Nje gjume i shkurter

Një gjumë i shkurtër
Që prej një dekade flitet për epideminë e obezitetit, diabetin dhe tumoret e ndryshme, e në të njëjtën kohë është shndërruar në një epidemi edhe mungesa e gjumit. Askush nuk mendon më se bëhet fjalë për një rastësi. Numri i fundit i revistës "Nature Medicine" tregon fill e për pe provat, duke filluar nga tendenca e pashmangshme te shtimi në peshë. Nëse një njeri nuk fle në mënyrë të rregullt, pra nëse gjumi zgjat më pak se gjashtë orë, atëherë është i prirur të shtojë dy kilogramë në vit. Gjumi i pakët rrit sasinë e grelinës, (hormoni që nxit urinë) dhe zvogëlon atë të leptinës (hormoni që bllokon urinë). Në këtë mënyrë rritet oreksina (i njohur ndryshe si hipokretina), hormoni që na mban zgjuar. Pra nëse doni të verifikoni gjithçka që thamë më lart mjafton të bëni një provë, duke shtuar ose pakësuar orët e gjumit.

Një studiues amerikan po kryen një eksperiment te 160 individë obezë që flenë më pak se gjashtë orë. Ai kërkon të vërtetojë se nëse shton edhe një orë më shumë, këto të fundit mund të bien në peshë. Mungesa e pushimit rrit rrezikun e diabetit, sepse modifikon metabolizmin e sheqernave. Glukoza përdoret keq, zvogëlohet ndjeshmëria e insulinës. Madje vetë insulina funksionon keq.

"Gjumi i pakët rrit kortizonin, duke krijuar një rrezik të madh kardiovaskular. Veç të tjerash, zvogëlon sintezën e ndërmjetme të sistemit mbrojtës, i cili dobësohet dhe bëhet më i prekshëm ndaj infeksioneve dhe kancerit", shpjegon një nga studiuesit. Tumoret në gji, prostatë dhe kolonën vertebrale shfaqen më tepër te personat që nuk flenë shumë. Për shembull disa studiues nga Harvardi pasi mbikëqyrën për 12 muaj mijëra infermiere, bënë të ditur pak kohë më parë se rreziku për zhvillimin e kancerit të gjirit është më i lartë se 36 për qind duke punuar me turne, sepse humbasin shumë net pa gjumë. Dyshimi i parë është humbja e melatoninës. Duke qenë se prodhohet vetë në errësirë, është quajtur "hormoni-Drakula", sepse "del" vetëm natën dhe mjafton të ndezësh një abazhur të vogël për të parë sasinë që qarkullon. Gjithashtu ka edhe veti kundër kancerit, të cilat tashmë janë vërtetuar. David Bassett, një studiues amerikan, i ka "ushqyer" qelizat e kancerit të gjirit me gjakun e marrë nga studentët që nuk flinin shumë. Gjaku i individëve të cilët nuk flenë gjatë, i varfër me melatoninë, e lejonte tumorin të zhvillohej dy herë më shpejtë. Kështu, askush nuk u habit kur u demonstrua se njerëzit me nivel të ulët melatonine janë më të rrezikuar të preken nga kanceri.

Fatkeqësisht gjërat nuk përfundojnë këtu, ka edhe më: duke u bazuar te një raport amerikan i kohëve të fundit, gjumi i pakët është një lloj treguesi i një jete jo të shëndetshme, sepse kush fle më pak se 6 orë natën është i prirur t‘i jepet duhanit, alkoolit dhe të qenit sedentar.

Duke arritur në këtë pikë, të gjithë mund të mendojnë se duhet t‘i dyfishojnë orët e gjumit. Në fakt ky është mendim i gabuar: edhe gjumi i tepërt ka dizavantazhet e tij. Fillimisht rrit rrezikun kardiovaskular dhe vdekshmërinë në përgjithësi.

"Gjumi është një fazë rikuperuese për organizmin. Ta zvogëlosh atë, padyshim që përbën rrezik. Gjithashtu ekziston një çekuilibër nëse trupi ka nevojë të pushojë gjatë për të marrë veten. Nëse gjendet në një gjendje të ekuilibruar, jeton dhe pushon mirë. Ndaj gjumi është një lloj treguesi i mirëqenies sonë. Ajo që vlen vërtet është sasia e gjumit", përfundon studiuesi.


Terapia

Humori "kurohet" edhe duke qëndruar zgjuar

Humbja e gjumit mund të shndërrohet në terapi. Zakonisht kjo u ndodh njerëzve me depresion, të cilët pasi kanë kaluar një natë pa gjumë, ndihen më mirë, pa qenë nevoja të përdorin ilaçe qetësuese. Duke filluar që nga shfaqja e parë e fenomenit në vitet ‘60 në Gjermani (një djalosh i depresionuar që shëtiti gjithë natën në qytet me biçikletë, papritur u ndje shumë mirë), studime të ndryshme e kanë përforcuar mendimin se te këta njerëz (me probleme) "jeton" një defekt i krenarisë biologjike që rregullon ritmin mes gjumit dhe zgjimit. Mbi hipotezën kronobiologjike të depresionit po punojnë shumë grupe amerikane të specializuara. "Shpesh, humbja e gjumit përmirëson humorin e të sëmurëve.


Sipas një studimi të Departamentit të Shëndetit Publik, publikuar nga Universiteti i Londrës, në këtë grafik janë shfaqur vendet ku flihet më pak dhe më shumë


Efektet e zakonshme

Përgjumje gjatë ditës, irritim të syve dhe të qepallave, përgjumje dhe gjaknxehtësi, ndryshime humori, dobësi të madhe dhe pasiguri në përballimin e ngjarjeve të përditshme, vështirësi në kujtesë


Efektet e sapozbuluara

Pagjumësia rrit rrezikun e obezitetit, diabetit dhe tumoreve

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama