Si njerëz të artit, nuk kanë si të mos jenë të ndjeshëm ndaj një pjesë vërtet thesar të kulturës së trashëgimisë sonë gojore. Kënga jonë popullore qytetare mbart vlera vërtet të veçanta që e bëjnë unike për nga muzikaliteti dhe poezia që i shoqëron në Ballkan. Askush si shqiptarët nuk ka vargje kaq domethënëse që të shoqërojnë muzikën. Mjafton të kujtojmë këngët qytetare shkodrane që të bëjnë të jetosh historinë e një romance që ka ekzistuar kohë më parë, në kohët kur autorët e këngës e kanë ngjizur në muzikë dhe tekst, por që duket aq e bukur edhe sot…
Nëpërmjet këtyre këngëve ne sot i bëjmë një rishikim së shkuarës. Shohim mënyrën sesi ata që kanë jetuar para nesh e konceptuan të bukurën dhe se si e përfytyruan atë. Apo këngët për dashurinë, ato këngë që janë të pazëvendësueshme edhe sot…
Tusha dhe Nallbani kanë bërë një përzgjedhje të kujdesshme të këngëve më të bukura të trevave të ndryshme shqiptare, në mënyrë që të sillnin të plotë në një mbrëmje të gjithë identitetin tonë. Gjerdanit të muzikës popullore qytetare nuk do t‘i mungojnë momentet nga trevat tona të ndryshme. Në orët e gjata të së martës publiku do të ketë mundësinë të ndjejë atë çfarë kanë transmetuar nëpërmjet këngës të parët tanë, atë që ne ende e duam sot.
Nallbani e quan vërtet një pasuri dhe muzikën e trevave shqiptare që jetojnë jashtë Shqipërisë, si muzika e arbëreshëve, e shqiptarëve të Malit të Zi, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës. Për t‘i pasur të pranishme këto pjesë të identitetit tonë, dy këngëtarët kanë ftuar për të përshëndetur këtë koncert recital grupin e valleve të Malit të Zi. Të gjithë ata që kujtojnë shoqërimin e këngëve me valle, do të kenë mundësi të shohin gjatë këtij recitali dhe dy nga simbolet e valleve shqiptare.
Liliana Cingu dhe Rexhep Çeliku do të shoqërojnë me kërcim disa nga këngët e interpretuara nga Nallbani dhe Tusha.
Ata që do t‘i japin mbrëmjes pak më shumë klas dhe do të krijojnë atmosferën e duhur për shoqërimin e këngëve janë dhe dy formacionet e harqeve dhe të frymës, të cilët përbëhen nga pedagogët më të mirë të Akademisë së Arteve.
Për Nallbanin, e gjithë përmbajtja e këngëve është një mori vlerash. Të gjitha vendet ndjejnë herë pas here nevojën për t‘u prehur te kultura e tyre. Dhe muzika popullore qytetare është ajo që të bën të mendosh mbi të shkuarën tënde dhe të çmosh më tepër vendin tënd. Ky recital është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe nën kujdesin e zonjës Liri Berisha. Produksioni është i televizionit "Top Channel".
Gjithçka do të jetë nën funksion të muzikës. Dhe skenografia nuk do të jetë thjesht një skenografi e zakonshme, por do të shoqërojë me ilustrime imazhet më pikante të qyteteve të ndryshme shqiptare, siç janë për Shkodrën fotot e Marubit.
Nallbani tregon se këngët e përzgjedhura për t‘iu ofruar publikut të martën janë vërtet unike në stilin e tyre. Ato janë një përfaqësim i mirë i krahinave nga janë marrë dhe tregojnë se sa shumë dashuri na vjen nga e shkuara.
E marta do të jetë një mbrëmje e gjatë e mbushur plot tinguj, që do të shoqërohen nga zërat e dy prej këngëtarëve tanë më të mirë, Manjola Nallbanit dhe Kastriot Tushës.
Nga : Gazeta Shqip