Nje konference dhe nje artikull ne FAZ

Një konferencë dhe një artikull në FAZ
Një konferencë dhe një artikull në FAZ

Mësojmë që Qendra e Studimeve Albanologjike së bashku me Universitetin "Marin Barleti" planifikon për muajin maj një konferencë për Skënderbeun, imazhin e tij etj. Pa paragjykuar atë që do të ndodhë në këtë konferencë, mund të pohojmë pa ngurrim se pak gjasa ka të sjellë të reja shkencore.


Nëse do të kishte ndodhur diçka e re, një zbulim arkivor, një prurje dokumentare që do të meritonte shkundjen e opinionit shqiptar edhe një herë për Skënderbeun, ne këtë do ta kishim dëgjuar. Por të paktën deri në këtë orë që po shkruajmë nuk dimë të kenë ndodhur zbulime të tilla.


Ndërkaq konferenca për Skënderbeun kohët e fundit ka patur shumë. Vetëm në vitet 2006-2007 u zhvillua një triptik konferencash skënderbejane: në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Dhe mund të thuhet pa frikë se, në kujtesën kombëtare ato janë si të mos kishin qenë.


Nga ana tjetër, prej botimit të "Skënderbeut" të Oliver Schmittit shpërtheu një debat kombëtar në përmasa të panjohura më parë për një libër të vetëm. Të panumërt artikujt që u shkruan kundër tij, tek-tuk ndonjë që e merrte në mbrojtje, veç libra dolën plot pesë, nga autorë që në pjesën më të madhe nuk njiheshin deri m'aty si historianë e që sot po njihen e shumta si deputetë.


Pa dyshim që publiku ndjeu lodhje pas një tirade të tillë. Këtë e ndjenë fare mirë botuesit e gazetave që hoqën dorë dalëngadalë nga tema e Skënderbeut dhe (duket përkohësisht) ajo e çmitizimit ose korrigjimit të historiografisë.


Tjetër reagim kanë lexuesit, ai publik anonim që lexon dhe nuk komenton, e blen librin për vete dhe për fëmijët. Me këtë më ka qëlluar të komunikoj në mënyrë të rregullt, meqë jam botues i veprës së Schmittit, dhe mund të them këtu me siguri se libri nuk qe ndonjë meteor që ra në qiellin shqiptar dimrit të kaluar për t'u fikur shpejt e shpejt, një bestseller me debat të shpifur, por një vepër serioze nga ato që ke qejf ta kesh në bibliotekë, për vete dhe për fëmijët.


Por nuk kanë hequr dorë nga debati me sa duket historianët tanë. Në qoftë se në valën e parë folën shkrimtarë dhe patriotë, në valën e dytë kritikë letrarë, historianë pensionistë dhe presidentë, tani duket ka ardhur radha e historianëve profesionistë aktivë.


Mirë dhe bukur, më tepër s'mund të themi në këtë shoqëri të lirë ku kushdo flet e shkruan e konferon atë që do; e shumta mund të sugjeronim që paratë publike, si ato nën administrim të Qendrës mund t'ishte më e udhës të shpenzoheshin ose për kumtime te reja shkencore ose për punëra arkivore për të cilat historianët tanë ankohen shpesh që nuk i bëjnë ngaqë s'kanë financime.


Ajo që më bën përshtypje këto ditë, ndërkohë që marr njoftimin për konferencën e ardhshme, është mesazhi që japin recensionet e ndryshme të cilat po botohen në vendet e gjuhës gjermane me rastin e daljes në gjermanisht të "Skënderbeut" të Schmittit.


Njërin prej tyre të botuar në Neue Zürcher Zeitung lexuesi e pa në shqip te "Shekulli" muajin e kaluar. Dje ka dalë një tjetër shkrim në një nga gazetat kryesore të Gjermanisë, Frankfurter Allgemeine Zeitung.


Autori, Michael Martens, pasi përshkruan figurën e Skënderbeut, luftërat e tij dhe jehonën e jashtëzakonshme që pati kjo figurë përmes veprës së Barletit në Europën e shekujve 16-18, cek atë që ndodhi në Shqipëri gjatë Rilindjes Kombëtare e sidomos nën diktaturën e Enver Hoxhës: "Kur vdiq më 1468 Skënderbeu la pas një vend të shkatërruar. Mirëpo me vdekjen e tij filloi karriera e tij e dytë si figurë simbol e luftës kundër turqve.


Për herë të tretë ai u shpik nga lëvizja kombëtare shqiptare në shekullin 19. Sot ekzistojnë dy Skënderbegë: ai historiku dhe heroi kombëtar i ngritur në mit, siç paraqitet në shkollat shqiptare dhe nga intelektualët nacionalistë në Tiranë ose Prishtinë. Të dy kanë të bëjnë me njëri-tjetrin më pak se ç'kanë të bëjnë kushërinjtë e largët.


Imazhi i sotëm i Skënderbeut përcaktohet ende në mënyrë vendimtare nga epoka e komunizmit, kur princi mesjetar erdh e u mbrujt në trajtat e heroit kombëtar shqiptar. Sa më shumë futej në izolim Shqipëria e Enver Hoxhës, aq më "kombëtar" bëhej Skënderbeu. U sugjerua një unitet fiktiv i fisnikëve shqiptarë në luftën kundër osmanëve.


Mirëpo Skënderbeu nuk mund të quhej "prijësi i shqiptarëve", edhe vetëm sepse kryengritjen e tij e ndoqën jo vetëm ortodoksë shqiptarë, por edhe bullgarë, serbë ose vllehë. Aleati i tij më besnik në Arbëri ishte kisha katolike, e cila, ndryshe nga zotërinjtë e tjerë luftëtarë, nuk e tradhtoi asnjëherë."


Martens vëren pra, atë që edhe sot, jo vetëm letrarët tanë deputetë, por shpesh edhe historianët profesionistë nuk dëshirojnë ta shohin: "kozmopolitizmin", a-nacionalizmin apo ndërballkanitetin e një figure si Skënderbeu (qoftë dhe si Balsha ose si Topia që krenoheshin me lidhjet e tyre ndërkombëtare, ky i fundit madje edhe duke thënë se ishte bir ilegjitim i Anzhuve).


Në një kuptim Gjergj Kastrioti i shekullit të 15 në mendjen dhe veprimin e tij ishte shumë më ballkanik dhe më europian sesa janë debatuesit tanë të shek. 21 edhe pse të gjithë thonë se janë për integrimin europian.


Mirëpo i tillë ai "nuk përputhet me imazhin e heroit kombëtar", vazhdon Martensi, "veçse spërdredhja nacionaliste që ka bërë komunizmi vazhdon të ketë veprim të fortë edhe sot në Shqipëri, në Kosovë dhe në trevat shqiptare të Maqedonisë. Nderimin për heroin, të drejtuar shtetërisht, e ndjeu mirë edhe Schmitti.


Botimi i librit të tij në Shqipëri shpërtheu një furi nacionaliste ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare. Kjo ngaqë Schmitti kishte guxuar të trajtonte në librin e tij, sadoqë në mënyrë anësore, çështjen e përkatësisë etnike të Skënderbeut, diçka që në atë periudhë të mesjetës luante një rol krejt të dorës së dytë."


Autori i artikullit në FAZ e mbyll recensionin e tij duke treguar admirimin "për gjithë atë material që ka arritur të mbledhë autori megjithë mangësinë e materialeve burimore - që mund të jenë më të pasura bie fjala për qenin e dashur të Piut Ι - duke na dhënë figurën e një prijësi kryengritës të keqkuptuar, i cili vazhdoi të jetonte në memorien e Europës si hero vezullimtar, ndërkohë që ishte figura tragjike e një kohe në shndërrim."


Nuk dëshiroj aspak ta marr këtë shkrim si pasqyrë të së vërtetës, përkundrazi do desha në përgjithësi që t'i lëmë më shumë kohë vetes për të mësuar dhe reflektuar mbi një periudhë të largët, me dëshmitarë të pakët, e sidomos me një hero të mbuluar me shtresa mitologjike. Mbetem përherë i bindjes se të vërtetat historiografike si ato që ka parashtruar Schmitti në veprën e tij nuk janë të palëvizshme. Veçse ato mund të lëvizen vetëm nga një punë e ngulmët shkencore e sidomos nga zbulime arkivore.


Por nga ana tjetër nuk mund të rrimë të verbër para figurës që bëjmë në Europë me debatet tona diletante dhe emotive, me shpallje përkujtimoresh dhe anatemime armiqsh të rinj kombëtarë. Uroj që konferenca e majit të mos jetë në këto ujëra dhe le të ma falin organizuesit bindjen krejt personale që sot për sot ajo ngjan të jetë e padobishme.


Ardian Klosi : Shekulli Online

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama