Gjë që nuk u bë." Shkrimtari Agron Tufa, pedagog i Letërsisë së Huaj të Shekullit të Njëzetë në ligjëratën e tij mbajtur në konferencën mbi letërsinë shqiptare dhe realizmin socialist, organizuar nga Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Tiranës, pohon: komunikimi i teksteve të asaj letërsie me lexuesin e sotëm ka vdekur, por studimi "i kufomës" duhet bërë patjetër.
Ju e quani të pafalshme kohën që ka rrjedhur pa e hapur një diskutim shkencor mbi realizmin socialist. Çfarë është bërë pengesë?
Në mënyrë të organizuar nuk ka ndodhur asnjëherë që të merret në shqyrtim trashëgimia. Një trashëgimi letrare gjigante që përfshin gjysmë shekulli, qasja ndaj të cilës është vetëm një prelud që do të duhet të paktën të çelet si seri studimore. Është e turpshme që shpesh përfytyrimi, interpretimi dhe mënyra e postimit të kësaj letërsie bëhet pa i quajtur gjërat me emrin e duhur.
ocrealistët më të hatashëm, njihen si poeti i tokës, poeti i dashurisë, poeti i ndjenjës mbarënjerëzore, i vëllazërisë. E pra, me epitete të tilla, askund nuk shkojmë.
Në Shqipëri letërsia e realizmit socialist, një praktikë e detyrueshme në Bashkimin Sovjetik që në vitet tridhjetë, s'arrin të bëhet realiste në formë. Studiuesi Sabri Hamiti e pohoi këtë. Sabri Hamiti ka bërë një nga pohimet më madhështore për mua, dhe unë ndihem i ngazëllyer që e dëgjoj këtë gjë.
Sepse realizëm të pastruar, në atë kuptim që ka vetë termi, që shënjon një trashëgimi të caktuar nga epoka e formësimit estetik, nuk ekziston në letërsinë shqipe të kësaj metode.
Po as socialiste në përmbajtje?
Edhe realizmi edhe socialist është një bashkim oksimoron që e kundërshtojnë njëra-tjetrën ose të paktën nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Unë besoj se është aspak realizëm dhe sidomos socialist: aspak art, aspak realist dhe sidomos socialist. Të paktën unë këtë gjë kam formuluar në ligjëratën time.
Atëherë çfarë ndryshimi ndodhi me importimin e zhdanovizmit?
Në ligjëratën time ndalem pikërisht te karakterizimi teorik i dogmës, te mënyra si është importuar, imponuar dhe se si kjo dogmë ka shtegtuar në të gjitha vendet e Lindjes dhe është ngulitur në mënyrën më refraktare dhe më ortodokse, jo si teori, por si sherr në Shqipëri.
Soc-realizmi që na vjen nga formimi teorik i aplikuar në romanet e epikës në Bashkimin Sovjetik në vitet '20-'30, romane të një heroike mitologjike, ku "druvari i hekurt" i socializmit, mutandi gjenetik i heroit pozitiv shkakton sozitë e veta pa ndërprerje në Shqipëri. Unë të paktën kam lokalizuar sozitë e romaneve shqiptare për 18 vepra dhe jam në vazhdim të kësaj pune, vetëm se kërkon kohë.
Shmangia nga realizmi socialist atëror, në ç'formë shfaqet?
Shmangia është edipale, mund ta quash edhe një lloj atëvrasje në shumë komplekse. Por pastaj ne dalim nga studimi i letërsisë në psikologjinë e problemit. E tëra kjo është e pandarë dhe interesante.
Ka nostalgjikë që në studimet e tyre përpiqen ta minimizojnë rolin e realizmit socialist në realizëm, ndërkohë që të gjitha në nivelet e teksteve shkollore universitare, veprat e soc-realizmit i gjejmë të pranishme, kanë qenë bërthama rrezatuese e propagandës: Seria e romanit të zgjedhur si kolonë, ose seria e tregimit të zgjedhur, kolonat e poezisë dhe sidomos kritika shqiptare e këtyre viteve endet midis gjyqit dhe himnizimit.
o të shohësh burimet e referencave, përfshi dhe burimet për këtë Akademi ku po flasim, janë fjalimet e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Leninit, Stalinit, ndonjëherë Marksi dhe absolutisht asnjë autoritet tjetër.
Mund të thoni, nga përvoja disavjeçare e studimit të zhvillimit letrar rus të shekullit të njëzetë, si është parë periudha e realizmit socialist në ish Bashkimin Sovjetik pas rënies së metodës?
Ka disa qindra studime dhe strategji për këto studime, ka institute të posaçme. Përqasjet janë pak a shumë neutrale duke e konsideruar termin, terminologjitë, vetë metodën, në pikëpamje të thatë historiko-letrare dhe pastaj këto degëzohen në studime psikologjike, antropologjike, filozofiko-sociale, ndërkohë që ne s'kemi filluar fare këtë proces.
Kjo për ata që merren me shkencën e letërsisë, po për ata që e mësojnë letërsinë?
Është një repertor gjigant tekstesh si në ish Bashkimin Sovjetik si në Shqipëri që nuk i drejtohen më askujt, janë kufoma.
Ato vepra thjesht kanë avulluar, nuk ekzistojnë më.
Unë i kam lexuar për qëllime studimore dhe për qëllime të tjera dhe kam idenë e përhershme që dikush kërkon të më rrëfejë një përrallë a një legjendë krejtësisht alogjike dhe të pamotivuar.
Një aspekt moral: në katedra vazhdojë të japim mësim profesorë e studiues që kanë vlerësuar autorë dhe vepra të realizmit socialist, kanë gjykuar mbi modernitetin dhe dekadentizmin për autorë të tjerë të papëlqyer, që sot i studiojnë si disidentë.
Ju ç'mendoni për këto medalje?
Oh, kjo është një temë shumë e dashur, por unë po i bie shkurt. Kur gjykohet soc-realizmi nuk gjykohen vetëm veprat dhe shkrimtarët, por i gjithë repertori që përbën fondin e kësaj letërsie të shkruar, gjithë repertori i teksteve me agjentët e dinamikës së kësaj letërsie, me redaktorët, recensentët, kritikët, studiuesit, revistat, me sidomos, fjalimet në Plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve, diskutimet që ndërkalojnë pluskueshëm në gjyqe, sistemin e vlerësimit dhe çmimet me Jubile Çlirimi.
Të gjitha këto përbëjnë një sistem rregullash që dublojnë njëri-tjetrin dhe forca gravitacionale që krijojnë një galaksi letrare, gjithmonë në funksion të pushtetit. Ka qenë një garë e shfrenuar servilizmi. Kur unë i lexoj këto rregulla sot, mendoj se mund të përshtaten lehtë në parodi absurde. Është një lulëzim i absurdit pasi është zhdukur kjo reale.