Dëshira për letërsinë ka nisur që në hapat e parë. Ajo dëshira e vogël që rritet çdo ditë e më shumë tek lexon veprat e autorëve të mëdhenj, siç janë Serembe, Frashëri, Ali Asllani, Çajupi. Këta dhe të tjerë ndriçuan mendjen e malësorit Gjokë Beci dhe zgjuan tek ai një ndjenjë kaq të bukur për poezinë. Si çdo fëmijë, me dëshirën e tij shpërthyese, mundohet të lexojë dhe të studiojë me përpikëri atë çfarë i duket më interesantja, ajo që e “shqetëson” për mirë, për të kuptuar më shumë rreth ëndrrës së tij. Ëndërr që e ndjek atë dhe gjatë adoleshencës me vendosmëri për t’i dhënë drejtimin e duhur. Kështu nisi në një moshë jo të vogël, por as të rritur, udhëtimi i Gjokë Becit drejt realizimit të pasionit të tij për të shkruar. Edhe pse i ati e ka lënë në moshën 4-vjeçare, figura e tij ka qenë një frymëzim për artistin.
Gjokë Beci ka lindur në fshatin Zajsë, në zonën Selitë, në Malësinë e Mirditës. Ky është fshati i bukur ku shkroi vargjet e para për të dashurën vendlindje. E që nga ajo ditë e deri më sot ai vazhdon të shkruajë me dashurinë më të madhe, poezi recitale e të këndueshme, siç i quan dhe vetë artisti Beci. Jo vetëm se ishte vëllai i vetëm i motrave Beci, por sepse ai ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, mënyra se si fliste, si shprehej, si sillej me bashkëmoshatarët e tij dhe të rriturit e diferenconte atë nga të gjithë, sigurisht për mirë. Ka filluar të shkruajë poezi e prozë që nga arsimi 7-vjeçar. Ky pasion u fuqizua më tej, kur Gjoka u transferua me studime në gjimnazin “Ndrec Ndue Gjoka” në kryeqytet, nën trajnimin e profesorëve të nderuar si Petro Marko, Gjergj Zheji dhe Gazmend Biba.
“Ishte një vitalitet i jashtëzakonshëm pedagogjik dhe kishin një ndikim pozitiv te secili nxënës”, thotë Gjoka. Ai e vazhdoi më tej pasionin e tij për letërsinë, tashmë i futur më në brendësi të saj, duke shkruar dhe vargjet e para në vitin e dytë të gjimnazit. Ishte fillimi i rrugëtimit të tij në fushën e artit, në botën e krijimtarisë. Si çdo shkrimtar që kujton momentet e para të frymëzimit për të shkruar, si çdo poet që kujton kohën kur ka marrë penën për të hedhur mbi të bardhën fletë bojën e zezë me ide të pafajshme rinore e të gjalla, ai thotë përmallshëm: “Në gjimnaz u zgjuan interesat për letërsinë për dy arsye, e para, sepse lexova bashkë me shokët, leximi të lë përshtypjet e veta, të detyron të ngacmosh tematikat e veçanta, kuptohet se tematika në atë kohë ka qenë uniformë.
Ishte vështirë të shkëputeshe nga uniformiteti i krijimtarisë dhe të dilje në atë fushë që krijuesi vërtet lakmon, krijimin e spikatur, gjurmëlënien. Mendoj se një pjesë të krijimeve folklorike kanë shënuar jetën e tyre të pasqyruar në krijimtarinë time”, rrëfen Beci. Gjithçka po shkonte mirë, poezia, studimet, familja, shëndeti, deri në momentin e diplomimit, i cili i shkoi me sukses, sigurisht! Por ishte diçka tjetër që e cungoi ëndrrën e Gjokës. Dëshira e madhe për të vazhduar studimet e larta, u ndërpre pikërisht në momentin kur ai po e priste me aq gëzim. “Ishin arsye politike, që po t’i them janë sigurisht shumë qesharake, por më ndaluan studimet.” E kujton me dhembje atë ditë kur mori vesh se nuk mund të studiojë në universitet, por nuk u dorëzua. Dhe pse që nga viti 1965 e deri në ‘86-n u detyrua të kryente punë tjetër në vend që të ishte në bankat e Universitetit të Tiranës me bashkëmoshatarët e tij, shokët dhe shoqet e gjimnazit. Por, gjithsesi, kjo periudhë pauze nuk i shërbeu për keq.
Ai u kthye në vendlindjen e tij dhe u mor me muzikë, pa dalë nga fusha e artit, ku dha një kontribut të veçantë për folkun e Mirditës, i cili në atë kohë ishte në periudhën e tij më të keqe. Aty lulëzoi dhe karriera e Gjokë Becit, duke filluar me çmimet e marra në Festivalin e Gjirokastrës, 1978, ku kënga “Xhamadan i trimërisë”, u vlerësua me çmimin e parë. E jo vetëm kaq, Gjoka kishte një të veçantë kur shkruante, ai nuk ndahej nga idetë e tij, dhe nëse i pëlqente ajo që pasqyronte në bllokun e tij, nuk i ndryshonte as presjen më të vogël, por nëse vetëm një frazë i dukej e papërshtatshme e ndryshonte atë njëqind herë deri sa t’i tingëllonte aq bukur saqë të mos ketë nevojë për ta prekur më. Duke vazhduar më tej me “Një zambak i bardhë mbi gur”, “Dy gëzime në një ditë”, të cilat janë me çmime të para, në Festivalin e ’90-s, saktësisht 4 vite pasi Gjoka filloi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1986. Edhe pse në moshën 47-vjeçare, ulet në sallat e universitetit për të ndjekur orët e leksioneve dhe seminareve me bashkëstudentët e tjerë, ku binte në sy figura e tij, jo vetëm për shkak të moshës, por tashmë kishte ardhur me një “fytyrë” tjetër, një njeri i formuar, një personalitet i njëjtë me pedagogët, të cilët gëzonin të njëjtin respekt si ai në bordin e shkrimtarëve.
Gjoka është autor i 10 librave. Vëllimi i parë me poezi që mban vulën e Gjokë Becit është ai i vitit 1970, titulluar “Kur zgjohen Bjeshkët”. Por, pas një pauze të gjatë prej 20 vitesh, ka botuar librin “Zambaku im”, 1990. Për të vazhduar në këto kohë me disa vëllime të tjera poetike, si: “Qiell e dhe”, “Antologjia e shpirtit” (1, 2), “Thuj vetes ec” dhe “Plis në Luvër”.
Vargjet e muzikës
Gjokë Beci bëri emër në muzikën shqiptare, dha një kontribut të veçantë në muzikën popullore. Gjoka ka bashkëpunuar me artistë të vlerësuar shqiptarë, brenda dhe jashtë trevave shqiptare, të cilët i kanë besuar penës së tij, duke e shpalosur me zë atë çka ai ka gjallëruar e ka sjellë në jetë. Interes të veçantë për këngët e shkruara nga Gjoka, kanë pasur këngëtarët nga diaspora, ata të rrymës popullore, siç janë: Shkurte Fejza, Ismet Rexhepi (Maqedoni), Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprela, Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Gëzim Nika, Arif Vladi, Manjola Nallbani, Artiola Toska e shumë të tjerë. Në periudhën kur Gjoka bënte ekzaktësisht pjesën e dytë, pra shkruante tekste këngësh, procedonte ndryshe. Atëherë nuk ishin kopertinat që janë sot, këngëtarja apo këngëtari vjen e porosit, merr paratë dhe e mbyll me kaq.
Për Gjokën dhe autorët, kompozitorët e asaj kohe kanë qenë ndryshe: realizohej fillimisht kënga, produkti nuk shitej, por falej. Madje Gjoka përmend një rast për këngën “Xhamadani i trimërisë”: “Unë kam marrë 180 lekë të vjetra, 18 lekë të reja sot, dhe është quajtur se kam marrë shpërblim të madh. Tekstin tim e ka paguar shteti me honorar, nuk e kam shitur. Përpos faktit që nuk paguheshim, kujtoj që sigurisht shumë ndryshe nga ditët e sotme, që të shkruaje një tekst kënge, duhet të kishe parasysh ca pika, të cilat nuk duhej t’i shkelje. Ishin disa vija të holla, të cilat duhej t’i shikoje me kujdes që të mos nxije asnjërën prej tyre, ndryshe të zinte gjarpri”. Frymëzimi është një element kyç në krijimtarinë e një tekst-shkruesi. Për mjeshtrin Beci, frymëzimi është pjesë e pandarë e thesarit të tij kulturoro-folklorik. Ai shkruan atëherë kur e ka të domosdoshme për të shkruar, “mund të vijnë 20 këngëtarë dhe të mos shkruajnë asnjë tekst, mund të mos vijë asnjë e unë kam shkruar 4 të tilla”, pohon ai. Për më tepër ai citon të madhin Kadare: “Unë jam shkrimtar dhe do të vdes i tillë. Jam thjesht shkrimtar shqiptar e nuk kam asnjë kontratë të shkruar me popullin tim se si të shkruaj, pra jam sovran me veten time”. Në vitin 2009, artisti u nderua me çmimin “Mjeshtër i madh i punës” nga ish-presidenti Topi.