Nje baze e NATO-s ne Shqiperi? Ëndrra e Majkos mbetet ne sirtar

Një bazë e NATO-s në Shqipëri? Ëndrra e Majkos mbetet në sirtar

Duke folur në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se mbajtja e një takimi të Asamblesë në Shqipëri është ëndërruar prej kohësh nga ish-kryeministri Pandeli Majko, dhe se, tani, për Zotin Majko mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar: një bazë e NATO-s në Shqipëri.

Përtej banalitetit (të zakonshëm) të batutës, nuk është e qartë nëse Zoti Rama ka dashur që përmes saj të falenderojë Zotin Majko për organizimin e takimit apo nëse ka dashur të hapë një temë tjetër diskutimi për të larguar vëmendjen nga çështje më pak të këndëshme për të. Por ajo që është e qartë është fakti se baza e NATO-s në Shqipëri është një "refren" i vjetër, i përdorur fillimisht nga ish-presidenti Berisha dhe pas tij edhe nga ish-kryeministri Majko.

Aktualisht, në rajonin e Ballkanit ka disa zyra apo komanda të NATO-s -- në Prishtinë, Shkup dhe Sarajevë. Në Tiranë gjendet një zyrë, shumë herë më e vogël, me detyrën për të ndihmuar reformën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Përtej vlerësimeve gjeopolitike, në Shqipëri nuk janë kushtet natyrore dhe infrastruktura e nevojshme për realizimin e diçkaje më të rëndësishme, pra të një baze të vërtetë me trupa ushtarake dhe armatime. Për të realizuar këtë të fundit, nevojiten hapësira, porte, aeroporte dhe një infrastrukturë moderne transporti që do mund të përballonte trafikun ushtarak.

Ndoshta deklarata e Kryeministrit Rama është thjesht një përpjekje për të kërkuar falje për mosrealizimin e angazhimeve dhe të shpenzimeve të detyrueshme ushtarake që qeveria shqiptare duhet të realizonte pas anëtarësimit në NATO--dështime që disa deputetë europianë ia bënë të qarta qeverisë tonë gjatë takimit.

Të vetmet veprime që qeveria ka parashikuar për vitin 2016 në fushën e mbrojtjes janë veprime në letër. Buxheti i vitit 2016 parashikon transferimin e dy institucioneve të rëndësishme në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes--spitalit ushtarak në Laprakë, i cili është aktualisht nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe reparteve të helikopterëve të Ministrisë së Brendshme dhe të Shëndetësisë. Këto veprime duket se po bëhen vetëm për të "fryrë" në dukje shpenzimet e qeverisë për mbrojtjen, në mënyrë që t'i afrohen sa më shumë standardeve të NATO-s.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama