Deri në mesin e shekullit XVIII u shkruan disa drama, tragjedi dhe komedi, një pjesë e mirë e të cilave janë të njohura për studiuesit dhe publikun e gjerë, por, njëkohësisht, ka mjaft tituj të botuar nga fusha e dramaturgjisë, të cilët kanë mbetur nën pluhurin e harresës, përkundër faktit se si vlera janë në nivel me të tjerat, në mos më lart.
Në këtë kuadër është edhe drama në tri akte e botuar në Modena të Italisë në vitin 1737, e cila nuk shënohet në asnjë bibliografi të Gjergj Kastriot Skënderbeut, por as nuk përmendet fare nga studiuesit tanë e të huaj.
Në anën tjetër, përmendet një dramë tjetër, e botuar po në Modena të Italisë, në vitin 1770, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me dramën për të cilën ne po shkruajmë, pos ndoshta që është e ndikuar nga libri i viti 1737.
Drama nga viti 1737, me titull “Aleksandri zot i Shqipërisë. Vepër akademike për t’u shfaqur në Teatrin e Madh Dukal, në ditën shumë të lumtur të lindjes të shkëlqesisë së tij, princ të Modenës, hartuar, recituar dhe kushtuar madhërisë së tij, Rinaldos I, dukës së Modenës, Rexhios, Mirandolës etj. Nga zotërinjtë konviktorë të kolegjit të fisnikëve” (Titulli në origjinal italisht mund të lexohet tek ilustrimi i frontespicit që po botojmë) është në gjendje shumë të mirë. Ka kopertinë kartoni të fortë të kohës. Pas faqes së frontespicit, është një faqe boshe dhe menjëherë në shtatë faqet në vijim është argumenti. Në faqen tetë janë të shënuar personazhet e dramës dhe emrat e autorëve, të cilët kanë interpretuar këtë dramë. Teksti i dramës ka 47 faqe. Drama ka tri akte.
Akti parë, f. 1-9 ka si autorë Ottaviano Dodatin. Në f. 10 është kënga e parë, ndërsa në f. 11-19 është akti i dytë me autorë Giuseppe Pesentin; f. 20 është kënga e dytë, ndërsa në f. 21-33 është akti i tretë me autorë Francesco Magnanin, f. 34-35 është kënga e tretë dhe në f. 36-47 janë ballot për të tri aktet e dramës.
Pra, siç vërehet, drama është e shkruar nga tre autorë të ndryshëm, përkatësisht secili nga tre aktet e dramës ka autorin e tij.
Vepra “Aleksandri, zot i Shqipërisë”, siç mund të kuptohet edhe nga vetë titulli, ishte një aksion akademik për t’u paraqitur në teatrin e madh dukal në ditën e vitit të ri të sundimtarit, princit të Modenës, Rinaldos I, i cili ishte njëkohësisht dukë i Modenës, Reggio-s dhe Mirandolës. Kjo vepër u shkrua, u recitua dhe iu kushtua këtij sundimtari nga konviktorët e kolegjit të fisnikëve (signori convittori del collegio de’ nobili) në Modenë, dhe u botua në vitin 1737 nga Bartolomeo Soliani, botuesi dukal, me lejen e autoriteteve përkatëse.
Subjekti i veprës parashtrohet në formën e argumentit në pesë faqet e para të botimit. Për të kuptuar më mirë audiencën, të cilës i drejtohej kjo dramë dhe njohurive paraprake të saj në lidhje me Skënderbeun, po e sjellim të gjithë subjektin të përkthyer me besnikëri në shqip.
“Gjergji, zoti i Shqipërisë e më vonë mbret i Epirit, i dhënë peng nga i ati bashkë me tre vëllezërit e tij më të mëdhenj për paqe te Murati II, u bë zot i madh [Gransignore] i turqve. Duke parë te djaloshi një elegancë të mrekullueshme dhe një karakter luftëtari, ai e veçoi nga vëllezërit e tjerë dhe ashtu si djalin e tij e stërviti në ligjin muhamedan dhe në të gjitha artet kalorësiake. Duke parë pastaj gjithmonë e më shumë gjallërinë dhe shkathtësinë e tij në përdorimin e armëve, e gradoi në një moshë akoma të re, kur ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç si komandat të ushtrive të tij. Për shkak të fitoreve të sjella prej tij, ia ndryshoi emrin nga Gjergj në Skanderbe, që në gjuhën tonë do të thotë Aleksandër, emër me të cilin do të quhej gjithmonë më vonë për shkak të trimërisë së tij të pamposhtur.
Kur vdiq babai i tij [Skënderbeut], Murati pushtoi shtetet e Shqipërisë dhe pasi helmoi vëllezërit e Aleksandrit, i premtoi atij, që në momentin e përshtatshëm do ta rivendoste në principatat e tij, duke e mbajtur ndërkohë pranë vetes për ta përdorur për pushtime të tjera. Aleksandri, i tmerruar nga vdekja e vëllezërve dhe duke dalluar shpirtin jobesnik të otomanit, vendosi që të shpallte hapur fenë e vërtetë. U arratis me shumë zgjuarsi dhe mjeshtri nga duart e tiranit dhe me uniformë turke u fut në Krujë, kryeqytet i shteteve të tij, dhe vrau të gjithë turqit që kishin pushtuar tokat e tij. I goditur thellë në shpirt nga ky fakt, Murati II zemërohet dhe nuk mendohet gjatë për një hakmarrje të shpejtë, por dërgoi njërën pas tjetrës dy ushtri të mëdha për të sulmuar Krujën. Të dyja u shpartalluan nga Aleksandri i fortë dhe nga të dy gjeneralët e ushtrisë turke, njëri mbeti i vrarë dhe tjetri u zu rob. I sigurt se do t’ia dilte me planin e tij, Murati II shkoi vetë personalisht me 160 mijë ushtarë dhe me një numër të jashtëzakonshëm artilerie në atë rrethim [të Krujës, në vitin 1450]. Pasi e kishte provuar edhe me dredhi edhe me forcë, por pa sukses që ta pushtonte [Krujën], vdiq i pushtuar nga zemërimi dhe inati.”
Subjekti i dramës është ndërtuar mbi bazën e burimeve dokumentare të njohura të kohës dhe botimeve më të rëndësishme të autorëve eminentë, siç ishin: Odoricus Raynaldus (1646); Abraham Bzovius (1627), Henricus Spondanus (1641), Ioannes Leunclavius (1588), Paolo Giovio (1531) dhe Giovanno Sagredo (1673) që do të thotë se drama kërkon t’u mbetet besnike të vërtetave historike që njiheshin në atë kohë për Skënderbeun.
Shënimet për autorët e cituar i gjejmë në f. 7 të dramës. Megjithatë, siç do ta shohim më poshtë nga zgjedhja e emrave të personazheve dhe nga sfondi skenik në të cilën zhvillohen ngjarjet, bëhet një aludim i qartë për një lidhje të drejtpërdrejtë midis Skënderbeut dhe Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, gjë që autorët kanë arritur me mjaft mjeshtri ta realizojnë.
Personazhet kryesore në këtë dramë janë Aleksandri, zoti i Shqipërisë, Murati, perandori i turqve (sulltani), Araniti, Spani, princër në Shqipëri, Ernesti, gjeneral i Aleksandrit, Osman aga, Selimi, ambasadori i Muratit dhe i burgosuri Ahmet pasha. Skena zhvillohet në një fushë mes dy ushtrive të Aleksandrit dhe të Muratit.
Lidhja me antikitetin bëhet nëpërmjet Hënës, e cila mbizotëron skenën para lojës së aktorëve. Skena përshkruhet në detaje në botim duke shpjeguar kuptimin e Hënës në të dhe në të njëjtën kohë duke aluduar për Aleksandrin e Madh. Në antikitet, me tri figura të ndryshme njihej Perëndesha Ekate, ose Hëna, në varësi të zonave të ndryshme në të cilat ajo jetonte dhe me tre emra e dallonin atë: Proserpina në ferr, Çintia në qiell dhe Diana në tokë. Tri kërcimet e para në skenë u referohen këtyre tre figurave, duke pritur në adhurim që kësaj perëndeshe të ëndërruar t’i përulen edhe turqit e paraqitur në këtë aksion. Në të parin kërcim, në një fushë plot me gjemba, në mes të të cilës është një mal me kratere gati për t’u hapur, paraqitet froni i Proserpinës, që adhurohet nga katër bujq dhe gra të tjera që herë mbledhin lule e herë ngjiten në mal. Kur krateri tymues i malit hapet, gratë largohen duke vrapuar, sepse që andej del Plutoni me suitën e tij dhe rrëmben Proserpinën, i cili pastaj feston bashkë me suitën e tij për rrëmbimin e suksesshëm.
Pas kësaj paraqitje skenike del në skenë Aleksandri, Araniti dhe Spani, të cilët diskutojnë me njëri-tjetrin për vlerat në luftë e në fitore dhe nga dialogu i tyre mësojmë të gjithë kontekstin historik në të cilën është vendosur drama.
Aleksandri fillon i pari me dialogun e tij, dhe që në fillim autorët vënë në gojë të Aleksandrit vargje të tilla plot adhurim për grekët e lashtë:
“Se dal valor vien la vittoria, o Prenci,
Ell’è per noi decisa, han vinto i Greci”
Nga goja e Aleksandrit mësojmë të gjithë kontekstin historik në të cilën zhvillohen ngjarjet e dramës: Murati do të kthehet me ushtri dhe do të tentojë të pushtojë Epirin dhe Arbërinë. Këto dy të fundit në gojën e tij dalin si dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Po kështu, Aleksandri thekson vendin e veçantë që zë “la costante mia Croja” në zemrën e tij, dashuri kjo që do të vihet në sprovë në kulmin e kësaj drame.
Nga goja e Aranitit dëgjuesit njihen më mirë me forcën dhe karakterin e Aleksandrit, sepse ai i drejtohet plot lëvdata dhe këshilla Aleksandrit, duke i rikujtuar ligësinë e Muratit dhe natyrën e tij mashtruese. Me pak fjalë, ai e përgatit dëgjuesin/lexuesin e vëmendshëm edhe për skenarin e dramës, por pa zbuluar atë që do të përbëjë kulmin e saj. Në gojën e Spanit, autorët e dramës kanë vënë sukseset e turqve dhe e paralajmëron Skënderbeun për fuqinë e madhe të turqve, të cilët kanë pushtuar Afrikën, Azinë dhe madje edhe Europën po të mos ishte Aleksandri.
Ndërkohë që këto personazhe zbulojnë jo vetëm kontekstin historik të dramës, por edhe anën personale të saj, kur Araniti merr vesh që turqit kanë sulmuar Serbinë dhe që Irena, vajza e tij dhe gruaja e ardhshme e Aleksandrit, mund të ketë rënë robinë në duart e Muratit. Ndryshimi i emrit të gruas së Skënderbeut nga Donika në Irena mendojmë se është bërë me qëllim, për arsye stilistike, për të treguar që në fund të fundit kjo dramë është një krijim artistik dhe që në planin personal nuk i qëndron besnike realitetit të dokumentuar. Një mesazh i tillë është i rëndësishëm për të mos lënë vend për konfuzion në lidhje me robërinë e gruas së Skënderbeut.
Nëpërmjet ambasadorit Selim të sulltanit, organizohet një takim i Muratit me Skënderbeun, dialogu mes të cilëve zhvillohet në pjesën e dytë të dramës, ose në të ashtuquajturin ‘aksion të dytë’.
Pjesa e dytë hapet me një dialog midis Ernestit, gjeneralit të Aleksandrit dhe Ahmetit, komandantit të burgosur të Muratit, dhe në këtë dialog lajmërohet ardhja e Muratit dhe humbja e ushtrive të tij të mëparshme. Nga goja e Ahmetit del një valë akuzash për Muratin, gjë që krijon një urrejtje të skajshme për të, parë edhe nga këndvështrimi i njerëzve të tij:
“Ma il feroce Amurat si non ragiona,
Uomo di sangue amante, e violento”
Pasi futen në skenë Aleksandri, Murati, Araniti, Spani dhe Osmani, fillon të rritet tensioni dramatik. Fillimisht Aleksandri bën një gjest kalorësiak duke shpëtuar Ahmetin nga shpata e Muratit, që i zemëruar për disfatën e komandantit të tij kërkon ta vrasë atë në prani të të gjithëve, duke shprehur përçmim për ata që humbin, si dhe duke i trajtuar vartësit e tij si objekte pa vlerë. Pas kësaj, Murati i kujton Aleksandrit fuqinë e madhe të perandorisë së tij, dhe që ai sundon gjithë ‘Qiellin’: Europën, Afrikën dhe Azinë, dhe i ofron Aleksandrit që të kthehet tek ai e të zërë përsëri vend mes sundimtarëve të tij. Ai i rrëfen dashurinë e madhe që ushqen për Aleksandrin, duke i kujtuar atij që e ka rritur dhe edukuar si djalin e tij, dhe që ka pasur për të plane po kaq të mëdha sa për djalin e tij. Pastaj i ankohet që Aleksandri është treguar i pabesë dhe i është kthyer në armikun më të rreptë. Kur Aleksandri i kujton të gjitha vrasjet që ka bërë, e ndër to edhe atë të vëllezërve të tij, Murati justifikohet që të gjitha janë bërë për hir të pushtetit, madje edhe ajo e vëllezërve të tij është bërë për t’i siguruar pushtet Aleksandrit:
“I tuoi prima di te nati Fratelli
Su te dovean regnar: con lor lo stile
Seguji degli Octoman: con la lor morte
Dell’Albania ti fei Signor, al primo
Di lor dovuta: ingrato! Sol per farti
Regnar gli uccisi...”
Aleksandri i përgjigjet që më mirë do të kishte preferuar skllavërinë sesa vdekjen e njerëzve të tij, dhe me moralin që shpreh ngrihet në rangun e kalorësit europian:
“A noi non piace di regnar con colpa,
ne sopra il sangue altrui di gire al trono,
Questa la gloria sia degli Ottomani,
E di chi siegue l’arabi Impostore.”
Pas një debati të gjatë e plot me fyerje nga ana e Muratit, ku megjithatë Murati e sheh që Aleksandri nuk ka ndërmend të lëshojë pe e të pranojë privilegjet e ofruara nga ana e tij, autorët e rrisin dramacitetin e veprës me anë të një shantazhi nga ana e Muratit: Nëse nuk dorëzon Krujën, do të vrasë Irenën, i pohon ai tërë inat.
“Qual più cara ti sia Croja, od Irene”
Skena mbyllet me personazhe dhe valle të kërcyera nga tragjeditë e Euripidit: Ifigjeninë, Orestin te tempulli me altarin e Dianës, Piladi që e shpëton Orestin në momentin kur Ifigjenia kishte ngritur dorën për ta vrarë vëllain e saj që nuk e njihte.
Pjesa e tretë hapet me ankthin e fisnikëve shqiptarë: Aranitit, Spanit dhe Aleksandrit për vendimin që duhet të marrë Aleksandri. Araniti, babai i Irenës, vendos më në fund që më mirë të sakrifikohet Irena sesa Aleksandri dhe Kruja, duke i kërkuar që të marrë hak për Irenën:
“Ella morrà più lieta, e più contenta
In pensar, che tu vivi, e che un dì puoi
Far sua vendetta...”
Po kështu, edhe Spani i thotë që vetëm ai, Aleksandri, mund ta shpëtojë Shqipërinë, dhe ta mbrojë të gjithë Europën, kështu që nuk duhet ta sakrifikojë veten.
Provokimit të Muratit, për Aleksandrin, se cila kishte më shumë peshë brenda zemrës së tij, mbretëria apo dashuria, Kruja apo Irena
“Quale centro al tuo core abbia più forza
Se il Regno, o pur l’amor, se Croja, o Irene”
Araniti i përgjigjet me shumë forcë, që lavdia është e para “La gloria è il primo” dhe që vajza e tij nuk ishte akoma gruaja e Aleksandrit, e për këtë ai nuk duhet të ndihej i detyruar për ta shpëtuar atë. Përkundër këshillave të fisnikëve shqiptarë, Aleksandri vendos që të dorëzohet te Murati, me qëllim që të shpëtojë edhe Irenën edhe Krujën, sipas një marrëveshje të bërë me sulltanin osman. Menjëherë pas kësaj është një veprim shumë dramatik, kur Murati pranon që Skënderbeu ishte për të më i rëndësishëm se Kruja dhe se Irena:
“...Più di Croja, e Irene
Tu mi sei caro...”
Ndërkohë që Ahmeti tenton të vrasë Muratin, dhe Aleksandri shfaq një tjetër gjest kalorësiak, duke e shpëtuar Muratin nga shpata e Ahmetit, Ernesti lajmëron që Irena është liruar dhe që është e sigurt brenda mureve të Krujës. Në të njëjtën kohë vjen edhe lajmi që Roma i ka dërguar Aleksandrit skeptrin, diademën dhe titullin e madh e të shenjtë të mbretit të Epirit. Për Muratin, të gjitha këto lajme janë një goditje e padurueshme që i shkaktojnë vdekje të menjëhershme.
Duke qenë se kjo dramë është kompozuar për dukën e Modenës, Reggio-s dhe të Mirandolës, nga konviktorët e kolegjit të fisnikëve, të gjithë aktorët që marrin pjesë në luajtjen e saj janë fisnikë, gjë që vihet re edhe nga titujt që mbajnë dhe ata janë pjesëtarë të rretheve të larta kulturore dhe intelektuale të kohës.
Emrat e aktorëve që kanë luajtur në këtë dramë i gjejmë të shënuar në faqen 8 të librit dhe janë:
Francesco Giusepe Magnani Modenese principe di Lettere, e Decano del Collegio - në rolin e Aleksandrit (përkatësisht Skënderbeut);
Francesco Marescalchi Bolognese Accademico di Lettere, e d’Armi – në rolin e Muratit (Imperadore de’ Turchi);
Giammaria Riminaldo Ferrarese, Accademia di Lettere – në rolin e Aranitit;
Alessandro Lupi Bergamasco, Accademia di Lettere – në rolin Spanit;
D. Carlo Leonardi Navarese – në rolin e Ernestit (Gjeneral i Aleksandrit);
Giuseppe Calori Modenese – në rolin e Osmanit (Agà de’ Giannizzeri);
Giovanni Zameccari Bolognese – në rolin e Selimit (ambasador i Muratit);
Marchese Gaetano Meli Lupi di Soragna Parmigiano N. V. – në rolin e Ahmetit (Bassà i burgosur).
Pra, siç vërehet, janë tetë aktorë që vijnë nga gjashtë qytete të ndryshme italiane, respektivisht janë dy aktorë nga Modena, dy nga Bolonja dhe një aktor nga Ferrara, një nga Bergamo, një nga Novara dhe një nga Parma.
Publiku, siç mund të merret lehtë me mend, ka qenë i zgjedhur nga shtresat më të larta të Modenës, Reggio-s dhe të Mirandolës.