Para 20 vjetesh pata parë në televizion nje dokumentar Italian mbi Kubën, në të cilin ndër të tjera nënvizoheshin tiparet humane në atë shoqëri ishullore të detyruar nga diktatura të jetonte në izolim. Kronistët nga Bota e lirë çuditeshin me ngrotësinë dhe çiltersinë që i rrethonte.
Kamera kapte lagje te Havanës, ku mungesën e makinave e mallrave e mbushnin marrëdhëniet miqësore mes qytetarëve, këmbimet e vizitave mes familjeve dhe këngët e të rinjve nëpër lokalet e varfëra.
Mu kujtua në çast një tjetër dokumentar, i Michelangelo Antonionit, mbi jetën e përditshme tejet të varfër në rrugët e Pekinit të viteve '80, një kryevepër që më kishte lënë të njëjtën mbresë, për shkak të kontaktit njerëzor të ngrohtë që transmetonte dhe për çiltërsinë naive të fizionomive.
Më erdhi në mend ajo që është thënë se varfëria përbën një kusht optimal që njeriu të mbetet njerëzor, kurse pasuria përgjithësisht ia mbyll atij këtë shteg dhe gati e detyron t'i fshihet shoqërisë...
Politizimi im i fortë antikomunist pësoi një stepje para kësaj prove dyfishe të një modeli jete të qetë nën komunizëm, por menjëherë më dolën dy objeksione, i pari që ai ishte nje realitet i pjesshëm, jo i plotë, sepse aty pranë, ndofta në anën tjetër të qytetit, vepronte terrori shtetëror, dhe i dyti, që ajo qetësi vinte ngaqë njerëzit veç punës në shtet, ndaloheshin të bënin gjë tjetër. Pra ishte suprimuar ajo që quhet "realizimi i lirë i individit".
Një mendje e rëndomtë më thoshte se nuk mund të ketë realizim të lirë të njeriut pa nismën private, dhe kjo të shpie doemos te liria civile dhe te dy surrogatet e saj, demokracia dhe kapitalizmi.
Dhe në vijim mendova se është paragjykuese ta marrësh jetën laramane dhe të shqetësuar kapitaliste, vetëm si një xhungël të harbuar reklamash, lakuriqësish, këngësh komerciale dhe britmash joshëse për sukses, sepse çdokush mund edhe t'i shmangë ato po të dojë, dhe të krijojë në bashkëpunim me të tjerë kënde qetësie, serioziteti dhe kulture.
Dhe në çast pyeta veten: Mund t'i krijojë këto oaze por a i krijon dot dhe a i reziston dot joshjes se tërëpushtetshme të asaj rrëmuje? Dhe çfarë rëndësie kanë ishuj të tillë qetësie, kur e përgjithshmja mbetet ajo që përshkrova me lart, një mirëqënie e pangopur me gjepura, larg përjetimit serioz të ekzistencës?
Qe rasti pra për të gjykuar nga njëra anë një shembull mirazhi human brenda një diktature komuniste, që edhe pse më e butë (le t'i marrim Kubën dhe Kinën si të tilla), mbetej zgjedhë mbi qafën e njeriut, dhe nga ana tjetër, spektaklin joshës dhe marramendes të një jete të larmishme kapitaliste, ku vullneti i mirë dhe deri afeksionet familjare janë në zbrapsje.
A ekziston rruga e tretë? Nëse ka, pavarësisht nga forma ekonomike që do zbatojë, duhet të jetë ajo që njerëzit të gjykojnë politikën pra dhe historinë, jo si ndeshje dialektike ku forcat antagoniste duke ia lënë dhunshëm ose jo vendin njëra-tjetrës sjellin pak progres konstant, por si një fushë të "pa kohë" ku shkohet përpara sa herë vepron vullneti i mirë dhe aty për aty biem në greminë kur ky vullnet mposhtet nga e Keqja, po e jona, pra një mendësi që sheh dashuri-urrejtje në çdo qelizë të botës, dhe prandaj imponon edukimin e saj ose më drejt konvertimin e saj.
Për fat të mirë komunizmi mori fund; kapitalizmi u provua të jetë i përjetshëm dhe ne do të na duhet edhe për shumë kohë të ankohemi prej tij, se kemi qysh tash një aspiratë të paepur për një mirëqenie në seriozitet dhe kreativitet.
Mirëpo, kjo siç posa thamë lidhet me një shndërrim të vet njeriut, të egos së tij, nga lakmuese dhe vulgarisht egocentrike, në kureshtare mendërisht dhe të hapur ndaj transhendencës, gjëra këto që feja na i kërkon prej kohësh por me rezultate të varfra ose më mirë të fshehta.
Sidoqoftë, disa iluzione kanë rënë botërisht. Komunizmi më shumë se çdo episod majtist në histori, provoi jo vetëm padobinë e majtizmit ateist në përgjithësi - lëvizje gjaknxehta që çojnë në absolutizma progresivisht më të egra - por edhe hipokrizinë e tij të thellë. Provë është që burokracia mbas 90-ës në të tërë Lindjen përqafoi brënda natës kapitalizmin në vetë të parë. Ishte si të kishin vajtur të gjithë tek psikanalisti dhe ai t'ua kish zbërthyer dëshirën e fshehtë: paranë.
Këtej e tutje s'ka pse të ketë kësilloj majtizmash sepse kudo ato kanë dalë kopertura të një regjimi personal. Në fakt, nëse ka pasur një majtizëm autentik (kujdes për të shtypurit nga zotërinjtë), ka qënë ai kristian, dhe u sabotua nga vetë Revolucioni Francez kur, duke e numëruar Kishën me zotërinjtë, e shpronësoi atë, pra i la të sëmurët e varfër pa spitale dhe jetimët e pleqtë pa azile. Veç kësaj, me rënien e komunizmit u shpallën hapur dhe nacionalizmat e maskuara me veshje internacionaliste.
Vendet e veçanta ish komuniste patën dobi ose humbje pas 90-ës, në vartësi të përbërjes, rëndësisë, madhësisë dhe rolit aktiv ose pasiv që kishin luajtur. Kina ngjan të jetë ajo me e fituara për shkak të qytetërimit të saj tërë-blojtës, popullit të saj të bindur që arkivon gjithçka pa u zhbilancuar, dhe kjo mund të thuhet, për arsye të ngjashme, veç jo të njëjta, për satelitet më të qytetëruar të Evropës Lindore. Ato u shtypën por nuk u infektuan thellë.
Tani do të shihet dobia që do nxjerrë secili. Rusia mbetet e palexueshme, nga njëra anë për rolin e saj primar në infeksionin e rëndë që pësoi, nga ana tjetër, për shkak të origjinës misterioze, të huaj të këtij infeksioni, që e dëmtoi atë dhe botën përmes saj. Nga kjo anë e fundit, e viktimës, ajo ngjan më shumë me Indokinën sesa me Kinën.
Por edhe me Shqipërinë. Ngjasimi vjen nga shkeljet thellësisht përdhosëse të paimagjinuara që të dyja u bënë vlerave njerëzore por edhe nga fakti që ishin të tjerë ata që lëvizën gurët që këto kataklizma t'u ndodhnin, pra qenë të dyja edhe protagoniste edhe viktima.
Janë vështirë-të lexueshme të dyja sepse duhen zbërthyer vetëm me reagimin e tyre në vazhdim: ringjalljes apo jo të atyre vlerave. Të cilat mbeten të rrezikuara vazhdimisht, a thua se këto vende kanë kufi fizik me të Keqen.
Vërtet, ndryshe nga disa vende që destabilizohen dhe qetësohen normalisht, ka të tjera që e çojnë këtë proçes në tensione tejet dramatike, ku siç thotë një version i lashtë ndodhin kthesat më të forta sepse rrebeshet na vijnë së larti që ne të kthehemi në rrugën e drejtë.
