Nuk dini nga t’ia filloni? Nuk keni asnjë ide dhe do të dëshironit të bënit diçka interesante, por pa gabuar? Atëherë ja disa këshilla si të keni sukses në kuzhinë, të gatuani pa u stresuar dhe të organizoni një mbrëmje të këndshme dhe argëtuese.
Për të përgatitur mirë dhe pa shumë mundim një darkë perfekte mes miqsh, gjëja e parë që duhet të keni parasysh është të mos përpiqeni shumë të bëni përshtypje te të ftuarit tuaj me pjata të mëdha dhe një mori gjellësh, kur ata e dinë që ju nuk gatuani dhe aq mirë. Fillimisht duhet të jeni të bindur se do t’iu vinë. Ndërsa imagjinoni se si do t’iu shkojë darka, përpiquni të shijoni nga ana vizuale çdo gatim që keni menduar të servirni atë natë. Zgjidhni gatime që janë të shijshme dhe më pas mendoni se si do të organizoheni për të gatuar gjithçka: supa mund të bëhet në çast, ëmbëlsirën mund ta blini në një ëmbëltore, po kështu edhe bukën, ndërkohë sallatën e keni përgatitur dhe e keni futur në frigorifer për t’u ftohur. Nëse dëshironi që darka të mos ju shkojë dëm, mund t’i pyesni miqtë për preferencat e tyre në ushqim.
E rëndësishme është edhe zgjedhja e antipastës. Duhet të jetë e shijshme, por jo e rëndë, të japë ndjesinë sikur jeni ngopur mjaftueshëm, dhe jo aq shumë sa të mos keni më fuqi për të ngrënë, madje duhet të prisni me kuriozitet dhe uri pjatat që do të vijnë më pas. Ideale do të ishte një brusketë e thjeshtë me domate dhe borzilok, ose një sallatë me perime të marinuara dhe bukë të thekur. Mos kini frikë që t’u ofroni të ftuarve tuaj pjata të cilat zakonisht konsiderohen “si banale”: edhe një pjatë makarona me një hudhër, vaj dhe spec mund të jetë një alternativë e vlefshme, sigurisht nëse i përgatisni me shumë kujdes dhe me ndonjë dekor të bukur, duke i bërë kështu vërtetë unike në llojin e tyre, edhe pse në fund të fundit mbetet një pjatë e thjeshtë (keni provuar ndonjëherë t’u shtonin salcën e makaronave një fileto sardeleje?).
Mos përdorni të njëjtët përbërës (çdo pjatë të gatuar me kërpudha), bëni kujdes edhe në mënyrën e servirjes së pjatave (edhe syri ka pjesën e vet në tavolinë), shtrimit të tavolinës dhe zgjedhjes së ngjyrave: në fillim duhet të ngopet syri, pastaj stomaku. Nëse nuk preferoni të ofroni një ëmbëlsirë të përgatitur nga duart tuaja ose të blerë në ëmbëltore, mund të zgjidhni si alternativë një tris djathërash, të shoqëruara ndoshta me feta buke. Ja disa shembuj: djathë gorgonzola dhe rrush (nuk do të ishte keq edhe ndonjë thelb arre për ta bërë më të shijshëm kombinimin), djathë dhie dhe kumbulla të thata, ose dardha (të pjekura, të bëra sallatë, ose me feta), mund të zgjidhni sipas dëshirës, por mos harroni që fruti më i ëmbël shoqërohet më shumë me djathërat e freskëta, si ai i dhisë ose ‘robiola’ i njomë.
Zgjedhja e pjatave do t’ju ndihmojë t’i jepni një emër mbrëmjes. Për shembull, mund të zgjidhni një “meny etnike”: indiane, marokene, greke ose tajlandeze. Ose e gjitha peshk, mish ose vegjetariane. Zgjidhni ushqimet sipas stinës. Nëse jeni në vjeshtë, është absurde që të mendoni të gatuani një pilaf me lëng pule dhe luleshtrydhe, ose të përgatisni flutura me pançetë (pakë), kunguj dhe djathë parmixhano në verë.
Një asortiment tjetër i rëndësishëm është edhe vera. Nuk ka rëndësi se çfarë keni gatuar: në shtëpinë tuaj duhet të ketë gjithmonë verë të kuqe dhe të bardhë, sepse shpeshherë të ftuarit zgjedhin në bazë të shijeve të tyre, pavarësisht asaj që keni gatuar dhe keni menduar ju se është kombinimi më i mirë. Gjithashtu, mos harroni ujin natyral dhe të gazuar, gjithashtu edhe shampanjën e athët dhe të ëmbël. Duhet të keni besim në vetvete dhe të jeni të sigurt për gjithçka: në rregullimin e shtëpisë, shtrimin e tavolinës, bërjen e pazarit, si dhe përgatitjen e ndonjë gatimi një ditë para, që të qëndrojë pa problem në frigorifer (supa ose torta). Duke e shmangur panikun e minutës së fundit, do të keni kohë edhe për truket e fundit.
Në fakt, të ftuarit janë hallka e parë e zinxhirit me të cilin lidhen të gjitha hallkat e tjera të lartpërmendura. Sugjerimet e fundit janë: mos ulni pranë njëri-tjetrit dy miq që janë shumë të turpshëm (mund të kenë vështirësi në hapjen e një bisede), ndërkohë që do të ishte perfekte zgjedhja e një të turpshmi në mes dhe dy llafazanë anash (është e sigurt se do të mbetej pa fjalë nga mënyra se si ata falsin). Në çdo rast nuk duhet të harroni se jeni ju, e sjellshme dhe gjithnjë e pranishme, shpirti i tavolinës dhe i mbrëmjes.