Si rrallëherë, "derbi" i fundjavës mes Lushnjës dhe Apolonisë do të luhet për qejf. Nuk ndodh shpesh, madje sezonet e fundit nuk ka precedent që "derbi" i Myzeqesë të zhvillohet vetëm për statistikë. Kështu do të ndodhë të shtunën kur dy prej ekipeve që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar do të përballen mes tyre në një "miqësore" ku asnjëra nuk ka objektiva.
Gjithashtu, duke ditur interesimin e tifozerive respektive për këto përballje, sfida e së shtunës duket se do të jetë shumë e vakët edhe në shkallët e stadiumit. Tifozeria lushnjare nuk ka pasur interes ndaj skuadrës gjatë këtij sezoni, në një kohë që edhe fierakët nuk kanë objektiva. Pritet ndoshta "derbi" më i vakët gjatë viteve të fundit. Statistikat - Lushnjarët vijnë në këtë "derbi" me Apoloninë pas pesë humbjeve radhazi.
Dy herë në "Roza Haxhiu" dhe dy herë në "Loni Papuçiu", në sezonin 2010- 2011 dhe në edicionin e sivjetëm, si dhe një humbje 0-3, në takimin "Play off", në fund të edicionit 2011-2012. Lushnja nuk fiton "derbin" me Apoloninë që nga 11 prilli i vitit 2009, kur të dyja skuadrat luanin në Superiore. Verdhejeshilët fitonin 2-1, me golat e Seksenit dhe Bubeqit, ndërsa për Apoloninë shënonte Dhrami. Në këtë mënyrë, duke qenë se skuadrat nuk kanë presionin e rezultatit, Lushnja do të synojë të vendosë nderin në vend dhe të fitojë "derbin" pas pesë humbjesh radhazi. Portieri Mikel Spaho, në lidhje me këtë takim, shprehet: "Jemi mundur dy herë këtë sezon nga Apolonia, ndaj në këtë ndeshje do të luajmë me synimin e vetëm për të marrë fitoren.
Ekipi po përgatitet për të zhvilluar një lojë të bukur dhe nuk e diskutojmë që duke luajtur me të gjitha mundësitë tona do të marrim fitoren. Është një ndeshje që premton dhe Lushnja pa asnjë diskutim që do të japë më të mirën e saj. Kërkojmë tri pikët për të ruajtur vendin e katërt dhe për të mundur një rival tradicional si Apolonia". Ndërkaq, te verdhejeshilët është rikthyer mesfushori Aldo Vodo, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen me Sopotin që e la jashtë për më shumë se katër muaj.
Përgatiti: ALBAN ALUSHI