Nje histori e se Keqes

Nje histori e se Keqes
Dalëngadalë po krijohet në shqipe një seri e plotë e veprave letrare dhe filozofike të Marquis de Sade dhe Georges Bataille. Të dy ndihmojnë për një kuptim të natyrës së artit letrar dhe rolit të tij te qenia njerëzore. Rasti i romanit-ese "Historia e syrit" i Bataille-it dhe disa çështje analoge me mendimin filozofik të Sade-it

"Njeriu s'di asgjë dhe ne ndodhemi të gjithë në zemër të natës. Por të paktën mund t'i ngulim sytë për të parë çka na mashtron, çka na pengon të kuptojmë thirrjet e ankthit, na pengon më saktë, të kuptojmë se gazi dhe dhimbja janë e njëjta gjë, hareja e njëjta gjë me vdekjen." Georges Bataille, Zonja Eduarda dhe tregime të tjera

Titulli i këtij shënimi do donte të njoftonte tërheqjen drejt disa ideve të cilat, në kërkim të një trupi, enden sa nga letërsia në filozofi. Rasti vjen prej tekstit letrar të Georges Bataille-it (1897-1962), "Historia e syrit" (Histoire de l'oeil), botuar nga autori frëng më 1928 me pseudonimin Lord Ausch. Aliazhi letërsi me filozofi është krijuar tek kjo vepër që nuk i kalon 100 faqet, si lidhje klasike e natyrës së artit me rolin e tij te qenia njerëzore e një kohe tjetër.

Njohja e botës nga librat për shumë njerëz është ku e ku më e dobët se njohja nga përvojat. Ka nga ata që besojnë se njohja nëpërmjet fiction-it i përket vetëm realiteteve imagjinare, ajo që shkrimtarët do donin të ndodhte apo që ka gjasë të ndodhë.

Si objekt studimi, Bataille e trajtoi gjerësisht lidhjen art-qenie njerëzore tridhjetë vjet pas botimit të "Historisë së syrit", kur shkroi një histori të së Keqes. "Letërsia dhe e keqja" (1957) ishin një seri esesh që u botuan në revistën e tij "Critique" ku flet për Proust-in, Sade-n, Baudelaire-n, Genet-in, Kafka-n, Blake-un, Emily Brontë-n etj., përpjekje autentike për të dalluar problemin e të Keqes në burim të krijimit të këtyre autorëve.

Te "Historia e syrit" ai merret me realitetin e erosit në kufirin transhendental të jetës nga vdekja. Është një problem për të cilin ai i detyrohet shumë Donatien Alphonse François - Marquis de Sade (1740-1814). Bataille e lexoi dhe shkroi për të si askush tjetër.
Kur flitet për erosin në kufi të jetës me vdekjen, të dy këta autorë libertinë nuk shohin kufi ndarës, po një shtrat të përbashkët, aq saç i përkasin të njëjtës mitër dhimbja dhe kënaqësia.

Erotizmi është pëlqimi i jetës në gjirin e vdekjes, thotë Bataille në krye të studimit që shoqëron "Historinë e syrit", i përdorur si parafjalë për veprën me të njëjtin titull, "Erotizmi". Për të dhënë një kuptim për pëlqimin e jetës në gji të vdekjes, ai shtyn të njëjtën portë pas të cilës shfaqen të dy ekstremet. Për zakonet njerëzore është e papranueshme që ajo portë të lidhë ndonjë farë kënaqësie me vdekjen apo me dhunën, sepse ka të bëjë me ndërgjegjësimin për të përbashkëtat e skajeve të natyrës dhe qenies njerëzore çka është një proces i vështirë.

Për analizimin e tij i njeh meritë të jashtëzakonshme Sade-it dhe Bataille vetë ia mban ndezur flakën që Sade-i pruri për këtë vetëdijesim i cili nuk vjen nga instrumentet njohëse dhe rregulluese të qytetërimit, po nga një sferë e papërcaktuar e qenies.

Ç'është kjo sferë e papërcaktuar e pajisur me vetëkuptueshmëri?

Në udhëtime imagjinare sodomike e libertine Sade-i krijonte një hapësirë për meditimet mbi natyrën njerëzore: për vesin që shpie në thellësi të rrezikshme, për virtytin - vepër e mendimit të thelluar, për ferrin në gji të jetës.

Burri libretin, i lirë seksualisht dhe gruaja e devotshme; burri incestuoz dhe gruaja incestuoze; burri që do modelin e gruas, vazo e farës së tij - modeli i botës sipas burrit krijues; prifti që i thur himn ndërgjegjes ku natyra shkruan tërë detyrat njerëzore; janë ndër karakteret e veprave që Sade-i shkroi i izoluar në Bastijë, "ena" në të cilën u dogjën dalëngadalë kufizimet e ndërgjegjshme të njeriut, nga flaka e një pasioni të cilin e përforconte edhe më shumë pamundësia e plotësimit.

Bataille i referohet gjatë "Filozofisë së sallonit" ku individualiteti arsyetues i Sade-it po përgatiste një ndërgjegje të çliruar e cila e pranon të Keqen "si mënyrë e vetëdijshme të jetuari: çka e bën qenien ajo që është dhe jo ajo që duket. Qëllimi është krijimi i "QENIES SUPREME KEQADASHËSE, ateiste dhe gjakftohte".

Për të shkuar drejt këtij thelbi, natyrës i duhet njohur statusi i lëvizjes së përjetshme dhe instrumentet që mbajnë gjallë ciklin e pashtershëm. Shkatërrimi është njëri nga ligjet e para të natyrës, thotë Dolmanseja, një personazh sodomit te "Filozofia e sallonit". "Dhe mizorja është ndjenja e parë që natyra ka stampuar tek ne. Mizoria është brenda natyrës. Ne të gjithë lindim me një dozë mizorie, të cilën e zbut vetëm edukimi, por edukimi nuk është brenda natyrës."

Arti i Sade-it, shkruan Bataille, qëndron në krijimin e gjendjeve torturuese. Nën këtë gjendje qeniet gëzojnë një pasion absolut dhe ndihen krijesa sovrane që nuk njohin ligjet, zakonet, ndëshkimet dhe që ekzistencën e tjetrit e bëjnë të pavlefshme.

Pa transgresionin dhe mëkatin natyra nuk është më natyrë, domethënë e rrezikshme.

Te "Historia e syrit" personazhet provojnë dashurinë, seksin, dhunën dhe përjetojnë vdekjen në kufijtë e mizorisë.

Flashbacku zbulon ngjarje të së shkuarës me intensitetin e së tashmes. Megjithëse nuk kanë pushtetin e dikurshëm, ngjarjet që rimerr kujtesa e bartin mizorinë si një konstante që shkon drejt të ardhmes së (pakorrigjueshme) njeriut.


Narratorit tonë dashuria për babanë gjatë pubertetit i ishte kthyer në një krupë të pavetëdijshme. Në mënyrë po aq të pavetëdijshme ai u përpoq të gjente në jetë dhe në mendimet e tij barazvlerësit e kësaj historie nga fëmijëria.

I rritur në kushtet e një edukimi të rreptë, ishte 16-vjeçar kur e kap ankthi për gjërat e seksit. Atëhere takon Simonën (emri i apostullit), një vajzë me përparëse të zezë me jakë të ngrirë, e babëzitur për gjërat që trazojnë ndjenjat, një vajzë e prirur "të ndërmendë gjakun, llahtarën e beftë, krimin, gjithçka që rrënon pa reshtur lumturinë dhe ndërgjegjen e qetë".

Çifti i zbulimeve të "jetës së brendshme" në aventurën e dashurisë së parë, takon Marselën, e mbyllur në çmendinë (marrëzia është një formë mizorie), më pas e vetëvrarë (dy të rinjtë bëjnë seks pranë kufomës së saj).

Personazhet janë të paracaktuara për të keqen, domethënë ata jo vetëm që thyejnë çdo rregull në mënyrë djallëzore, por ndjejnë kënaqësi nga shkatërrimi dhe vdekja. Këtë stad Bataille-i e konsideron njohje e së keqes, e të keqes së vërtetë, e të keqes më të pastër.
Personazhet janë adoleshentë.

Fëminia dhe adoleshenca janë, prej natyre, kundër botës së të rriturve, kundër rregullave, për rrjedhojë, janë mosha të njeriut të paracaktuara për të keqen. "Në edukimin e fëmijëve, preferenca për çastin e tanishëm, përfaqëson përkufizimin e zakonshëm të së keqes", shkruan Bataille.

Gjatë udhëtimit në Andaluzi, Simonës që i parapëlqejnë ndeshjet me dema, i vjen të bëjë dashuri fill pasi toreadorit i varet syri i djathtë. Vdekja i kishte ardhur aty ku iu ngulën brirët e demit. Nuk është mazohizëm? Po ç'mund të jetë?

Radha i vjen priftit Don Aminado i tunduar përballë kësaj "bloody girl" mu në rrëfyestore. Çdo viktime të këtij çifti ai që iu dhunohej i pari pasi fitonin kënaqësinë deri në delir, ishte syri, vetëm njëri sy. Ky organ që përfaqëson metaforën kryesore të rrëfimit dhe të cilit i referohen një zinxhir sendesh dhe organesh analoge për nga forma dhe "funksioni", ka një "histori".

Në një traktat anatomie rrëfimtari i "historisë së syrit" vëren se herdhet e kafshëve dhe të njerëzve kanë formën vezake, pamjen dhe ngjyrën e kokërdhokut të syrit. Një lidhje ekziston me kujtimet e fëmijërisë, kur ai e adhuronte të atin, megjithëse me sifiliz, i verbër dhe i paralizuar: "...gjëja më bezdisëse ishte mënyra me të cilën shikonte.

Duke mos parë asgjë bebja e syrit nëpër natë, përhumbej deri lart nën qepallë: kjo lëvizje ndodhte zakonisht në çastin e përgatitjes së ilaçeve... kur urinonte sytë i bëheshin thuajse të bardhë dhe i merrnin një shprehje të hutuar, objekt i tyre ishte një botë që vetëm ai mund ta shihte, pamja e të cilës i shkaktonte një të qeshur të përhumbur". Pamjen e syve të bardhë ai e lidhte me atë vezëve.

Këto kujtime, dhe ndër to dita kur e gjeti në një përrua nënën e cila nuk e kishte përmbushur qëllimin e vetëmbytjes, nuk kanë më asnjë pushtet tek narratori. Së paku ai beson se ato i rikthehen të shformuara dhe të veshura me një kuptim të turpshëm.

Te "vërejtjet filozofike" - filozofia që e sheh jetën të lidhur ngushtë me gjërat më intime - që pajisin romanin, Bataille-i përmend tri forma të erotizmit: erotizmin e trupave si i rëndë dhe i kobshëm; erotizmin e zemrave si erotizëm i lirë dhe erotizmin e shenjtë si një ide e pazakontë sipas të cilit asgjë nuk duhet ta trazojë subjektin.

"Erotizmi hap ndaj vdekjes. Vdekja hap ndaj mohimit të kohës individuale", shënon ai. "...Riprodhimi dhe vdekja kushtëzojnë ripërtëritjen e vazhdueshme të jetës. Ato kushtëzojnë çastin gjithmonë të ri. Prandaj ne nuk mund të kemi një tjetër vështrim mbi kënaqësinë e jetës, përveçse një vështrim tragjik, por gjithashtu prandaj tragjedia është shprehje e kësaj kënaqësie."

Siç shihet, energjia e së Keqes nuk mund të mblidhej kurrë pa ndalimin. Nëse do të hiqeshin ligjet, ndalimet, zakonet që shoqëria ka vendosur me qëllim frenimin, rreziku nuk do të ekzistonte, sepse nuk do të ekzistonte një qëllim që synon shthurjen e formave të organizuara.

Jeta seksuale (e lidhur me kënaqësinë) dhe vdekja (e lidhur me dhimbjen), janë dy çështje themelore për njeriun. Me tabutë ndaj tyre feja ka krijuar një shtresë të rëndë vetëdijeje të jashtme.

Arsyetimet e Sadit për këto dy ndalime, për vdekjen dhe aktivitetin seksual, shtrihen në kufijtë imagjinarë të një bote utopike humane.

"Në njërën anë shkrimet e Sadit shpalosën mospajtimin e ndërgjegjes me dhunën, por nga ana tjetër, dhe këtu qëndron vlera e tyre e veçantë, ato kanë prirjen ta bëjnë dhunën të kapshme për ndërgjegjen, t'i japin kuptim të ndërgjegjshëm asaj së cilës njerëzit i patën kthyer shpinën duke u fshehur pas iluzioneve dhe mohimeve kokëforta.

Përmes tyre refleksionet mbi dhunën fitojnë maturinë dhe frymën vëzhguese që janë tipare dalluese të ndërgjegjes... Një formë dhune që ka qetësinë e arsyes." Prandaj Bataille-i mendon se Sade-i është një autor që nuk është kuptuar, që nuk është vlerësuar dhe që fitoi famë sa qe gjallë vetëm për të keq.

"Historia e syrit" është lexuar fillimisht si një vepër pornografike deri kur u pa tek ajo dimensioni filozofik brenda një lloj letërsie e quajtur e "transgresionit", siç u përmend më sipër.

Te "The Pornographic Imagination" (1969) Susan Sontag thotë se pornografia si zhanër duhet të gjykohet në bazë të strukturës së saj narrative. Ajo kundërshton Theodor Adornon sipas të cilit narrativat pornografike nuk përbëhen veçse nga një seri vinjetash që paraqesin aktivitetin seksual të njeriut.

Ajo e sheh Georges Bataille-in rast domethënës të letërsisë transgresive që ka meritën e ballafaqimit të erosit me thanatosin.
Edhe Roland Barthes-i ishte kundër përcaktimit të "Historisë së syrit" një narrativë pornografike, ndaj iu referohet një sërë metaforash që u përmendën tashmë.

"Historia e syrit" ka elementë autobiografikë prandaj është parë edhe si një tekst terapeutik dhe psikanalitik.

Nëna e Bataille-it tentoi disa herë të vetëvritej, i ati u verbua dhe paralizua. Në prag të Luftës së Dytë Botërore autori u bë frekuentues i seminarit katolik por hoqi dorë nga besimi më 1922. Provoi ushtrinë, vuajti nga turbekulozi dhe depresioni. Në vitin 1920 u përfshi në lëvizjen surrealiste prej të cilës Andre Bretoni e përjashtoi. Udhëtoi drejt Madridit ku ndoqi Shkollën e Studimeve Spanjolle. U influencua nga Hegel, Freud, Marx, Marcel Mauss dhe Friedrich Nietzsche.

Themeloi disa gazeta që kishin në vëmendje sociologjinë, besimin dhe letërsinë. Ishte i pari që botoi mendimtarë si Barthes, Foucault, Derrida, Sollers dhe pati influencë te ta. U ndje ndikimi i tij edhe në teoritë psikanalitike të neofrojdistit Jacques Lacan. Shkroi ndër të tjera "Viti diellor", "Sakrificat", "Zonja Eduarda", "Eksperienca e brendshme", "Fajtori" etj.. Vepra e fundit ishte "Lotët e Erosit" në vitin 1961, një udhëtim në historinë e erotikës dhe dhunës. Ai e kishte thënë pse kjo fushë përbënte për të objekt studimi. Nuk mendonte se thelbi i kësaj bote është epshi, sepse njeriu nuk kufizohet tek organi i qejfit. "Megjithatë ky organ i turpshëm e i paemër mund t'i thotë akoma ca sekrete të vlefshme."

Për këtë shkrim janë shfrytëzuar: Georges Bataille, Historia e syrit, Tiranë 2004; Georges Bataille, Zonja Eduarda dhe tregime të tjera, Tiranë 2008; George Bataille, Letërsia dhe e keqja, dorëshkrim i përkthimit shqip; George Bataille, Erotizmi, Tiranë 2006; D.A.F de Sade, Filozofia në odën e pasqyrave, Tiranë 2006; Markezi dë Sad, Ëzhenia e Franvalit, Tiranë 2003.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama