Nje dite ne vit per Bleonen Marteon Julianin

Nje dite ne vit per Bleonen, Marteon, Julianin

Fëmijët e zhdukur kujtohen një herë në vit. Organizatat e të drejtave të fëmijëve zhvilluan dje, në Ditën ndërkombëtare të fëmijëve të humbur një tubim para Ministrisë së Brendshme. “Ju përgjërohem, të gjithë së bashku të bëjmë të pamundurën. Këta fëmijë janë e ardhmja jonë dhe meritojnë si kushdo tjetër të jenë pranë familjes së tyre”. Kjo është thirrja e dëshpëruar e motrës së Marteo Bejajt, prej 3 vitesh i humbur.

 

Ajo kërkon që shteti të bëjë diçka për gjetjen e vëllait të saj. “I drejtohem ministrit të Brendshëm. Saimir Tahiri, i drejtohem kryeministrit Edi Rama, që të bëjnë të pamundurën për zbardhjen e këtyre çështjeve. Të hedhin dritë mbi fatin e këtyre fëmijëve të humbur. Përpos faktit për një Shqipëri të bukur dhe të zhvilluar, ne kemi nevojë për të afërmit tanë”, -thotë motra e Marteos. Në Ditën kombëtare të fëmijëve të humbur, linja kombëtare për këta fëmijë ka reaguar në një protestë përballë Ministrisë së Brendshme.

 

Kjo linjë raporton se çdo ditë, një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga shtëpia në Shqipëri. Arratisja apo largimi nga shtëpia e fëmijëve dhe adoleshentëve për disa orë në disa ditë është forma më e hapur e manifestimit të refuzimit që fëmijët në Shqipëri u bëjnë situatave familjare, dhunës, abuzimit dhe neglizhimit. Dje u kujtuan Bleona Mata, e cila ka 4 vite e zhdukur pa asnjë gjurmë, Julian Çela, 18 muaj i humbur, Mirjeta dhe Isa Matmuja, 6 vite të humbur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama