Në vitin 1979 punoja arkeolog në muzeun arkeologjik të Durrësit. Më lindi ideja për të krijuar zyrtarisht sektorin e parë të arkeologjisë nënujore në Shqipëri. Bëra një projekt që u financua nga shteti, u blenë katër akualangë me bombulat përkatëse të ajrit, kompresori dhe mjete të tjera për zhytje.
Në bazë të dokumenteve del qartë se në 1979 sektori i arkeologjisë nënujore i drejtuar nga unë funksiononte i njohur dhe nga Instituti i Arkeologjisë dhe Akademia e Shkencave.
Në të vërtetë, kërkimet arkeologjike nën ujë i kisha filluar shumë më herët. Këto kërkime i kisha fokusuar kryesisht në bregdetin verior të Durrësit, nga Kepi i Rodonit deri në Gjirin e Lalzit.
Në pjesën e Currilave që quhet “Cekëtina e Taboltit dhe Batlës” zbulova një numër të madh amforash që fillonin që nga periudha arkaike, shek.VI para Krishtit e deri në Antikitetin e Vonë (shek. VI pas Krishtit). Me këto krijova fondin e amforave të nëndetit në Muzeun e Durrësit.
Nga kjo zonë nxora dhe disa fragmente arkitektonike si ndonjë kapitel, madje edhe dy mbishkrime në latinisht, të cilat qenë përdorur si ballast nga anijet antike dhe hedhur më pas në det.
Sipas një legjende, gjoja shkëmbinjtë konglomeratë në ujërat e Currilave, përfaqësonin muret e qytetit të mbytur të Durrësit. Gjatë zhytjeve të shumta vërtetova se nuk kishin të bënin fare me mure qyteti por thjesht me formacione shkëmbore. Po kështu një tjetër legjendë e krijuar nga peshkatarët thoshte se hapësira detare në veri të Kepit të Pallës mbiquhej “Qyteti i mbytur” sepse me rrjetat e tyre peshkatarët nxirrnin nga kjo pikë shumë objekte arkeologjike. Për herë të parë vërtetova se nuk kemi të bëjmë me një qytet të mbytur por thjesht me një depozitë të ballastit të hedhur nga anijet antike.
Më pas i zgjerova kërkimet e mia edhe jashtë Durrësit. Shkenca verifikon. Vërtetova se disa nga legjendat që lidheshin me Durrësin nuk ishin të vërteta dhe këtë gjë mund ta vërtetonte vetëm arkeologjia nënujore.
Për hir të së vërtetës dua të them se në vitin 1860 një anije franceze “La Biche”, u intrigua për të bërë një eksplorim me polumbarë pikërisht në hapësirën e Taboltit dhe të Currilave. Këtë fakt e përmend Leon Hezei. Pra, dikush përpara meje e kishte bërë verifikimin, kurse unë isha i pari shqiptar që pashë me sytë e mi se nuk kishim fragmente të qytetit të mbytur të Durrësit.
Por, pikërisht dy km në veri të Bishtit të Pallës, në zonën që quhet “Porto Romano” kam zbuluar që në vitin 1976 muret e një ndërtimi antik, ndoshta të një shtëpie luksoze të shek. IV para Krishtit. Nga kjo pikë kam nxjerrë një numër të madh tjegullash solene (diellore) të cilat janë tipike të kësaj periudhe. Gjithashtu, një fragment të murit të kështjellës së Redonit të zhytur në det e kam zbuluar së bashku me kolegun tim Xhemal Mato në vitin 1981.
Më kujtohet që një oficer marine më njoftoi se gjoja kishte zbuluar një kambanë të madhe të zhytur në det. Shkova menjëherë dhe u zhyta dhe pashë në thellësinë 37m nën det një objekt metalik që ngjante si një kambanë e madhe, po ku u afrova konstatova se ishte një bovë (lundruese) deti e mbytur. Pra, ja dhe një tjetër verifikim i legjendës.
Ka disa legjenda siç është p.sh. ajo e Kepit të Treportit në Vlorë. Këtu me të vërtetë kemi gjetur trakte muresh të një ndërtimi urban antik. Legjenda se ekzistonte një qytet i mbytur verifikohet dhe ndoshta në këtë rast kemi të bëjmë me një pozicion më të hershëm ose të një qyteti tjetër ose të vetë qytetit të Vlorës.
Një tjetër legjendë lidhet me Orikumin. Legjenda thotë se nën liqenin e Orikumit rruhen fragmente të qytetit të vjetër. Duke u zhytur kam parë me sytë e mi trakte të bëra nga dora e njeriut si dhe strukturën e një porti të lashtë. Legjenda të tjera nuk ka.
Kërkimet përfshijnë nga veriu i Shqipërisë deri në Jug. Dua të theksoj se vendosa një bashkëpunim zyrtar me TVSH-në e atërhershme dhe mikun tim të talentuar Xhemal Mato, regjisor dhe zhytës i apasionuar. Bashkëpunimi im me të qe shumë frytdhënës.
Për disa vite ne bëmë 4-5 filma dokumentarë për arkeologjinë nënujore shqiptare. Këto janë dokumentat e parë shkencorë për këtë disiplinë. Kërkimet i bëmë kryesisht në Karaburun, në Gjirin e Arushës, në Gjirin e Rovenës, Gjirin e Shën Andreas, në Shpellën e Haxhi Aliut dhe sidomos, në Gjirin e Gramatës. Zbulimet qenë të rëndësishme. Gjetëm shumë amfora antike kurse në Gjirin e Arushës gjetëm edhe fragmentin e një anijeje të vjetër.
Por, zbulimi më i madh qe në Gjirin e Gramatës, në jug të Karaburunit, ku ishte dhe një gurore e shek. VIII Para Krishtit ku dhe ishin shumë mbishkrime në greqishte të vjetër dhe latinisht, në bizantinisht dhe gjuhë të tjera të Mesdheut, me informacione historike të mëdha. Aty përmendeshin emrat e perandorëve romakë si Augusti, Mark Antoni, perandori bizantin i shek.XIV Johan Paleologu II, emra perëndish si Zeusi, Vëllezërit Dioskure, emra gjeografikë si Ishulli i Maltës, ishuj të tjerë të Mesdheut, stema dhe simbole heraldikë si kryqet e tempullarëve, stema e qytetit të Otrantos, në formën e një kulle të rrethuar nga një gjarpër, vizatime anijesh dhe tempujsh, vizatimi në gur i një princeshe bizantine dhe ajo më e rëndësishmja, vizatimi i një amfore të madhe në shkëmb, që për mendimin tim përfaqësonte “Shën Gralin” (Kupa e shenjtë e Krishtit).
Të gjitha rezultatet e vëzhgimeve të mia i botova në dy studime të gjata e të hollësishme në revistën “Monumentet” në vitet ’80 të shekullit të kaluar.
Po kërkimit tim shkencor nuk i kanë munguar shpellat e Karaburunit; në një nga këto shpella zbuluam një reliev të gdhendur me figurën e Herakliut, heroit të Mitologjisë, shoqëruar nga një mbishkrim të detarëve antikë.
Po kështu, në një tjetër pikë të Karaburunit, më në veri, u zbulua dhe një reliev me figurën e Afërditës. Kërkimet i kam vazhduar edhe në pika të tjera.
Zbulimi më interesant është bërë në lumin e Drinasës, rrëzë kalasë së Shkodrës. Në bazë të një informacioni nga një qytetar i Shkodrës, u zhyta në Drinasë në thellësinë 5m dhe gjeta mbeturina prej mermeri të një tempulli të shek.II. Aty ishin dhe ca kapitele por dhe forma të skulpturuara të trifurkut, simbolit të hyjit të Ujrave. Figura e delfinit del dhe në monedhat ilire të shkodrës dhe përfaqëson hyjin ilir të ujërave, Redonin.
Tjetër zbulim i rëndësishëm është ai i liqenit Seferan të Belshit, në zonën e Elbasanit, ku në një tempull në natyrë gjetëm me qindra terakota (figurina prej balte të pjekur) që i kushtoheshin kultit të Demetrës dhe Afërditës.
Kurse në vitin 1980, në Gadishullin e Linit, në pikën e quajtur “Buqezë”, gjatë një zhytjeje të rastësishme zbulova pilota druri të një vendbanimi prehistorik të tipit palafit. Të gjitha këto janë të dokumentuara në filmat që realizova me mikun tim Xh. Mato.
Zhytja nën ujë zbulon gjëra nga më të çuditshmet.
Fjala vjen, në veri të Gadishullit të Karaburunit, së bashku me Xhemalin zbuluam që në vitet ’80 ekzistencën e minave nënujore të Luftës së Dytë Botërore.
Kohët e fundit lexoj në shtyp se një ekspeditë amerikano-shqiptare, flet për ekzistencën e këtyre minave si të qe një zbulim për herë të parë.
Në të vërtetë, për ekzistencën e minave që në vitet ’80, pasi i filmuam, i bëmë edhe një njoftim zyrtar Ministrisë së Mbrojtjes së asokohe.
Më kujtohet shumë mirë forma e minave dhe në brirët e tyre metalikë kishin ngecur fragmente rrjetash të peshkatarëve.
Gjatë zhytjeve kemi parë dhe shumë anije të mbytura të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Një nga këto anije në Gjirin e Vlorës ishte e vitit 1913. Ajo kishte dhe emrin e vet “S.S.MARONIAN” nr. 598, HULL.1913. Kjo anije është ende dhe sot e kësaj dite në atë vend.
Më i çuditshmi eksplorim ka qenë në anijen italiane që u mbyt në Luftën II Botërore, e cila njihet me emrin “Spitalieri”. Duke u zhytur, na bashin e kësaj anijeje kam parë dhe emrin e lumit” Po” Nga kjo anije nxorrëm disa tabaka bronzi me stemën e Viktor Emanuelit III.
Kurse pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë kemi parë nën det një numër të pafund armësh, kryesisht pushkë, predha të dimensioneve të ndryshme, të cilat janë hedhur nga ushtria italiane gjatë kapitullimit të 1920-s.
Për hir të së vërtetës dua të them se anija më e vjetër që kam zbuluar qe gjatë hajes së basenit të bazës detare ushtarake në Bishtin e Pallës. Eskavatori që punonte për këtë basen nxori kollumnin dhe brinjët e një anijeje të shek. IV Para Krishtit si dhe disa amfora. Për këtë zbulim kam shkruar në gazetën “Adriatiku” që në vitin 1976.
Dy anije të lashta mesjetare janë zbuluar gjatë një gërmimi arkeologjik pranë monumentit të Pavarësisë në Vlorë. Kjo vërteton se deti ka qenë shumë pranë Sheshit të Flamurit të këtij qyteti.
Dokumentet antike dhe mesjetare përmendin një numër të madh anijesh të mbytura në brigjet shqiptare.
Kështu përmendet mbytja e anijes normane të princit Robert Guiskard (shek. XI) apo anija e mbytur në Porto Romano, e princit francez të kohës së Kryqëzatave, Ubo. Arkeologjia nënujore ka një fushë të pafundme kërkimesh.
Por, duhet bërë ubikacioni, pra zonifikimi i pikave të anijeve të mbytura që përmenden nga kronikanët dhe më pas të nisin ekspeditat.
Më vjen shumë mirë që kohët e fundit ka disa përpjekje në bashkëpunim me arkeologë të huaj për të ringjallur arkeologjinë nënujore në vendin tonë.
Por çuditem sinqerisht, se si nuk përmenden fare kërkimet tona arkeologjike të mëparshme nën ujë. Kjo është një histori e njohur e kohës “zero”.
Mendoj se arkeologjia nënujore e institucionalizuar duhet të fuqizohet shumë në Shqipëri.
Rreziqet janë të mëdha, sidomos pas thellësisë 15m. Ajri i bombolave përmban një përqindje azoti, i cili pas kësaj thellësie fillon të tretet në gjak. Po të mos jesh i kujdesshëm ndodh ajo që quhet “dehja e thellësive”. Po rreziku më i madh është kur del nga fundi i detit. Nëse nuk del shumë herë më ngadalë se sa futesh, pra, duke respektuar alternimin e presionit që e tregon një aparat, të cilin e mban domosdoshmërish me vete çdo akualangist, ahere mund të ndodhë që gjaku të të gazojë dhe të ndodhë ambolia, dukuri që ka marrë më qafë shumë zhytës.
Zhytja është një shkencë rigoroze dhe në shumë raste e rrezikshme.
Edhe sulmi nga peshkaqenët është një rrezik. Kur u zhyta në Gjirin e Vlorës pranë vaporit “Po”`, më kaluan pranë katër peshkaqenë të mëdhenj.
Por përgjithësisht nën det akualangisti nuk para sulmohet sepse janë peshqit e mëdhenj që tremben më shumë prej tij për shkak të flluskave të ajrit që nxjerr, akualangu duket gati si një figurë surrealiste nën ujë.
Kam shfrytëzuar edhe kostumin e polumbarit të rëndë. Fqinji im në Durrës qe Rropi Balashi, i cili njihej si polumbaristi më i mirë në Shqipëri. Ai punonte me anijen polumbare “Shpëtimi”. Zhytja me kostumin e rëndë të polumbarit është më e sigurt por kërkon forcë të madhe fizike për të lëvizur me këtë kostum që ngjan si kostumet mesjetare metalike.
Jam zhytur me kostumin e polumbarit brenda akuariumit të portit të ri të Durrësit gjatë kohës që bëheshin heqjet e disa mbeturinave të anijeve të mbytura në këtë vend. Gjithashtu, jam zhytur edhe në ishullin e Sazanit, ku nën ujë gjendej edhe një skulpturë e piratit të famshëm shqiptar Haxhi Aliut, që një djalosh marinar e kishte bërë gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak. Por, një oficer injorant i asaj kohe e kishte parë këtë skulpturë dhe e kishte urdhëruar që ta hidhte në det. Kam pasur fatin ta shoh nën det këtë skulpturë të çuditshme.
Historia më e pabesueshme është ajo e zhytjes me anë të një batiskafi që disa të rinj e ndërtuan në vitin 1981 në Durrës, gjë për të cilën u bë dhe një bujë e madhe në shtypin e kohës, madje edhe Enver Hoxha i dërgoi një letër përgëzimi djemve që e ndërtuan këtë objekt.
Në fakt nuk ishte një batiskaf shkencor por qe një strukturë e mbyllur metalike që kishte brenda bombola ajri dhe dy oblla (dritare) xhami.
Bëmë zhytjen e parë në thellësinë 20m me këtë batiskaf dhe atje unë bëra fotografitë e para nën ujë, të cilat u botuan në revistën “Ylli”. Në të vërtetë, guximi ynë ishte i çmendur. Xhamat e obllave ishin të zakonshëm dhe nëse thyheshin nga rritja e presionit të ujit, ne do të mbyteshim pa pasur asnjë mundësi shpëtimi për të ridalë në sipërfaqe. Atëherë u krijua një komision me në krye inxhinierin e talentuar të anijeve, dr. Gani Ismailatin, për të provuar në thellësi kushtet mbrojtëse të këtij batiskafi. Natyrisht, prova në thellësi doli negative.
Batiskafi është instrument i një industrie tejet të sofistikuar. Ka ardhur koha që arkeologjia nënujore shqiptare të pajiset me batiskafë të vërtetë, pra kërkohet një profesionalizëm i saktë.
Dua të shtoj këtu disa dimensione të tjera të zhytjes nënujore.
Së pari, zhytja nënujore bën eksplorimin e botës së gjallë, të bimësisë dhe të faunës nënujore. Pra, lidhet me biologjinë ujore. Ky element është mjaft i rëndësishëm në pikëpamjen shkencore.
Së dyti, zhytja nënujore mund të institucionalizohet si një turizëm special nënujor. Përgjithësisht, në gjiret e vegjël plot shpella të Karaburunit, fundi i detit shfaqet piktoresk dhe mahnitës, fjala vjen, fundi i detit në Porto Palermo apo në Shpellën e Piratëve në Dhërmi.
Madje, disa nga zonat nënujore duhet të mbrohen me ligj si monumente natyrore që nuk duhet të preken; kam vënë re se një pjesë e fundit të detit është dëmtuar së tepërmi nga peshkimet klandestine me dinamit.
Kurse, në ndonjë shpellë të Karaburunit, që është një gadishull pa ujë të pijshëm kemi zbuluar edhe burime të ujit të pijshëm, të cilat dalin përmes ujit të kripur. Pra, zhytja nënujore ka një karakter universal.
Çdo gjë është e mundur. Disa nga anijet, me të cilat kanë udhëtuar perandorë dhe princër në lashtësi dhe në mesjetë, duhet të kenë pasur edhe monedha.
Ne deri më sot nuk kemi zbuluar asnjë nga anijet që përmendin kronikat. P.sh. Ana Komnena përmend se në vitin 1081 normanët erdhën me 300 anije në Durrës.
Dihet saktësisht se anija kryeprijëse e princit Bohemund Guiskardi u mbyt afër Bishtit të Pallës. Kjo anije ka pasur pa dyshim ndonjë thesar ose armë dhe objekte të tjera me vlerë të pallogaritshme për historinë. Askush nuk e ka lokalizuar këtë vendmbytjeje.
Do të ishte me interes shumë të madh sikur të gjendej kjo anije.
Sot ka mjete të sofistikuara të identifikimit të anijeve të mbytura që mund të përdoreshin edhe në këtë rast.
*Titulli origjinal i autorit është “SHKENCA FAUSTIANE E ARKEOLOGJISE NENUJORE”
Nga Dr. MOIKOM ZEQO : Revista Mapo