Togerja Yllka Cana, e larguar nga Kosova si një refugjate lufte në moshën 10-vjeçare, pritet të gradohet shumë shpejt kapitene në ushtrinë amerikane. Lajmin e bëri të ditur dje ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila shprehu, “urimet më të mira vajzën që po nderon familjen dhe kombin”.
Gjatë tensioneve në Kosovë në vitin 1999, familja e saj emigroi, por nuk e mendonte kurrë që jeta e tyre do të merrte rrjedhë tjetër. Sot Cana është kthyer nga misionet ushtarake në Kore, Gjermani e kudo tjetër.
Yllka shumë shpejt do të ngrihet në detyrë në radhët e ushtrisë amerikane.
“Të rritesha në një vend të copëtuar nga lufta më bëri të ndjeja e të kuptoja dhimbjen dhe vështirësitë që njerëzit kalonin, sidomos fëmijët. Përjetimi i luftës është një nga arsyet që më bëri të doja t’i bashkohesha ushtrisë. Doja gjithmonë të isha ai personi që ndihmon të tjerët”, thotë Cana për “Kosova Press”.