Në këtë libër të ri të gazetares Mimoza Kelmendi, shkrimtari hap një dritare të vockël për të parë diçka jo në studion e tij (këtë na e ka dhuruar bujarisht në "Ftesë në studio"), por në brendësinë e jetës së tij. Mimoza Cika-Kelmendi, e ka ruajtur fjalën e Ismail Kadaresë bisedë pas bisede dhe tani na ofron një libër që mund të quhej "Shqipëria në 20 vjet në vështrimin e Kadaresë". Libri është ndryshe prej bashkëbisedimeve akademike me Alain Bosquet ("Dialog me Alain Bosquet"), Denis Fernandez Rècatala ("Kohë barbare: nga Shqipëria në Kosovë"), me Ukshin Hotin ("Bisedë përmes hekurash") apo me Stephane Courtois (La vérité des souterrains").
Është ndryshe sepse thjesht është shqiptuar, nuk ka dalë nga ndonjë laborator. Është ndryshe sepse "Kadare ndryshe" provon se fjalët fluturojnë kur s‘kanë ç‘thonë. Ndryshe ato mbeten dhe bëhen libra, dhe kështu plotësojnë jo vetëm qëllimet profesionale të një gazetari, por edhe profilin e shkrimtarit.