashtshkollore, prej nji të deleguesi të Ministris s’Arësimit.
7)Ora 19.00-Në praninë e Naltë të Patroneshës s’Artit N.S. Princeshës Ruhije, Konçert vokal-instrumental në Kinema “Gloria” prej Shoqnis Jashtshkollore “Rinija Korçare”.
Dita 27 Nëntor
8)Ora 9.00-Provë e fundit e Kampionatit Kombtar të çiklizmit Tiranë-Krue-Tiranë. Nisja prej Sheshit “Skandërbeg”.
9)Ora 10.00-Në pranin e Naltë të patronezhës së Sportit N.S. Princeshës Myzejen, shfaqje gjimnastikore në Fushën e Sportit prej nxansave të Gjimnazit Shtetnuer dhe t’Institutit teknik.
10)Ora 14.00-Në pranin e Naltë të Patroneshës Sportit Princeshës Myzejen, zhvillim kampionati në Fushën e Sportit nën drejtimin e federatës Sportive.
11)Ora 17.00-Fjalim nga ballkoni i Bashkis nga kryetari i saj.
12)Ora 19.00-Në Praninë e Naltë të Patroneshës s’Artit N.S. Princeshës Ruhije, mandolinatë në Kinema “Gloria” prej Shoqnis Jashtëshkollore “Bashkimi Elbasanas”.
Dita 28 Nënduer
13) Ora 8-Lutje nëpër Faltore.
14) Ora 9-Vumje kunorash lulesh në Mauzoleun e Nanës së Kombit.
15)Ora 10.00-Paraqitje urimesh në Pallatin Mbretnuer.
16)Ora15.00-Fjalim mbi çastin historik të ngritjes së Flamurit në Sheshin “Skandërbeg” prej kryetarit të Qeveris, tue e pasuem prej 101 të shtime topash.
17)Ora 15.30-Parakalimi i nxansavet të shkollave si edhe të vajzave dhe të djemve të ardhur nga qarqet përpara N.M. Ti Mbretit.
18)Ora 19.00-Në pranin e Naltë të Patroneshës s’Artit N.S. princeshës Ruhije, shfaqje Theatrore në Kinema “Nasional” prej “Grupit Shkodran”.
Shënim
1)Programi i festimeve ndër qarqe prej Bashkive me aprovimin e Këshillavet Administrative.
2)Në qoftë se moti s’asht i mirë, parada shtyhet për një ditë tjetër.
1962
50 Vjetori i Pavarësisë
Plani i masave për festimin e 50 vjetorit të Pavarësisë
Sekretariati i K.Q. të PPSh-së Aprovuar nga Ramiz Alia
A) Festimet bëhen për të njohur traditat patriotike të popullit tonë për liri e pavarësi.
B) Për të mobilizuar masat punonjëse të qytetit e fshatit.
C) Për forcimin e mëtejshëm të unitetit.
28 nëntori
1-Më 28 Nëntor në Tiranë të organizohet në Tiranë një mbledhje solemne
2-Më 28 Nëntor të organizohet në Vlorë një miting
3-Në të gjitha rrethet të organizohen mbledhje solemne ku të flasin anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe Këshillave Popullore.
4-Instituti i Historisë së PPSh-së të përgatisë një ekspozitë për rrugën e lavdishme historike të popullit tonë.
-Të botohen dokumente të Luftës Nacional-Çlirimtare
a)Traktet e Komitetit Qendror dhe Komiteteve qarkore.
b) Dokumentet e Konferencës së I dhe të II, ato të Kongresit Antifashist, të Këshillit të Përgjithshëm (Të botohen deri më Nëntor 1962)...
5)Të botohen albume me foto të rilindësve.
6)Të inaugurohen me ceremoni një sërë objektesh që do të ndërtohen gjatë vitit 1962.
7)Të thirret një konferencë ndërkombëtare albanologjike ku të ketë të ftuar historianë, linguistë, letrarë, që merren me problemin shqiptar jashtë dhe konferenca të bëhet në nëntor
8)Të organizohet nën nëntor një sesion shkencor nga Universiteti i Tiranës për 50 Vjetorin.
9)Të dekorohen disa patriotë dhe personalitete miq. Lista të paraqitet te Sekretariati.
10)Të ftohen delegatë nga kolonitë shqiptare dhe arbëreshët dhe shoqatat e miqësisë.
III)Puna me masat dhe agjitacioni figurativ
1)Të gjithë organizatat e masave, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Universiteti i Tiranës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Komiteti me Marrëdhëniet në Botë e jashtë, Drejtoria Politike e të Ushtrisë, Komitetet e Partisë në rrethe dhe qendrat e ndryshme kulturore të bëjnë një plan konkret për atë çfarë do bëhet për 50 vjetorin.
2) Të bëhet një leksion kryesor “50 vjetori i shpalljes së pavarësisë” e të jetë gati më Gusht 1962.
3)Të organizohen ekskursione, vizita, mbledhje dhe takime, ku janë zhvilluar ngjarjet e luftës nacional-çlirimtare, të evokohen figura të Rilindjes dhe Luftës Nacional-Çlirimtare. Të flasin njerëz të ndryshëm për të.
4)Të vendosen pllaka përkujtimore dhe lapidare në vende historike.
5)Të botohet pllakati kombëtar për 50 Vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Po ashtu të bëhet një foto-ekspozitë për momentet kryesore historike të 50 viteve,të emëtohen seri pullash, të ngrihen kudo këndet e 50 vjetorit të pavarësisë.
6)Të organizohet në nëntor muaji e traditës patriotike “revolucionaare”
IV Kultura dhe Artet
1)Të ngrihen shtëpi muze, monumente, buste dhe nderime të tjera kudo në vend
2)Të përgatiten filma dokumentarë
3)të organizohen këto aktivitete artistike
a)Baleti i parë nacional
b)teatri të përgatisë premiera dhe pjesa të ndrysme të reja
c)shtypi dhe botimet t’i kushtohen pavarësisë
1)Gazetat të botojnë artikuj të ndryshëm
2)të botohen vepra dhe dokumenta të ndryshme
3)të botohen fletëpalosje të ndryshme ng Bashkimet profesionale dhe grupimet e ndryshme
4)të botohen broshura shkencore të ndryshme
5)të dalë një vëllim jubilar
6)Të botohen dy vëllime të studimeve shkencore në etnografi dhe arkeologji
Plani i masave është bërë nga Ministria e Arsimit
Përcjellë tek Sekretariati i Presidencës (Sami Baholli)
Vendimi me nr.145 më 23.2.1962 Tiranë
2012
100 vjetori i Pavarësisë
22 nëntor
Mbërritja në Shqipëri e shpatës dhe përkrenares së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu
Kupa “100-Vjet Pavarësi” në futboll ( ndeshja e tretë Shkëndia Tetovë- Renovë) (Pogradec)
23 nëntor
Konferencë e studiueses dhe albanologes Prof. Luçia Nadin me temë “Studime mbi Mesharin e Gjon Buzukut”
Festivali Ndërkombëtar i Filmit (TIFF)
24 Nëntor
10.00-Konferencë e studiueses dhe albanologes Prof. Luçia Nadin, mbi zbulimet e saj në arkivat veneciane dhe motivet shqiptare të Kishës së Shën Sebastianit
12.00-Ceremonia e përurimit të shtatores kushtuar Mbretit Zogu I
18.00-Ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri” -ekspozimi i 15 kodikëve origjinalë
25 Nëntor
Ceremonia e përurimit të bustit të Petro Markos -Dhërmi
Ceremoni e madhe festive organizuar nga Ambasada e RSH në Maqedoni dhe Këshilli Organizativ për Festimet e 100 vjetorit, nën kujdesin e ZV/.Kryeministrit të Maqedonisë Z. Musa Xhaferri, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Sali Berisha dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. (Shkup)
Shfaqja e një sërë filmash dokumentarë kushtuar personaliteteve dhe ngjarjeve të ndryshme historike (hyrja falas)
26 nëntor
09.00-Konferencë shkencore “100 - Vjet Pavarësi e Shqipërisë” me pjesëmarrjen e rreth 100 studiuesve shqiptarë dhe të huaj
11.00-Ceremonia e përurimit të shtatores kushtuar Ismail Qemalit
Koncert artistik - Bashkia Tiranë
Ekspozitë artistike “100 - Vjet Tirana” - Bashkia Tiranë
27 nëntor
10.00-Përurimi i autostradës Morinë – Prishtinë (Kosovë)
17.00-Finale e Kupës “100 vjet Pavarësi” në futboll (Vlorë)
18.30-Koncert festiv në Vlorë me pjesëmarrje trupash artistike nga vendi. Marrin pjesë Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri i Shqipërisë, Trupi Diplomatik, Kryetari i Bashkisë Vlorë dhe personalitete të huaja (Vlorë)
28 Nëntor
10.00-Hapja zyrtare e ceremonisë së kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, Homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosje kurorash mbi varrin e Ismail Qemalit -Vlorë
13.00-Ceremonia e vendosjes së kurorave dhe nderimit pranë monumentit Nënë Shqipëri
14.00-Koncert festiv në Sheshin “Skënderbej”
17.00-Parada e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Sheshin “Skënderbej” dhe mbajtja e fjalës së rastit nga Presidenti i Republikës
17.30-Ceremonia e përurimit të përmendores kushtuar « 100 - Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë »
18.00-Mbrëmje solemne akademike në Pallatin e Kongreseve
18.30-Koncert i madh përmbyllës në Sheshin “Nënë Tereza”