Nje mesues i keq i letersise eshte faliment i pashlyeshem

Nje mesues i keq i letersise eshte faliment i pashlyeshem

Në kushtet e mungesës së librarive moderne, panairet e librit janë ngjarje të rëndësishme që e afrojnë njeriun me librin. Në intervistë për “Shekullin” Prof. Asoc. Dr. Persida Asllani tregon se leximi i një libri të bukur, por edhe i vetëm një fragmenti apo një poezie të bukur, na shoqëron estetikisht, qoftë edhe si gjurmë emocionale, gjithë jetën. Sipas saj, duhet të kujdesemi që të shkojmë drejt letërsisë së mirë, me vetëdije dhe me kërkesa të thella estetike. Një individ që nuk e ka profesion letërsinë ka shansin që të lexojë rreth 2000 vepra gjatë jetës së tij.

 Kur flitet për librin në ditët e sotme, vihet re një marrëdhënie plogështie a indiferentizmi. Vijojmë të mbetemi në klishetë e paragjykimit apo për brezin e ri, libri konkurrohet nga mjete të tjera, të cilat largojnë vëmendjen ndaj tij?

Mund të themi se e tashmja e shoqërisë njerëzore karakterizohet nga një dinamizëm specifik e i panjohur për epokat e mëparshme. Kësaj dinamike të re nuk mund t’i shmangej as marrëdhënia jonë me librin dhe leximin. Ritmi i përshpejtuar i jetës, i udhëtimeve, shkëmbimeve, “atypëratyshmëria” e informacionit që përcillet në mënyrë globale, qarkullimi sistematik përmes teknologjive digjitale etj., kanë ndërtuar një realitet të ri të informacionit dhe të librit, por ndoshta edhe një “kohë të re” të leximit. Sot burim informacioni nuk është më në mënyrë ekskluzive vetëm libri, por gjithnjë e më tepër po plotësohet nga hapësira virtuale e internetit, i cili, në mënyrë përherë e më të strukturuar përcjell informacion, shtjellim, debat. Edhe për vetë librin letrar mund të themi se po krijohet një realitet i ri e paralel me atë tradicionalin. Bibliotekat dhe libraritë digjitale na e vërtetojnë këtë gjë.

 Pra, ndoshta ajo “plogështia” në marrëdhënie me librin do të thoja se është më tepër një “plogështi” e formës tradicionale të qasjes ndaj librit dhe informacionit. Mendoj se edhe në Shqipëri ka ardhur koha të mendojmë për forma më dinamike të librit dhe të afrimit të tij me lexuesin e ri, i cili, gjithnjë e më tepër do të na imponojë rikonceptimin e marrëdhënies me librin, me bibliotekën, me librarinë moderne dhe me forumin dhe mediumin modern të librit. Sidoqoftë, nëse do më duhet të jap një këshillë, sidomos për të rinjtë, do t’i nxisja ata të bëheshin më tekanjozë në lexim..., pra më kërkues, duke e dëshiruar leximin si një përmbushje të plotë. Duhet të kujdesen të shkojnë drejt letërsisë së mirë, me vetëdije dhe me kërkesa të thella estetike. Sipas një statistike, që unë e marr të mirëqenë, thuhet se një individ që nuk e ka profesion letërsinë ka shansin që të lexojë rreth 2000 vepra gjatë jetës së tij. Prandaj po këshilloj kujdesin në përzgjedhjen e librave. Koha e leximit duhet të jetë një kohë e çmuar, që na shpie përtej ngjarjes së treguar në libër (si subjekt telenovele) drejt perceptimit dhe shijimit artistik që ofron arti i mirëfilltë.

A shërbejnë panairet për të sjellë në vëmendje dashamirësinë dhe miqësinë me librin?

Formati i zakonshëm i një panairi libri synon më së shumti shkëmbimet e informacioneve mes strukturave të specializuara të librit, që nga botuesit, shpërndarësit, autorët, përkthyesit, gazetarët, forumet mediatike, kritike etj. Por edhe publiku ka pjesën e vet të “përfitimit”. Veçanërisht në Shqipëri, në kushtet e mungesës së librarive moderne, me hapësira komode e kushte të shfletimit të librit si proces njohjeje me të, në kushtet e një kakofonie të informacionit që më së shumti e krijojnë vetë botuesit dhe mediat, panairet e librit janë ngjarje të rëndësishme që shërbejnë, ndër të tjera, për të tërhequr vëmendjen ndaj librit në mënyrë masive. Publikut i ofrohet mundësia të perceptojë tërësinë e botimeve, të ndjekë prezantime të specializuara, të takojë autorin e zemrës, dhe pse jo, edhe të blejë më lirë.

Personalisht, së bashku me kolegë të mi të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, sapo vijmë nga përvoja jonë më e fundit në organizimin e Panairit të Ditës Botërore të Librit, që kremtohet në fakultetin tonë çdo 23 prill. Është një ditë e veçantë dhe shumë e bukur për studentë, pedagogë, autorë, përkthyes dhe botues, teksa përjetojmë të gjithë së bashku, e madje njëkohësisht në të gjithë botën në kuadër të UNESCO-s, një festë të bukur të librit. Prej më se 7 vjetësh, Departamenti i Letërsisë i këtij Fakulteti, ka trajtuar debate të ndryshme dhe ka nxitur studentët dhe publikun drejt disa këndvështrimesh të reja leximi, duke prezantuar ndër të tjera rezultatet e punës sonë shkencore me letërsinë shqipe e botërore, si për shembull çështje të tilla të marrëdhënies së letërsisë me qytetin, si entitet fizik, arkitekturor e urbanistik por edhe entitet shpirtëror, mendor e politik; çështje të marrëdhënies së letërsisë me Vdekjen, si aspekt ekzistencial i qenies, por edhe si sprovë e madhe e shkrimit (dhe më lejoni të theksoj se është e vështirë ende të vdesësh në letrat shqipe...); çështje të marrëdhënies së letërsisë me Erosin, të letërsisë me Politiken dhe Ideologjiken, etj.

Për sa i përket të mësuarit dhe studimit të letërsisë në shkolla, çfarë duhet të ndryshojë?

Të gjithëve ju kujtohet mësuesi ose mësuesja e pasionuar e letërsisë! Falë punës së këtyre njerëzve na është edukuar dashuria për librin, letërsinë, leximin. Nga përvoja ime personale shumë e bukur, por edhe shumë e vështirë e mësimdhënies, jam në gjendje të kuptoj dhe të pohoj se çfarë falimenti i rëndë e i pashlyeshëm është një mësues i keq i letërsisë. Por i tillë është sot edhe një libër  shkollor i letërsisë, i bërë pa kujdes dhe pa refleksionin e duhur shkencor, estetik, pedagogjik e metodik.

Ndër të gjitha dijet që përcillen në shkolla, vetëm letërsia është art, me specifika që nuk i kanë disiplinat e tjera të dijes, dhe si e tillë, ajo nuk mund të përcillet përmes ngurtësimit të interpretimit të zyrtarizuar e pedant. Një nga specifikat e artit dhe të letërsisë veçanërisht, është polivalenca (shumëkuptimësia, mundësia për t’u lexuar në disa nivele kuptimore e formale). Kemi gjithmonë një shumësi leximesh, ku njëri mund të jetë më i sofistikuar dhe tjetri më i thjeshtë, por janë të gjitha marrëdhënie të drejtpërdrejta që ne krijojmë me leximin. Kjo është e bukura e artit dhe shansi i madh që krijojmë me letërsinë, përndryshe do t’i kishim shkëputur lidhjet tona sidomos me traditën e me letërsinë e Antikitetit.

Veprat e mëdha për breza me radhë kanë qenë në qendër të korpusit letrar, por a ka gjasë që vepra të humbura në vite e shekuj të ringjallen?

Kanë ardhur kaq shumë breza pas Homerit dhe sërish ai vijon të lexohet, por ne nuk e lexojmë më siç e lexonin lexuesit e Antikitetit. Letërsia jep mundësi për t’u kuptuar dhe shijuar në breza të ndryshëm. Natyrisht, kjo lidhet me ato tekste     që janë kryevepra, të cilat bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të njerëzimit. Por, mund të ndodhë që në një moment të caktuar një studiues të zbulojë një tekst të humbur apo të parëndësishëm për një brez, i cili mund të shndërrohet në libër shumë interesant për një brez tjetër.

A i njohim sa duhet shkrimtarët bashkëkohorë sot dhe angazhimin e tyre në botë?

Shkrimtari sot nuk është më perëndia e fshehur, të cilit mezi i zbulojmë portretin, por përkundrazi është shumë i arritshëm, e madje televiziv e digjital. Sot e kemi më të lehtë për të kuptuar hapësirën shpirtërore, letrare, artistike dhe politike të një shkrimtari. Dikur ka pasur një debat nëse duhet të shkruajmë letërsi të angazhuar apo do të bëjmë letërsi të tipit “art për art”. Pra, nëse do të bëhet art në trajtat fine, delikate duke i kushtuar vëmendje formës dhe përsosmërisë, i shkëputur kryekëput nga realiteti politiko-social, apo të bëhet një art më i angazhuar, më pranë njerëzve dhe problematikave të tyre. Dalëngadalë është mbërritur te një formë e tretë, ku thuhet se ka angazhim në art, por ai vjen nëpërmjet ligjërimit si formë e aktualizimit të gjuhës. Pra, në njëfarë mënyrë kjo e zbërthen shkrimtarin si qytetar të botës.  

23 prilli, një libër dhe një lule dhuratë

Çdo vit prej afro një dekade në të gjithë botën kremtohet Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e së Drejtës së Autorit duke i vënë theksin pikërisht autorit si krijues dhe si dinjitet. Përse u zgjodh 23 prilli? U vu re rastësisht për shkak të të dhënave kalendarike që në 23 prill kishte shumë ditëlindje shkrimtarësh dhe shumë ditëvdekjesh. Në një farë mënyre ishte një ditë rastësore si ditë kozmike që bashkonte fatet e shumë shkrimtarëve. Kështu u vendos një ditë e veçantë për ta shkëputur nga përditshmëria e leximit dhe marrëdhënies me librin.

Sigurisht, që ne nuk presim 23 prillin për të blerë një libër ose për të lexuar, por është një ditë e veçantë ku ka më shumë hapësirë për më shumë përkushtim për librin dhe autorin. Për të bashkuar të bukurën me natyrën si me të bukurën e krijimit është vendosur në të gjithë botën dhe në Shqipëri më pak, që bashkë me një libër të blerë të dhurohet dhe një lule dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë është një ndër të paktët institucione që e organizon Ditën e Librit prej 7 vitesh. Ka libra të natyrës përgjithësisht letrare, por edhe studimore dhe ka promovime dhe prezantime librash specifikë që bëhen nga autorë dhe kritikë të specializuar. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama