Në shkurt të këtij viti, policia ka vrarë gabimisht një shqiptar, duke e çuar numrin e të vrarëve në 87 viktima të pafajshme. Fjala bëhet për të riun 25 vjeçar, Niko Todi që u vra më 19 shkurt të këtij viti dhe që tronditi opinionin vendas, po më shumë se këdo familjen dhe prindërit e tij, të cilët sot me dhembshuri ndjejnë mungesën e djalit të tyre. Por si gjithnjë në këto raste fatkeqësie, familja e viktimës kishte marrë ngushëllime edhe nga Presidenti grek Karolo Papulias që është shprehur: “Unë shpreh keqardhjen time të thellë për humbjen e padrejtë të qytetarit tonë të pafajshëm. Në familjen e Niko Todit dhe njerëzve të tij, u përcjell mbështetjen time të plotë dhe shpreh simpatinë time të thellë”. Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Hristohoridis ka thënë: “Nuk mund të themi për një sukses të operacionit, kur në të humbet një jetë njeriu, humbet një i ri punëtor dhe familjar. Por bëmë të mundur që të kapim kriminelët më të ashpër gjatë këtyre 30 vjetëve. U dha një betejë e ashpër por...”. Më pas ministri Hristohoidis nëpërmjet mediave, pati dhënë edhe “një premtim” nëpërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë z. Eleftherio Ikonomou, por megjithëse kanë kaluar mbi tre javë e gjysmë nga vrasja e pafajshme të riut shqiptar, premtimi mbeti vetëm premtim.
Sot, çdo gjë në harresë
Askush nuk është kujdesuar për prindërit dhe familjen e viktimës. Askush nuk u ka trokitur në derë nga autoritetet vendase për të parë se me ç’të ardhura jeton gruaja dhe fëmija e tij. Asnjë nga politika greke apo dhe shqiptare nuk ka treguar ndonjë interesim njerëzor, për të ulur sa do pak dhimbjen e të afërmeve, që pas asaj dite të humbjes së Nikos, sot janë braktisur në një kohë kur me ligj duhej të ishin ndihmuar ekonomikisht
Të afërmit në kërkim të së drejtës
Të afërmit, pasi kanë parë indiferentizmin e burokracinë e shtetit grek, kanë trokitur në dyert e autoriteteve vendore për të marrë më në fund ndihmë sociale. Nga Anastas Murati mësojmë përpjekjet që ka bërë së bashku me gruan dhe të afërmit e tij, në dyert e Prefekturës së Athinës, përball një mal kërkesash burokratike. Edhe pse dihet shkaku i vrasjes, që i riu 25 vjeçar u vra në punë e sipër nga policia, burokratizmi shtetëror grek, si autoritete vendore ashtu edhe dikasteret shtetërore, pa asnjë arsye mbajnë pezull ndihmën sociale apo ekonomike sipas ligjit vendas në fuqi.
Prefektura: 44 euro shpërblimi për vdekjen
Mbetëm të ofenduar dhe të indinjuar kur mësuam se familjes së viktimës i kishin lidhur një ndihmë sociale prej 44 euro në muaj. Kjo ndihmë sociale prej 44 euro i jepej nga Prefektura e Athinës për fëmijën 18 muajsh, ndërsa për gruan dhe prindërit nuk ishin parashikuar nga kjo prefekturë. Sipas ligjeve vendas në fuqi, familja e viktimës përfiton edhe një pension, pasi vrasja e tij konsiderohet si një aksident në punë. Por deri në këto momente, familja po ndeshet me një burokraci të paparë, e indiferentizëm të çuditshëm ku kalon çdo lloj fantazie njerëzore.
Të afërmit: 44 euro ja bëjmë dhuratë burokracisë së shtetit
Të indinjuar sa nuk bëhet më, për vlerësimin njerëzor që u bëhet nga shteti, duke i lënë tashmë në mes të rrugës, pa asnjë ndihmë ekonomike, familja vendosi që këtë shumë prej 44 euro t’ia bëjë dhuratë burokracisë së shtetit dhe autoriteteve vendore.
Premtimi mbeti vetëm premtim
Opinioni vendas dhe komuniteti shqiptar mësoi nëpërmjet mediave vendase dhe të huaja, premtimin e bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Eleftherios Ikonomi, se do të punësonte pranë forcave të policisë gruan e të riut 25 vjeçar. Po edhe ky premtim mbeti i tillë, dhe duket se u dha sa për sy e faqe para opinionit.
Hipokrizia e ambasadës shqiptare
Por deri kur? Një detyrë i mbetet Ambasadës Shqiptare në Athinë që larg çdo hipokrizie, të bëjë detyrën që i takon, kur ka të bëjë me raste të tilla fatkeqësie dhe padrejtësie që i bëhen bashkëkombësve të saj. Si përfaqësuese e shtetit, duhet të bëjë përpjekje që emigrantët tanë të respektohen dhe të mos u shkelet dinjiteti edhe kur nuk janë më në jetë. Besoj se kjo është detyra e saj për të ndjekur çështjet e kësaj natyre, pasi njerëzit janë dhe prandaj i marrin dhe paratë. Kur do të vijë ajo ditë që emigrantët të ndjejnë dorën e shtetit të tyre në vend të huaj?...
TiranaObserver