Prej disa ditësh, tregtarët e ish-Uzinës “Dinamo” protestojnë, pasi janë urdhëruar të zhvendosen në Kashar. Kanë protestuar fillimisht në mjediset e tyre, pastaj kanë vazhduar në qytet para Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkisë. Kanë protestuar ndaj ministrit Panariti dhe paradoksalisht pro kryeministrit Edi Rama, por duket se askush nuk i dëgjon më...Akuzojnë se po zhvendosen, në mënyrë që aty të ndërtohet. Po a është e vërtetë kjo? Koha do ta tregojë...
Dy ditë më parë, tregtarët e ish-Uzinës “Dinamo”, duke shfrytëzuar seancën e radhës së Parlamentit u shfaqën para deputetëve duke protestuar. Askush nuk i dëgjoi.
Më datën 15 korrik, një vendim i Task-Forcë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe AKU, bëri të mbyllej përfundimisht tregu tek ish-uzina “Dinamo” dhe ai në rrugën “Hamdi Pepa”. Që këtej e tutje, tregtarët do detyrohen të shkojnë në Kashar, në tregun e ri, jashtë vijës së verdhë të qytetit. Për hir të së vërtetës, kaosi urban dhe problemet e tjera që krijoheshin aty, në një farë mënyre e justifikojnë krejtësisht vendimin. Por, problemi, gjithnjë s’ka vetëm një anë. Në rastin tonë, ekuacioni ka disa të panjohura dhe ajo e cila nuk shkon dhe përbën një shqetësim është masa e madhe e familjeve, që ushqehen me këto biznese. “Të paktën të na linin të mbyllnim kontratat dhe pastaj të procedonin, por jo në këtë mënyrë”, thotë dikush. E habitshme është fakti, se nëse, problemi i tyre ka qenë kaq akut, pse u është premtuar të vazhdojnë të bëjnë investime. Zyrtarët fshehin kokën si struci. Ky është paradoksi më i madh dhe pabesia ndaj tyre.
Ndaj, ata, me parullat e ndryshme, por që në qendër me më kryesorin “Mos e mbyllni tregun” kanë disa ditë, javë, që paraqiten dhe protestojnë para institucioneve të shtetit shqiptar, pa asnjë përgjigje. Si rradhë herë, vendimi ndaj tyre është dhënë nga prefekti dhe nga Bashkia në unison, për t’i zhvendosur në tregun e ri në Kashar. Dy krahët e kundërta janë bashkuar. Po vallë sepse tregtarët vërtetë punojnë në kushte të këqia? Jo. Apo dikush do ndërtojë?! Në media janë aluduar për raste të tilla. Kjo e bën më pa rrugëzgjidhje problemin e tyre. Kështuqë, tregtarët tek ish-Uzina Dinamo e kanë pritur me bllokime e protesta, vendimin e marrë nga Task Forca e posaçme e Bashkisë Tiranë dhe Prefekturës, për mbylljen e tij. Në ditët e para, tregtarët e bllokuan udhën me kazanë plehrash dhe mjete të tjera në hyrje të tregut. Donin të jepnin një mesazh, duke e bllokuar fillimisht për rreth 1 orë në mëngjes. Policia e pranoi sfidën dhe pastaj hyri në bisedime me ta, por me tendencën për të rregulluar rëndimin e madh të trafikut.
Megjithatë, është e kuptueshme se policia është në krye të udhës, dhe tregtarët, problemin e tyre të madh e kanë tashmë pasi të gjithë instrumentet e shtetit janë kundër tyre.
Referuar tregtarëve, vendimi po merret për interesa të individëve në kurriz të plotë të punës që mban 5 mijë familje. Në të gjitha protestat kanë qenë veç tregtarëve dhe familjarë të tyre deri edhe fëmijë. Në parullat e ndryshme, ata akuzojnë shtetin, veçanërisht ministrin Panariti, ndërsa kanë brohoritur për kryeministrin Edi Rama.
Në një peticion, që kanë firmosur kundër mbylljes së tregut, ata ishin jo vetëm kundër vendimit të Task-Forcës së ngritur nga Prefektura dhe Bashkia e Tiranës, por kanë kërkuar dhe mostjetërsimin e mjedisit ku kanë derdhur para, si edhe kanë kërkuar të bëhen transparente planet që disa burokratë dhe segmente institucionesh kanë bërë në fshehtësi “për të përfituar padrejtësisht oligarkë apo ndërtues të fshehur pas idesë se: kur boshatiset një treg, sheshet e tij bëhen lakmi për ndërtues apo uzurpues të mëdhenj”. Ata kanë kërkuar që në tregun e Kasharit të futen fillimit tregtarët ambulantë të trotuarëve dhe bulevardeve të qytetit “të cilët janë pamja më e keqe dhe më e pameritueshme për tregtinë qytetëse në Tiranë dhe që i jep kryeqytetit tonë imazhin e getos”. Më poshtë kanë vijuar: “Të merren në konsideratë kërkesat zyrtare, të argumentuara dhe të dokumentuara që kemi përcjellë pranë autoriteteve ligjore dhe atyre institucionale, në të cilat argumentojnë se pse ky treg është i vlefshëm për interesin publik dhe shërbimin ndaj qytetarëve”.
Prefekti Sadi Vorpsi dhe ministri Panariti mbeten figurat më të përfolura për protestuesit, pasi sipas tyre, pas të gjithë gjërave, fshihen interesa për truallin, sepse po kërkohet të ndërtohen pallate në zonën e tregut dhe nuk ka të bëjë me çështjen e higjienës.
Vetëm pak ditë më parë, duket se protesta u fashit pasi disa deputetë të Partisë Socialiste u premtuan se do të rishikohej vendimi i marrë. Por, asgjë. “Deputetët e shumicës së majtë na kanë konfirmuar se po nisin përpjekjet për rishikimin e vendimit për mbylljen e dy tregjeve më të mëdha në Tiranë dhe marrjen në konsideratë të kërkesës sonë. Jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha investimet për higjienën dhe kujdesin shëndetësor në mjedis”, konfirmuan burime të tyre.
Problematika e paraqitur nga shteti
Është krejtësisht e vërtetë, sipas burimeve të shtetit, që nuk mund të punohet kështu. Shqetësimi ka kohë që është ngritur, por për tregtarët gjithçka është e paragjykuar sepse pretendojnë që në gjendje më të mjerë janë plot e plot tregje të tjera në Tiranë. Prefekti i Qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi, është shprehur se: Sipas tij gjendja në këto tregje është e papranueshme. “Ashtu siç e pamë të gjithë, nëpërmjet relacioneve të ardhura pranë institucionit të Prefektit të Qarkut të Tiranës, u vu re se nga kontrolli i ushtruar pranë tregjeve të Ish-Uzinës Dinamo, por edhe në tregun e rrugës “Hamdi Pepa”, gjendja është e papranueshme duke sjellë një sërë problematikash për cilësinë e shëndetit të qytetarëve. Është vënë re se shitja në dyqane realizohet me mangësi të theksuara në struktura, shitja bëhet në ambiente të hapura, ka mungesë të theksuar shoqëruese të produkteve ushqimore, mungesë totale të kushteve higjieno-sanitare. Në tregun “Hamdi Pepa” shumica e objekteve janë kioska shitjeje të cilat nuk realizojnë kushtet minimale për tregtim të produkteve ushqimore, të cilat mund të sjellin ndotje dhe epidemi të ndryshme për qytetarët, por edhe paralizojnë segmente kryesore të qarkullimit të transportit publik dhe urgjencave të Kryeqytetit. Shumë shpesh në këto tregje lulëzon shkelja e ligjshmërisë fiskale të cilat janë një sfidë e hapur e punës së Institucioneve të administratës shtetërore. Për të gjithë këto parregullsi, e për të vendosur standardet bashkëkohore që meritojmë të gjithë së bashku si përfaqësues të qeverisë vendore e qendrore, por mbi të gjitha si qytetarë të thjeshtë, jam dakord me propozimet tuaja për të dalë sot nga kjo mbledhje me një vendim të përbashkët për mbylljen e këtyre tregjeve. Duke ju falënderuar edhe njëherë, do të doja të vlerësoja maksimalisht mbështetjen dhe bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës, në grupin e kësaj Task – Force si shembullin më të mirë të bashkëpunimit të nivelit vendor me atë qendror”, tha Vorpsi në fjalën e tij.
Paradoksi
Por ndërsa te “Hamdi Pepa”, gjëndja s’është njësoj te ish-Uzina. Në Pazarin e ish-uzinës Dinamo janë të punësuar kryesisht biznesmenë tiranas, në zonën afër vendit tek Medreseja dhe me radhë. Janë rreth 2 milionë euro investime, përmendej nga media në këtë vend. Bashkia me ardhjen e Lulëzim Bashës përdori një gjuhë të ashpër ndaj tyre. Fillimisht u akuzuan për mungesë kushtesh, por ata e kaluan këtë barrierë me investime plus. U akuzuan sërish por këtë herë për higjienë, gjë të cilën ata e riparuan dhe pastaj u krijua problem i cianurit që ishte i groposur. Edhe kjo u eliminua. Problematika nuk përfundoi këtu. Në këtë kohë, u hap tregu tjetër po askush nuk shkonte atje. Pak a shumë u kuptua se qëllimi kish qenë komplet tjetër. Duhej që ata të zhvendoseshin. Do ishte e thjeshtë deri këtu, sikur problemi të kish vetëm Bashkinë, por duket se në llogari kanë hyrë edhe pjesëtarë të koalicionit qeverisës. Gjithsesi, shqetësimi tjetër, ishte se kushtet që kishin krijuar janë shumë më të mira se tregu i Pazarit të Ri, apo i Siri Kodrës e me rradhë dhe kushdo e shikon qartë.
E mbi të gjitha, koha e limituar dhe shtrenjtësia që u duhet për t’u transferuar në një treg që është vërtetë shumë larg për ta. Barazia e tregjeve, por edhe elementë të tjerë që janë bazike në biznes këtu jo vetëm nuk janë respektuar, por më shumë se kaq janë përdorur keqani, kundër një komuniteti të tërë. Ndaj, është e justifikuar revolta e tyre.
Kthim pas ose Udhëzimi&Kriteret
Në rregullat e reja, caktuar nga Ministria e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për vendndodhjen dhe kushtet e tjera të tregjeve të shitjes me shumicë, kriter kryesor është distanca e tregjeve me zonat e banuara. Në pikën e parë të këtij udhëzimi përcaktohet se tregjet agro-ushqimore duhet të kenë një distancë prej 500 metrash nga vija e verdhë e qytetit. I fundit, udhëzimi nr.11, datë 2.7.2014, firmosur nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, përcakton se tregjet e produkteve agro-ushqimore me shumicë duhet të plotësojnë këto kritere: të jenë jashtë vijës së verdhë të qyteteve në një distancë jo më afër se 500 m nga vija e verdhë; me distancë jo më pak se 500 m nga zona të miratuara për banim ose pushim; brenda zonave të miratuara për ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të produkteve agroushqimore me shumicë, të përcaktuara në këtë udhëzim; pranë rrugëve kryesore dhe lehtësisht i aksesueshëm; jo më pak se 1 kilometër larg zonave të kontaminuara ose ndotje mjedisore, si fabrika që prodhojnë ose gjenerojnë mbetje të dëmshme për shëndetin, mbetje kimike etj.; duhet të kenë 2 porta, hyrëse dhe dalëse; numri i magazinave brenda stabilimentit të jetë jo më pak se 10 (dhjetë); të ketë ambiente frigoriferike; të ketë ambiente të veçanta për punonjësit; objekti të jetë i rrethuar, të jetë i pajisur 24 orë me ujë dhe energji elektrike. Në pikën dy të udhëzimit, përcaktohet se për zbatimin e tij ngarkohet Drejtoria e Prodhimit Bujqësor dhe Politikave Tregtare dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Dhe se ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.
...
Kjo ishte arsyeja që prej këtij udhëzimi, grupi-task forcë i ngritur për sigurinë ushqimore në Tiranë, e prefekti Sadi Vorpsi ka firmosur urdhrin për mbylljen e dy tregjeve, atij tek Uzina “Dinamo” dhe tregut në rrugën “Hamdi Pepa”. Por a ka prapavijë tjetër? Koha do ta provojë shumë shpejt! Dhe, ajo nuk gënjen kurrë...