"Një burrë i jashtëzakonshëm dhe një mik i rrallë", do të shprehej Montale në shtypin italian, lidhur me miqësinë e tij me piktorin Kodra.
Jo rrallë herë mediat kanë fokusuar foto nga prezenca e tij në ekspozitat e Kodrës, apo takimet që dy miqtë bënin në baret e njohura të kohës.
Janë gjithnjë ca njerëz që komentojnë kohën. Njerëz që besojnë në fjalë apo ngjyra, që ndajnë bashkë orë dhe ditë, mbrëmje të gjata deri në mëngjes. I tillë ishte dhe grupi "Oltre Guernica" i formuar në vitin 1945, ku Kodra ishte prezent.
I riu që vinte nga Ishmi i Durrësit në brigjet përtej Adriatikut, ruante përtej fizikut të tij pasionin e madh për të pikturuar. Për të piktura nuk ishte thjesht hedhja e ngjyrës në telajo, por rrëfimi përmes saj i një bote që është gjithnjë diku pranë nesh, i një bote që ai dinte ta shihte dhe ta vendoste në telajo në një mënyrë që gjithnjë do të binte në sy.
Gjithnjë vetëm. Kjo ishte zgjedhja që Kodra bëri në rrugëtimin e tij drejt artit, duke mos bërë asnjëherë paktin që bëjmë me "dashurinë". Pikturat e tij dinë të fshehin çdo ndjesi që burri me një fizik të bukur pati për femrat. Ato mbetën gjithnjë një botë tjetër brenda Kodrës, për të cilën ai nuk deshi të fliste shumë. Nuk tregoi se cila nga moria e pikturave që kishte realizuar i dedikohej një gruaje, apo cila prej tyre kishte lindur në kohën kur një grua ishte larguar prej tij.
Por ky ishte Kodra. Një njeri i bindur se "vetmia është motoja e artit të madh" dhe ashtu si Sartri besonte se "romantizmi pjell mençuri, ose ai është vetë mençuria".
Janë qindra artikuj të shkruar për Kodrën nga shtypi italian. Ndërsa në atdheun e tij komunizmi kishte ndërprerë çdo lidhje fizike me të, në vendin ku u vendos për të jetuar, Itali, ai kishte filluar të bëhej protagonisti kryesor i faqeve kulturore. Kritikët dhe figurat më të njohura të shtypit kulturor italian e kishin apartamentin e Kodrës si një vend ku mund ta shkonin në çdo kohë. Porta e madhe ishte gjithnjë hapur, ndërsa Kodrën e gjeje gjithnjë duke punuar.
Në një libër të quajtur "Kodra ditë pas dite", mund të gjejmë gjithë shkrimet që janë bërë për piktorin që kur nisi të ekspozohej për herë të parë. "Suksesi i rrallë i personazhit Kodra", shkruhet për të në vitin 1946. Në vitin 1947, Paul Eduart shkruan për të se "Kodra është një primitiv i një civilizimi të ri". Një vit më vonë Kodra takohet në Romë me Pikason. Piktori i madh kishte mbërritur në Itali për të marrë pjesë në një kongres për paqen. Pikturat e Kodrës do të tërhiqnin vëmendjen e Pikasos, që do të vinte re në to një stil të ngjashëm me pikturat e tij. Pas këtij takimi lidhjet mes tyre do të vijojnë të jenë më të shpeshta. Në vitin 1953 Kodra ekspozon me përfaqësuesit më të njohur të pikturës në ato vite si: Pikaso, Shagall, Matisse, Dufy…
Kjo ekspozitë mjaftonte që ai të shihej si një vlerë tashmë e konfirmuar e artit italian.
Por pavarësisht famës, ai mbeti një modest i pandreqshëm: i hapur ndaj miqësive dhe i përkushtuar tërësisht ndaj procesit të të pikturuarit.
Por çfarë ishte Shqipëria për Kodrën, në kohën kur ekspozonte përkrah emrave më të mëdhenj të artit figurativ dhe kur mediat e krahasonin me Pikason? "Gjatë pesëdhjetë viteve të punës sime artistike në Itali, dhe kudo tjetër, punova edhe për dinjitetin e vendit tim. Kjo rrethanë u konstatua dhe u pranua edhe nga kritikë italianë të artit si Alberto Kavalari, Carlo Bo etj", thotë Kodra në një intervistë dhënë kohë më parë.
Ai e quan komunizmin si një sistem fare të pakuptimtë. Dhe e kujton kohën kur jetonte në Shqipëri si një kohë që vlonte nga një gjallëri intelektuale tepër interesante.
Në komentet e bëra prej tij vëmë re një vlerësim të madh që ai ka për figurën e Aleksandër Moisiut.
Ai mendonte se Moisiu mbetet një nga interpretuesit më të fuqishëm të dramës shekspiriane. Është interesante lidhja që ruajnë me njëri-tjetrin personalitetet që i kanë dhënë vendit e që kanë jetuar jashtë. Në rrëfimet e Kodrës gjejmë vlerësimet e tij jo vetëm për Moisiun, por edhe për Fan Nolin, Zavalanin. "Janë një sërë personalitetesh të rëndësishme të kulturës shqiptare, që e dritësuan Shqipërinë duke jetuar e vepruar jashtë saj. Në mesin e tyre do të përmend Moisiun, Nolin, Zavalanin. Kjo ndodhi se ata shpirtërisht u lidhën fort me vendin e tyre, ndonëse fizikisht ishin jashtë tij. Ndryshe dihet sa luftoi populli shqiptar për të fituar lirinë e tij. Paralelisht me këtë luftë, bijtë e tij që ishin jashtë", thotë Kodra.
Në rrëfimet që ai ka dhënë në mediat italiane, gjejmë shumë grimca nga e shkuara. Kodra tregon se kur ishte në shkollë në Shqipëri pikturonte Skënderbeun apo atdhetarë të tjerë. Një ditë, një italian që kishte një dyqan, e thërret për të pikturuar. Rastësisht vjen prefekti i Durrësit dhe ai i bën një portret. Një nga personat e suitës së Mbretit Zog, kur e shikon këtë portret mahnitet nga mënyra e realizimit. Gjithçka do të marrë një tjetër rrjedhë në jetën e Kodrës, kur në Durrës vjen një artiste me famë botërore, Maria Denis. Një gazetar i thotë Kodrës në mund t‘i bënte një portret dhe i jep një fotografi të saj. Ai i realizon një portret, të veshur me një kostum popullor shqiptar.
"Shkuam së bashku dhe ia çuam në hotel ‘Internacional‘. Ajo ishte së bashku me konsullin italian në Shqipëri, Atomma Larusso. Ai më tha që duhet të shkosh të studiosh në Itali, sepse je një i ri me të ardhme. Mbas dy ditësh më erdhi një bursë studimi për në Itali", thotë Kodra.
Dita e tij e parë në Itali ishte në Bari. Në teatrin "Petricelli" i riu shqiptar do të hynte për të parë "Aidën". Më pas do të udhëtonte drejt Milanos, ku ndenji deri në ditët e fundit të jetës. Aty do të ndiqte Akademinë e Breshës për 4 vjet. Për Kodrën ka vlejtur shumë këshilla që i dha një profesoreshë, grua e moshuar. "Ibrahim, kur mbaron akademinë, je në mes të rrugës dhe për të arritur atë që kërkon duhet të punosh, duhet të bësh një punë tjetër, që të siguron të ardhura dhe të vazhdosh pikturën".
Por Kodra mundi t‘ia dilte dhe të realizonte ëndrrën që e struku thellë brenda vetes kur i hipi tragetit drejt Breshës, për të mos e parë më vendin e tij të lindjes për më shumë se gjysmë shekulli.
Me një stil krejt ndryshe në pikturë, dhe pse kritika e përkufizonte si kubist, ai i dha pikturës gjithë jetën e tij. Por çfarë mendonte Kodra për punët e tij, a ishin ato një rrjedhë e kubizmit?
"Kubizmi ishte shkolla më e mirë që lindi pas luftës dhe përballë abstraksionit që bazohet në dy dimensione, kubizmi bazohet në tri dimensione që sinjifikojnë praninë e imazheve. Njeriu me kohë bëhet i vetëdijshëm se është një kontakt i përditshëm me jetën për të cilën edhe është përgjegjës. Sot ka shkolla të tjera nga të cilat më pëlqen vetëm piktura vizuale, e cila sot gjendet në fazën e shterjes së kërkimeve të saj", thotë ai.
Arti i lënë pas nga Kodra, por dhe vetë jeta e tij vijojnë të mbeten zona ku hulumton shpesh kritika italiane. Për të njohur më mirë një artist, duhet të shohësh thellë brenda tij, ndaj dhe pse Kodrës i pëlqente të ruante për vete anën e tij private, një kritiku i duhet të depërtojë në të për të shpjeguar më qartë një punë. Kodrës i pëlqente t‘i shihte pikturat thjesht si gjendje të lira për të hyrë në mënyra të ndryshme te secili që përballej me to.
Nga Gazeta Shqip