Nje kafe alla shqiptarce

Një kafe alla shqiptarçe
Populli shqiptar thotë “kafja është e zezë, por të zbardh faqen” duke iu referuar elementeve bazë të mikpritjes. Kanuni i së drejtës zakonore përfshin kafen në ritualin e mikpritjes: “Për çdo mik duhet bukë si han vetë; për mik të mirë duhet kafja, rakia e buka e shtrueme me ndonji send më tepër; për mik zemret duhet duhani, kafja e ambël, rakia e bukë e mish”.

Vetëm te shqiptarët vërehet tendenca e krijimit të një kafeje të përbashkët, ku të gjithë bashkohen me mall. Kudo ku shkojnë në Amerikë, Kanada, Australi, Europë, shqiptarët vendosin si vend takimi një kafene, ku takohen me mall e flasin për vendin e tyre.

Por kjo jo vetëm jashtë vendit.  Edhe në Tiranë vëren kafene me emra qytetesh, si kafja eVlorës, kafja e Skraparit etj.

Kafeneja, ndërkaq, është vend publik në të cilin pija konkrete ka funksion dytësor, sepse në plan të parë paraqiten marrëdhëniet specifike shoqërore dhe atmosfera e përgjithshme.

Emigrantët në Bullgari

Kafe-teatri në Bullgari, eshte krijuar nga emigrantët shqitare atje dhe mbi kete baze te kafenese eshte ngritur edhe seriali televiziv shqiptar “Kafeneja jone”.

Historikisht është me interes fakti se veprimtaria iluministe e emigrantëve shqiptarë në Bullgari në kohën e Rilindjes pati filluar shumë para se të themelohej shoqata e tyre “Dëshira”.

Dyqani dhe bujtina e Dimitër Molesë, si dhe kafeneja “Albania” e intelektualëve dhe shkrimtarë Spiro Garo dhe Adam Shkaba në Sofje ishin qendra kulturorë për shqiptarët në mërgim. Atje lexoheshin dhe shpërndaheshin libra shqip, mësohej alfabeti i Stambollit në të cilin shtypeshin botimet shqiptare në Bullgari. Shoqata “Dëshira” u krijua pikërisht në hanin e Dimitër Molesë më 1 janar 1893. Shumë prej aktiviteteve kulturore të shoqatës organizoheshin nëpër lokale dhe kafene. Një shembull i dokumentuar qe mbrëmja festive në kafene “Odesa” më 1903 me program dygjuhësh, ku veç shqiptarëve merrnin pjesë edhe mbi 200 bullgarë.


Një shekull më vonë kafenetë e tymosura në Gjermani ku lexohen gazetat shqip do të përmenden në vëllimin poetik “205” të Beqe Cufajit kushtuar jetës së rëndë të emigrantit.

Këto vlera të padiskutueshme të kafenesë në mërgim kanë kundërpeshë brenda përbrenda territoreve shqipfolëse. Në veprën e parë në prozë të Ismail Kadaresë, tregimin “Ditë kafenesh” jepet një vlerësim domethënës për kafenenë si institucion. Kafeneja ka joshje absolute si objekt: “me gjithë përpjekjet shpirtërore, nuk mundëm t’i shmangeshim dot fatalitetit tonë, kafenesë”, por njëkohësisht atmosfera atje nuk është e shëndosh: “Në kafene kishte më shumë tym se çdo herë. Tymi qëndronte lart sikur nuk donte të përzihej me njerëzit”.

Nëse këtë aspekt të zhvillimit të kafenesë mund ta etiketojmë si “të mëhallës patriarkale”, duhet pa tjetër ta krahasojmë më rrymat që kanë depërtuar në Ballkan nga zemra e Evropës.

Fjala është për një sjellje të demonstruar herë elitare dhe herë boheme, të përshkruar bukur si gjurmë në shqip një poemë të Migjenit, “Mbas tryezës” në “Kangët e rinisë”

Kashtu ne të rijve na kalon nata:

Pranë tryezës mermer-falso, me gotë të plotë a boshe,

Me kujdes të madh ndejun (si e lypë dans-edukata)

Te ngrehun, të grimë, të stolisun

E ftyrash të qindisun

Me pudër, karmin...jo!-por me përshtypje të mirë

Që na e sjell zojusha e bukur me hir

Tu’na buzqeshë ambël, buzësh të kuqe si gjaku

Ky fragment jep një ide në shqip për rrymën në fjalë dhe sugjeron se ai fenomen nuk ka qenë krejt i panjohur në jetën e intelektualëve të rinj të viteve ’30, pavarësisht se biografitë zyrtare të autorëve klasikë shqiptarë janë përgjithësisht asketike. Kjo nuk vlen vetëm për jetën e tyre personale, por edhe për procesin e krijimit, për frymëzimin, për burimet e ideve letrare. Flladi joshës artistik i kafenesë do të zbulohet nga këndvështrime të ndryshme shumë më vonë në brezat vijues. Në poemën “Baladë për poetin e kafenesë së lagjes sonë” të Eqrem Bashës në sytë e një fëmije të mahnitur talenti i poetit materializohet në gotën e rakisë dhe lidhet me aftësinë ajo të pihet deri në fund. Refreni “rakia nuk ishte raki, por kishte një emër tjetër” mbetet si një tabuizim i procesit krijues, i cili përgjithmonë do mbetet i fshehtë për njerëzit jashtë zanatit:

mos ia nxirr fundin – flitna për librin tënd

poet i kafenesë në këndin e rrugës sime të ngushtë

....

shpesh i pata thënë vetes të bëhem i mençur si ti

dhe me një hurpë ta pi një gotë raki të fortë

....

ti dije aq fjalë të mëdha dhe pije aq shumë raki

Kafeneja si pikëtakimi i elitës letrare del në pah në Shqipëri pas viteve ’60 si element i nostalgjisë për aristokratizmin e ndaluar. Në kohën e Kadaresë dhe Dritëro Agollit shkrimtarët e afirmuar tashmë identifikohen edhe me lokalin e tyre. Në poezinë “Më mirë të kujtosh të bukurën” Dritëro Agolli e kujton atë si “kafe e vjetër”, ku të tre elementët: kafeneja, poeti dhe muza, paraqiten nga prizma e moshës si viktimë të natyrës së tyre fizike dhe materiale.

Të mori malli për mua një ditë në paqe?

Ah, lëre mallin e varfër të qetë!

Të vjen në mend në qytet ajo Kafe,

Ku hynin artistë e poetë?

Ti kishe këmbë të bukura shumë,

Nga këmbët e tua poetët lajthitnin,

S’do mend që lajthitja dhe unë

Si gjithë ata që të pritnin.

Vërtetë të mori malli për mua?

Mos eja!...Lëre mallin të fjetur!

Tani unë u plaka dhe kafet e hershme s’i dua,

Pastaj as e di se nga këmbët e tua ç’ka mbetur...

E njëjta vetëironi delikate dhe trishtim karakterizojnë novelën e Kadaresë “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje”, ku gjejmë përsëri nostalgjinë e trinomit kafene-poet-muza. Autori sajon një paralel të pazakontë midis Lidhjes së shkrimtarëve si organizëm dhe fatit të kurtizanes së fundit në Tiranë. Ajo banon në rrugicat përballë selisë së shoqatës, u drejtohet vizitorëve të përzgjedhur me formën e përjashtuar “zotëri” dhe në orën tre të mëngjesit i përcjell me kafe. Edhe pasi në kryeqytet mbyllet kafeneja e fundit private, ajo akoma simbolizon shpresën e ngrohtë se “diku një kafe vazhdonte të servirej në tre të mëngjesit”. Novela është ndërtuar si alegori e dyfishtë, pasqyrë e pasqyrës dhe na çon tek çështja e kafenesë metaforike, qe u prezantua si temë në bullgarisht nga Rusana Bejleri në Sofje, në dhjetor, 2005.

Po të kërkojmë bazë përgjithësuese për krahasim me letërsitë e tjera, tendenca dominuese në relatat kafene-poet është pozitive në mërgim dhe negative brenda trojeve shqipfolëse, kurse lidhja asociative kafene-muzë paraqitet e zbehtë. Analogji më të përshtatshme do të ishin “Sonet i vetmuar për vetminë” të Agim Vincës I vetëm. Pres. Pragun t’ma zgjosh. Muzë apo grua – frymëzimi im mitar, Alpinisti nga romani me të njëjtin titull të Eqrem Bashës, i cili niset fare vetëm për të pushtuar malin e Virgjëreshës, ose në rastin më të mirë, siç shkruan Ismail Kadareja në “Ftesë në studio”, legjenda për zanën që vjen natën në shtëpinë e të zgjedhurit dhe është gati të bëhet nusja e tij e mrekullueshme, por me kusht se ai s’ka për t’i thënë askujt për të. Sa për kafenë mbetet në fuqi lutja poetike e zjarrtë e bardit oriental Muçi Zade të vitit 1724, që është edhe vjersha e parë e zbuluar në shqip e rrymës letrare të bejtexhinjve me refrenin: Imzot, mos më lerë pa kahve!

Orjeta Zhupa
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama