Duke folur në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kryeministrit Edi Rama tha sot se zhvillimi i një asambleje në Shqipëri është ëndërruar prej kohësh nga ish kryeministri Pandeli Majko, dhe tani për Majkon mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar: një bazë e NATO-s në Shqipëri.
Nuk është e qartë nëse kryeministri Rama ka dashur të bëjë një batutë për të falenderuar Zotin Majko për organizimin apo nëse donte të hapte një temë tjetër diskutimi për të shkëputur vëmendjen nga çështje të tjera më pak të këndëshme për t'u diskutuar. Por ajo që është e qartë është fakti se baza e NATO-s në Shqipëri është një "refren" i vjetër, i përdorur më parë nga ish kryeministri Berisha, pas tij nga ish kryeministri Majko, dhe që asnjëherë nuk është bërë realitet.
Aktualisht në rajonin e Ballkanit ka disa seli të NATO-s - në Prishtinë, Shkup dhe Sarajevë. Në Tiranë gjendet një zyrë,shumë herë më e vogël, me detyrën për të ndihmuar reformën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Përtej vlerësimeve gjeopolitike, në Shqipëri nuk janë kushtet natyrore dhe infrastruktura e nevojshme për realizimin e diçkaje më të rëndësishme, pra të një baze të vërtetë me trupa ushtarake dhe armatime. Për të realizuar këtë të fundit, nevojiten hapësira, porte, aeroporte dhe një infrastrukturë moderne transporti që do mund të përballonte trafikun ushtarak.
Ndoshta deklarata e kryeministrit Rama është thjesht një përpjekje për të kërkuar falje për mosrealizimin e angazhimeve dhe shpenzimeve ushtarakare që qeveria shqiptare duhet të realizonte pas nënshkrimit të marrëveshjeve me NATO-n.
Të vetmet veprime që qeveria ka parashikuar të bëjë në 2016-ën lidhur me mbrojtjen duket se janë vetëm në letra. Buxheti i miratuar i vitit 2016 parashikon transferimin e dyaseteve shumë të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes, të tilla si: Spitali Ushtarak në Laprakë- aktualisht nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe repartet e helikopterëve të Ministrisë së Brendshme dhe të Shëndetësisë. Këto veprime duket se po bëhen vetëm për të "fryrë" në dukje shpenzimet e qeverisë për mbrojtjen, në mënyrë që t'i afrohen sa më shumë standardeve të NATO-s.