Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç mirëpriti sot në Beograd homologun e tij shqiptar, Edi Rama. Kjo është vizita e parë zyrtare e nivelit më të lartë, që një kryeministër shqiptar kryen pas 68 vjetësh, që nga vizita e Enver Hoxhës.
Sipas zyrës së qeverisë serbe për marrëdhëniet me mediat, programi i vizitës parashikon një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave, më pas nënshkrim të marrëveshjeve, të cilat ende nuk janë specifikuar, dhe në fund deklarata për mediet.
Vuçiç dhe Rama ranë dakord më 19 tetor, në një intervistë telefonike, që vizita zyrtare e kryeministrit shqiptar që ishte planifikuar fillimisht për në 22 tetor, të shtyhet për në 10 nëntor. Për shtyrjen e kësaj vizite, u bë shkak një incident në ndeshjen mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë, më 15 shtator në Beograd. Përmes deklaratave, të dy kryeministrat u shprehën të pakënaqur, për incidentin në stadium gjatë ndeshjes.
"Ka mosmarrëveshje të qarta në lidhje me mënyrën se si ka ndodhur incidenti, por ne nuk duhet, dhe nuk do të humbasim mundësinë për t’u takuar dhe punuar për ruajtjen e stabilitetit rajonal", theksuan homologët. "Është koha për të kthyer një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Serbisë dhe Shqipërisë”, theksojnë kryeministrat.