Nje ajer me feeling

Një ajër me feeling
Dy buqeta, një për ty dhe një për atë, si të bëhej fjalë për një burrë dhe një grua në takimin e tyre të parë Me ndihmën e atyre që kanë vërtet hundë, kemi zbuluar kombinimet ideale, që krijojnë një alkimi perfekte.

Pasion brenda në pallat


Syri, dihet, është i tërhequr nga ajo që e befason. Por edhe hunda. Të ndryshëm në përshtypjen e parë, duke u njohur, ai dhe ajo zbulojnë se kanë shumë të përbashkëta nuhatëse, si për shembull: qitroja, limoni, paçuli, lulet e portokallit. Duhen dhe urrehen, por nuk dinë ç’është indiferenca. Është ai që lë një shije ekzotike dhe sensuale qelibari, paçuli dhe vaji prej një rrënje indiane i përdorur për herë të parë në një parfum dhe që e ngërthen atë në një lojë epshndjellëse. Ajo, e mbështjellë nga një bollëk arome lulesh pylli, bëhet ëmbëlsisht lozonjare. Në dhomat e pallatit ka shumë qoshe për t’u zbuluar dhe vetëm një burrë si ai arrin ta bëjë.

Larg shtëpisë

Kujdes, mos u gënjeni nga fundi i tyre, përfaqësuar prej saj nga aroma e kafesë të sapopjekur dhe prej tij nga shija e duhanit, ndoshta e një cigareje të tymosur përpara oxhakut në një natë dimri. Ky çift nuk është krijuar për vatrën shtëpiake. E re, e vendosur, do gjithçka që është në modë, lë një shije që nuk mund të harrohet lehtë. E thjeshtë të mos e bësh duke parë Matthew Mcconaughey-n, imazhin e zgjedhur për të mishëruar mashkullin Dolce&Gabbana. Joshës, ironik, është më e lehtë ta imagjinosh mbi një tryezë sërfi në Malibu sesa në kuzhinë. Si ajo, që përveç të tjerave, ka të përbashkët me të aromën e qelibarit.

Elegancë pa kohë

Një çift pa moshë. Elegantë, të kujdesshëm me kurimin e detajeve, nuk kanë nevojë të demonstrojnë asgjë, ia mbathin nga çdo gjë që përbën shumë tendencë dhe nga madhështia me çdo kusht. Duan dizajnin edhe në ambalazh, por gjithmonë me një shije retro dhe të sofistikuar që i bashkon, përveç një arome që shpërthen nga qitroja tek vanilja. Ajo është superfemërore, e sigurt në vetvete. Edhe kur e takon. Jo rastësisht, kur Mademoiselle Chanel, në vitet njëzet, i kërkoi parfumierit me origjinë ruse Ernst Beaux të krijonte një parfum, të cilit i specifikoi që të ishte “për një grua me aromë gruaje”. U tha, u bë!

Joshje me çdo kusht

Të rinj, modernë, tërheqës, të sigurt në vetvete: krijojnë një alkimi perfekte, që luan me jetën. Ajo ka një sharm androgjen dhe një vështrim të pacipë prej garçonne, si ai i top modeles angleze Agyness Deyn, supertokësore rock, modele-simbol për Jean Paul Gaultier, e zgjedhur nga stilisti për të përfaqësuar parfumin. Është si një dallgë trëndafilash përzier me aromën e cedrit, myshkut të përbashkët me të, por më e thellë dhe më me shumë erëza, ku qitroja dhe manushaqja përzihen me kanellën dhe aromën e gjetheve të duhanit. Ajo, e pacipë dhe provokuese, e vë në lojë atë, por është e joshur. Ai, me një fund pikant, e kupton lojën dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Love story në teatër

Një harmoni perfekte në çift, të takuar ndoshta në një premierë teatri, e lindur nga interesa të përbashkëta dhe nga vizioni i njëjtë për jetën. Përveç të tjerave, i bashkon një nuancë arome e lehtë lulesh. Ajo është diskrete, e sofistikuar, e fortë si diamanti, që përfaqësohet në flakon. Por ka edhe një zemër të trëndafiltë, sytha portokalli dhe një fund qelibari dhe erëzash, e gjitha për t’u zbuluar. Ai ka një sharm të pakapshëm, por jo të pacipë, që kundërmon nga agrumet e freskëta dhe nuk imponohet. Nga njëri akt në tjetrin, një tërheqje e fortë dhe e thellë, që vjen nga truri, mund të shpërthejë në një pasion që është i destinuar të zgjasë.

Përputhje e ëmbël

Nuk kanë shumë aroma të përbashkëta. Ajo është një pudrosje lulesh e ëmbëlsuar nga aroma të gjelbra dhe nga një nuancë meshini në fund, ndërsa ai, pas një hapjeje me aromë të freskët limoni dhe qitroje, ka një zemër pikante e të bollshme xhenxhefili dhe speci djegës. Por funksionon dhe pëlqehen. Ajo është mishërim i feminitetit: e imët, e këndshme, delikate. Përvidhet nga një mashkull “macho” dhe kërkon një burrë sharmant që t’i japë siguri. Mundësisht i ndjeshëm, i ëmbël, sportiv dhe seksi aq sa duhet. Duket e thjeshtë. Por kurthi është Jude Law, imazhi i zgjedhur nga Dior. Nuk do të ketë dashuri me shikim të parë, por një zjarr të ngadaltë, që zgjat.

Në një lojë vështrimesh

Është një çift i sofistikuar. Ajo kundërmon jasemin dhe mishërohet nga top modelja Kate Moss, ai më i rrëmbyer dhe sensual, e vë theksin menjëherë tek një lojë vështrimesh. Duhet të njihen pak. Nuk kënaqen vetëm më aromat e avullta (gardenie dhe limfë e gjelbër ajo dhe agrume e erëza ai). Përveç flakonëve të errët dhe misterioze të tonkës, e ëmbël dhe me nuanca të lehta vaniljeje, që i afron në një sensualitet delikat, intim. Është një mister i vjetër i ditë-errësirës, që alternohet në dritë e hije me mundësi të pafundme. Përfshi edhe atë të të rënit në dashuri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama