Kjo histori vjen përmes arkivit të një përmbledhjeje gazetash të botuara në Shqipëri në fillim të viteve 20 të shekullit të kaluar. Dhe botuesja e këtij lajmi është gazeta lokale korçare "Zëri i Popullit" në numrin e saj të datës 31 janar të vitit 1923. Gazeta në këtë numër shkruan me gërma kapitale "Triumfi i Z.Nasi Papa në mundje me Z.Pavllo Dopugia". Ajo e hap lajmin me tekstin që vijon. "Para një jave vizitoi vendin tonë z.Pavllo Dopugia, i cili me anën e afisheve dhe reklamave që përhapi në qytet, deklaroi se është më i forti njeri i botës dhe atij që do ta mundë i jep 1000 korona.
Gjithë populli, - vazhdon gazeta kronikën e kësaj ngjarjeje, - vrapoi për të parë çuditë e njeriut më të fortë të botës. Më 26 filloi nga puna. Ngriti anembanë dhe ca hekura. Natën e dytë bëri gjithë ato. Lajmin e përhapi në tërë rrethin e Korçës dhe populli si i paparë dhe padëgjuar ndonjëherë e konsideroi si gjë të çuditshme.
Për këtë u lajmërua në katundin e tij Polenë edhe z.Nasi Papa, i cili erdhi me vrap dhe pasi u takua me z.Pavllo Dopugia i propozoi se kërkon të mundet me të. Z.Dopugia e pranoi me kenaqësi. Duhet të shënojmë se zoti Dopugia është 15 okë më i rëndë se sa z.Papa, - thotë gazeta. - Mundësi shqiptar pranoi te mundet me të duke dashur t'i japë një mësim mundësit jugosllav".
Ndeshja dhe fundi i hidhur i kampionit
Ashtu siç bën me dije gazeta, si ditë mundjeje u vendos e diela e datës 28, në orën 7:30 të mbrëmjes. Pas formaliteteve të duhura, u mor leje edhe në polici. Që në orën 6 populli nxitoi të blinte bileta kështu që gjer në orën e caktuar salla u mbush. "Mund të themi pa ekzagjerim se ishin më teper se 500 njerëz", thuhet në gazetë, ndërsa vijohet se për të mbajtur rregullin e mundësve u vendosën dy arbitra me pëlqimin e të dyve.
Në orën e caktuar filloi mundja e pare, e cila zgjati 7 minuta, sado që ishte caktuar për 20 minuta. "Z.Dopugia qëndroi si i pafuqishëm, por meqenëse populli dëshironte t'i jepej fund mundjes, gjithçka u përsërit prapë", thuhet në gazetë. Mundja e dytë zgjati 9 minuta dhe z. Papa doli plotësisht fitues në mes të duartrokitjeve të pareshtura të popullit. Z. Dopugia deklaroi se nuk mund të rezistonte para fuqisë së shokut të tij, i cili siç u provua kishte një diferencë shumë të madhe. Lëvizjet dhe manovrat që bënte z. Papa provuan qartazi aftësia e tij në mundje.
Një shumicë e entuziazmuar prej popullit u ngjit në skenë dhe ngriti mundësin shqiptar duke thirrur: "Rroftë Shqipëria!"
Kjo qe skena e ndeshjes që sjell para kohës sonë gazeta e viteve '20 të shekullit të kaluar. Fitorja ndaj sfidantit të huaj rriti entusiazmin patriotik.
Atmosfera festive
Nga kjo gazetë mësohet se populli i tregoi me shumë entusiazëm dashurinë dhe mirënjohjen për dhuratën e çmuar që i bëri qytetit të vet mundësi Papa. Nga kronika e kësaj ngjarjeje shkëpusim fragmentin: "Më shumë se gjysmë ore vazhduan duartrokitjet dhe brohoritë dhe gjindja e entusiazmuar dhe e mallëngjyer prej triumfit të z.Papa u derdh dhe i shtrëngoi dorën luanit shqiptar për nderin që i bëri Korçës dhe gjithë kombit të tij. Lëvizjet trupore të z. Papa, aftësia dhe kuraja e tij na solli ndërmend kohërat e vjetra të trimërisë shqiptare dhe na dha të kuptojmë se raca shqiptare larg nga çdo demoralizim parashikon me një të pritme të lumtur dhe glorioze".
Ndarja e trofeut dhe kalorësia e fitimtarit
Kronika e "Zërit " vijon mbi zhvillimin e mëtejshëm të "mundjes" mes dy protagonistëve: "Të nesërmen në mëngjes u thirr z.Dopugia që të zbatonte kushtet kundrejt mundësit dhe të paguante shumën e deklaruar prej 1000 koronash. Por z. Papa duke marrë parasysh se z. Dopugia është një i huaj dhe në vend të huaj deklaroi këto: "Si shqiptar dhe kalorës që jam, i fal prej shumës së caktuar 800 korona dhe kërkoj vetëm 200. Më mjafton vetëm që e munda dhe kjo më kënaq pa masë!"
Por i munduri me sa duket nuk e ka vlerësuar këtë gjest fisnik të fitimtarit. Gazeta nuk shkruan se si është përgjigjur ai, por thjesht sjell atmosferën e keqardhjes dhe më pas të justifikimit të sjelljes së humbësit jugosllav. Për këtë gazeta, duke përcjellë opinionin qytetar korçar, thekson: "Na erdhi keq se sjelljet e të mundurit Dopugia ishin shumë larg që të ishin fisnike, po mund të falet meqë çdo gjë që bëri dhe çdo gjë që tha, e bëri nga e keqja e madhe që e gjeti, duke rënë i mundur në këmbët e shqiptarit, të cilin e konsideronte si te pafuqishëm".
Nasi Papa kishte mundur edhe një ari më parë
Duke u nisur nga shkrimi në gazetë mësojmë se Nasi Papa kishte lindur në vitin 1890 në katundin Polenë, 2 orë larg Korçës. Në vitin 1905 ai kishte emigruar në SHBA, ku kishte punuar në fabrika të ndryshme. Nga pasioni që kishte për sportin, ai qe regjistruar në shoqërinë e gjimnastikës YMCA, ku kishte marrë edhe mësimet e para te gjimnastikës dhe zhdërvjellimeve te trupit. Ai në këtë shoqëri ka qëndruar për një periudhe 12-vjeçare, duke marrë pjesë edhe në garat e ndryshme të mundjes që organizonte shoqata sportive. Sipas gazettes, ai kishte marrë shumë përvojë dhe kishte marrë pjesë në shumë gara mundjeje, ku shumë herë kishte dalë fitues. Pra, nisur nga periudha që e ka ushtruar, ai është marrë me sport deri në moshën 27-vjeçare. Me kampionin jugosllav ai është ndeshur në moshën 33-vjeçare.
Kronika e "Zërit" të Korçës vijon jetëshkrimin e tij duke treguar se me fillimin e Luftës së Parë Botërore, ai duke pasur nënshtetësi amerikane ka shërbyer për dy vjet në frontin francez të luftës. Gazeta nënvizon se: "Më 6 korrik të vitit 1919 ushtritë aleate bënë një takim mes aleatëve, ku Papa doli fitues në klasin e tij. Për këtë fitim mori edhe dekoratë. Gazeta vijon me aventurat e tij duke treguar se si "në Brixhport Kaun, në teatrin " Zers" u mund me një ari për 5 minuta dhe kur e pushtoi mirë që ta rrëzonte, ky u egërsua dhe me thonjtë e tij i bëri shumë plagë në sup, të cilat i njihen ende."
Gazeta Shekulli