Nje dite kushtuar babait te fillores

Nje dite kushtuar babait te fillores
Prof. Dr. Shefik Osmani ishte njëri ndër pedagogët e studiuesit e fushës së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, didakt e publicist i njohur, botues i sa e sa veprave nga praktika pedagogjike e metodike etj. Është autori i veprës unike, “Fjalori i Pedagogjisë”(1983), për të cilën është vlerësuar me çmimin “Çmimi i Republikës” dhe bashkautorë kryesor në veprën “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”.

Këto dhe të tjera fjalë u thanë dje për profesor Shefik Osmanin (1923-2012 Shkodër) nga miq dhe kolegë të tij. Në prag të 7 Marsit, u mbajt një konferencë shkencore për profesorin në Akademinë e Shkencave. Si rrallë-herë salla ishte mbushur plotë nga miq dhe dashamirës të tij. Disa nga referuesit ishin prof. dr. Musa Kraja me temën “Personaliteti shumëdimensional i profesor Shefik Osmanit”, prof. Mariana Sinani “Personi i prof. dr Shefik Osmanit në fushën e edukimit”, prof. dr. Hajrullah Koliqi “Shefik Osmani për traditën botërore dhe kombëtare të mendimit pedagogjik”, prof. Murat Gjokutaj “Rreth publicistikës së profesor Shefik Osmanit” etj. Prof. dr. Musa Kraja tha se në vatrën familjare të Shefik Osmanit gjejmë arsye për të mësuar mbi kulturën, për të mësuar për shqiptarizimin, për ndihmesën e tij në shkolla etj, prandaj e shikon më se të nevojshme një nderim të prof. dr. Shefik Osmanit.

“Shefik Osmani ka qenë drejtor i shkollave pedagogjike në Peshkopi, në Tiranë dhe në Shkodër. Është marrë me ushtrimet praktike që është bërë në këto shkolla. Ai ndalesën më të madhe e ka bërë tek fillorja. Prandaj dhe është quajtur mjeshtër dhe kryemjeshtër i saj, ose siç e kanë quajtur shumë mësues, si babai i shkollës fillore”, thotë prof, Kraja. 

Profesoreshë Mariana Sinani, referoi temën “Personaliteti i Shefik Osmanit në fushën e edukimit”. Sinani e konsideron profesor Shefikun si njeri të institucionit. Ajo thotë se “Ai ishte institucion, një institucion që i dha biografi dhe emër institucionit ku ka punuar Institutit të Studimeve Pedagogjike. Pra janë dy institucione që kanë ndarë biografi me njëri tjetrin ”. Për Sinanin, njohja e tij është e lidhur me substancën me qelizën me atë që është e djeshme në arsimimin tonë. “Ai kërkonte përtej së djeshmes. Ai në të sotmen kërkonte thellë në të djeshmen e vetë”.

Ajo që veçon prof, Mariana Sinani për prof. është kujtesa e fortë që ai kishte. “Ishte një njeri që mund ta quaj enciklopedi shëtitëse, sepse nëse i kërkoje një informacion nuk të thoshte prisni ta gjejë në dollap nr. e enciklopedisë për të gjetur këtë informacion, por e kishte përgjigjen gati”, kujton prof. Mariana. Një ndër botimet më të rëndësishme që nuk lë pa përmendur Sinani është “Fjalori i Pedagogjisë”.

Ajo e vlerëson profesorin si njeriun që  shkroi dhe punoi për ata njerëz që jepnim mësim përditë nëpër klasa. Vëmendje të veçantë  i ka kushtuar prof. Shefik Osmani, “Mësues i merituar”,  edhe  historikut të hartimit dhe botimit të abetareve për shkollat shqipe. Shkroi e publikoi disa punime të tij në këtë fushë, siç janë: “Abetarja shqipe e Anastas Kulluriotit”, “Abetarja shqip e Jani Tërrovës, e vitit 1887”, “Një abetare shqipe e vitit 1911” ose edhe: “Pellazgjika shqip, një abetare pak e njohur deri më sot”, “Vështrim historiko-pedagogjik rreth abetareve, me autor Sami Frashërin”, “Tri abetaret e Parashqevi Qiriazit” dhe më tej: “Abetaret e gjuhës shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi”, si dhe ato për diasporën shqiptare.

“Shefik Osmani ishte dhe një dashnor shumë i madh”, thotë Sinani. Sipas saj ai ishte një dashnor shumë i madh i letërsisë.  “Do të thoni ju çlidhje ka letërsia? Apo i kujt letërsie?” vazhdi më tej ajo. Ndërsa shton se ai ishte “dashnor” i asaj letërsie që ishte inspiruese për të gjithë brezin e tij. “Dhe unë për herë të parë substancën e Lahutës së Malësisë e kam marrë nga Shefik Osmani. Nuk e kisha marrë as shkollë, as në universitet. Nuk e kisha marrë nga prindërit dhe pse jam nga veriu, pro e mora nga profesori dhe a e dini pse, sepse profesor Shefiku i dinte të gjitha vargjet e Lahutës së Malësisë përmendsh dhe jo vetëm.

E kishte të gërmëzuar saqë ta sillte me të gjitha ngjyrat, me të gjithë tonalitetin dhe me të gjithë muzikalitetin që prodhohej në rreshta dhe mes rreshtave”, tha ajo. Sinani mendon se vetëm një njeri i dashuruar mund të mësojë kaq vargje përmendësh. “Të thuash për  profesorin se ishte një njeri i ditur është pak, por dhe të thuash se është një institucion është pak”, mendon Sinani.  Prof. Dr. Hajrullah Koliqi e kujtoi profesor Shefik Osmanin si një studiues të thellë dhe të pasionuar në fushën e historisë së arsimit dhe të pedagogjisë. Ai e krahasoi me studiues si Aleksandër Xhuvani, Kasem Bajrami etj.  Interesin e tij për historinë e pedagogjisë e shikoi të kahershme, madje këtë e dëshmon dhe “Fjalori i pedagogjisë” (1983).

Vend parësor zë në të gjitha etapat e historisë së pedagogjisë, kjo duket nga ndikimi i tij nëpër institucione dhe vepra. Në fushën arsimore veprat e prof. Shefikut shquhen për nivel të lartë shkencor, botimet e tij, kryesisht pas viteve 90, me përjashtim të “Fjalorit pedagogjik”, nuk kanë vuajtur nga kufizimet ideologjike. “Ai na udhëzon që të ecim në rrugën e qytetërimit pa iu shmangur geneve tona etnike. Veprat e tij historike-pedagogjike shquhen për terminologjinë, gjuhën dhe përqasjen ndaj ideve në etapa të ndryshme, shprehin lartë pasionin, gjuhën dhe punën e madhe të prof. Shefikut”. Sipas Koliqit qëndrimi i tij iluminist, dashuria e madhe për popullin e tij, bëjnë që ai të ketë shkuar në botën e amshueshme duke i siguruar vetes pavdekësinë, pasi shkenca e tij frymëzon. Prandaj vepra e tij do të ruhen gjatë dhe do të çmohen e njihen, jo vetëm sot, por edhe nga brezat pasardhës. Gjatë sesionit shkencor u promovua edhe një skicë “Portreti origjinal pedagogjik” i përgatitur nga profesor Musa Kraja.

Prof. Murat Gecaj “Publicistika prof. Shefik Osmanit”

Të shkruash e të flasësh për udhën e botimeve arsimore e pedagogjike dhe të autorëve të tyre, duhen faqe të tëra. Por, më shumë mund të lexonim për to, në veprën “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”(Tiranë, 2003). Ajo kishte redaktor përgjegjës, të ndjerin Prof. Bedri Dedja dhe prof. Shefik Osmanin, bashkautor.

Më 1 shtator 1961 nisi udhën e saj gazeta me emrin kuptimplotë  “Mësuesi” (tani, revistë, po me këtë emër). Në afër 52 vite të jetës së saj, ajo u bë  mjaft e dashur dhe e vyer për mësues e pedagogë, nxënës e studentë, për prindër e mbarë lexuesit shqiptarë. Me rastin e 40-vjetorit të botimit të kësaj gazete, në mesazhin e tij përshëndetës, ndër të tjera, kryeredaktori i parë i saj prof. Bedri Dedja shkruante: “Gazeta “Mësuesi” zgjoi aftësitë krijuese të dhjetëra mësuesve, gjer në fshatrat më të largët, të cilët nisën të bashkëpunojnë me endje me të…”. Në vazhdimësi, në  gazetën “Mësuesi” u caktua të punojë redaktor Shefik Osmani (Shkodër,1923-Tiranë, 21 korrik 2012). Ai e njihte nga afër jetën e shkollës sonë, të mësuesve e nxënësve dhe të prindërve. Prandaj në shkrimet, që redaktoi, por edhe në ata që publikoi me emrin e tij, gjatë asaj periudhe, u vërejt pjekuria dhe aftësitë profesionale të një drejtuesi, mësimdhënësi, pedagogu e didakti.

Një nga redaktorët e saj shkrimtari Viron Kona, kujton se: “Në dhjetëra takime me të, në zyrën e redaksisë së gazetës “Mësuesi” ose në kafe, duke shëtitur në këmbë ose në vizita në shtëpinë e tij, gjithnjë e pashë atë njeri, koleg e mik të mirë, që të lumturohej dhe të ngazëllehej, kur vinte biseda te arsimi dhe librat, te kultura kombëtare dhe vlerat e gjuhësisë shqiptare. Arsimi ishte motivi i tij udhëheqës e kryesor, deviza e jetës dhe e veprës së tij madhore.” Po të hedhim një vështrim në gazetat e kohës, si  “Drita”, “Bashkimi” e “Zëri i Rinisë” , “Rilindja Demokratike”, por dhe në gazeta të Kosovës  e Maqedonisë etj. dhe në revistat  tona: “Nëntori”, “Ylli”, “Shkenca dhe Jeta”, “Shqiptarja e Re”, “Studime historike” dhe “Kultura Popullore” , do të gjejmë shkrime e studime  të tij për ngjarje të shënuara arsimore dhe për figura të ndritura të arsimit, kulturës dhe shkencës sonë kombëtare. Ato e kanë zanafillën që në vitin 1940  e 1941 dhe vijojnë, pa ndërprerje, deri në vitin 2010, kur sëmundja e ndau atë përgjithnjë, nga puna dhe pasioni i veçantë për t’i shërbyer, me atdhetarizëm e përkushtim profesional, shkollës sonë amtare, arsimit kombëtar shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama