Teksa kërkojmë pullat për kartolinat, e pyes pse ndodhej në Shqipëri, ç‘përshtypje i kishte lënë udhëtimi, duke e gjykuar në aspektin e turizmit. Biseda të tilla janë gjithmonë interesante për të mësuar më shumë. Ato të japin mundësi të shohësh se ç‘mendojnë turistët për ofertat tona dhe si mund ta bëjmë të gjithë bashkë vendin më tërheqës për të huajt.
"Jemi një grup gazetarësh nga Danimarka, Anglia dhe kemi ardhur për të bërë promovimin e vlerave të turizmit shqiptar. Gazetarët e tjerë që janë me mua, janë më të fokusuar tek ajo çfarë qeveria po bën për zhvillimin e turizmit. Unë punoj për një gazetë të një organizate të ambientit, që quhet "SIERRA" Fokusi im do të jetë më tepër te vlerat e faunës dhe florës shqiptare", tregon gazetari Cohee. Ky e pyesim se kur ka dëgjuar për herë të parë për vendin tonë, thotë: "Atëherë kam qenë student. Miqtë e mi më treguan se ishte një vend komunist dhe i izoluar. Nisur nga kjo, mendoj se gjërat kanë ndryshuar shumë tani. Ekonomia ka rritje dhe kjo ka favorizuar zhvillimin e turizmit, por mendoj se ka gjëra që ende duhet të zhvillohen më shumë këtu".
Grupi i gazetarëve që raporton për turizmin, gjatë udhëtimit ka vizituar Sarandën, Butrintin, Shkodrën, Thethin, Gjirokastrën dhe Tiranën. "Përshtypje të veçantë më ka lënë Butrinti. M‘u duk mjaft interesant, jo vetëm për arkitekturën e mrekullueshme, por edhe për pasuritë e faunës dhe të florës. Kam pasur mundësi të bisedoj me profesor Begon, i cili më tregoi pak për veçantitë e kësaj zone dhe në mënyrë të veçantë për 2 llojet e shpendëve të rrallë që gjenden në këtë park", tregon gazetari.
Kur e pyesim se çfarë mund t‘i tërheqë të huajt të kalojnë pushimet në Shqipëri, apo të ndalen për një vizitë pak më të shkurtër, specialisti i raportimit të turizmit na thotë: "Shqipëria ka burime natyrore, të cilat janë mjaft tërheqëse për turistët e huaj. Interesi do të jetë më i madh, sidomos te të rinjtë apo studentët e huaj që kanë pasion kampingun ose hipizmin nëpër male, si në zonën e Thethit". Sipas analizës së turistëve gazetarë, mundësitë për njerëzit, të cilët janë të tërhequr nga fauna dhe flora, nuk mungojnë. Një vend si Butrinti, që ka një arkitekturë të mahnitshme, burime natyrore dhe antikitet, do të ishte dëshira e çdo udhëtari për ta eksploruar.
Veç udhëtimit, ajo që të gjithë të huajve u bën përshtypje, është edhe dashamirësia e shqiptarëve, sidomos për amerikanët.
"Ju jeni mjaft miqësor, sidomos me amerikanët. Nuk mund ta besoja kur dëgjova që këtu ekziston një rrugë që quhet George W.Bush".
Jim Cohee tregon se nga vizitat e tij në vende të ndryshme, doli në konkluzionin se ne shqiptarët jemi njerëz të shoqërueshëm. Për më tepër, të huajve u pëlqen fakti që ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në raste nevoje. "Përshtypje më lanë njerëzit në Theth, mjaft miqësorë, më ftonin në shtëpitë e tyre për të pirë raki dhe kafe. Ishte mjaft interesante dhe njëkohësisht shumë e vështirë të pije raki në çdo shtëpi që vizitoje", rrëfen Cohee.
Nga : Gazeta Shqip