Mekanizmi faj-ndëshkim-pendim-falje u përket siç duket më shumë atyre që provuan të gjitha të zezat në veten e tyre, njëherazi si autorë edhe viktima, vrasës dhe vetvrasës dhe shumë më pak ose asfare atyre që ditën të ruheshin prej tyre madje i shkaktuan tek të tjerët dhe sot i soditin nga larg me doreza dhe maska mbrojtëse.
Vuajtja është një kapital i madh për popujt ashtu si për individët. Është një fat i madh kur ti, i mbijetuar, e kundron atë dhe nxjerr përfundime mbi konsiderata morale e shpirtërore e jo thjesht praktike.
Është e njohur bota e pasur ruse me letërsinë dhe mendimtarët e saj. Ajo shqiptare, megjithëse e ngjashme në vuajtje, nuk e ka ose nuk e ka më një dimension të këtillë në këtë postkomunizëm.
Me gjithë modestinë krahasimisht të numrit dhe kalibrit të viktimave tona shpirtërore, duhet thënë se ato u zhdukën tërësisht nga regjimi komunist, gjë që nuk ka ndodhur në Rusi në atë masë. Ky inferioritet na lë të dobët dhe në fund të vendeve të tjera.
Është një humbje që na fshin nga radha e shoqërive me elitë idealiste. E ardhmja duhet të na shqetësojë më tepër se e tashmja. Beteja për të fituar nesër nuk ka si të jetë vetëm çështje projektesh ekonomike e arsimore por do të bëhet edhe për çështje filozofie e veçanërisht besimi.
Në Havanë, në Varshavë e me radhë, Budapest e kudo në vendet ish komuniste, në Moskë sidomos, mbijeton i plagosur por ende i fortë mendimi idealist e fetar në mendjet e inteligjencës dhe në psikikën e masave.
Ky lloj veprimi zbutës e humanizues përmes sakrificave nuk po ndihet deri sot në Shqipërinë e copëtuar fetarisht dhe të rrallë demografikisht, për shkak të pamundësisë subjektive të hershme dhe objektive të një zhvillimi dhe aktualizimi qytetërues si dhe të mbizotërimit deri vonë të instinkteve individualiste mbi ato sociale.
Kjo varfëri dhe ashpërsi përcaktoi tek ne edhe vrazhdësinë e regjimit ndaj fesë edhe shurdhërinë e opinionit ndaj krimit shtetëror. Humbjet, dhimbjet, vuajtjet ngjajnë të kenë shkuar kot. S'kemi më as shenja të plagëve as kujtesë të tyre.
Sot shtresa intelektuale konform kësaj thatësie të vjetër nuk po jep fort sinjale se e ndien këtë varfëri dëshpëruese, dhe madje shumë emra të saj me influencë nuk duan fare të dëgjojnë për Zot.
Ky fakt, edhe po ta marrësh thjesht si panoramë ose si statistikë (ku plotësia ose larmia është e preferuar ndaj varfërisë dhe monotonisë) na lë pa një alternativë të rëndësishme të mendimit filozofik dhe më gjërë. Kemi një opinion publik që gati punon me një hemisferë të vetme të trurit, atë të leverdisë me çdo kusht dhe kurdoherë, kurse hemisferën e drejtësië për të gjithë e lënë pa punë.
Ndjenja besimtare e popullit, sado e ndjeshme, nuk arrin t'i bëjë ballë, as institucionet fetare; duhet të kemi zëra të fortë dhe të aftë intelektualisht e artistikisht dhe me integritet që të shpallin se jemi krijesa të Perëndisë dhe se humbja e ka bërë një punë në thellësi të zemrave.
Ata do t'i sqarojnë turmat e çoroditura se ajo që i ndan njerezit nuk është as sëmundja e ideologjive as militantizmi i djathtë-i majtë por një gjë shumë më e thjeshtë: të mbajturit ose jo të të njëjtit metër për veten dhe për tjetrin.
Por ç'ka ndodhur ndërkohë që njerëzit në botë mund të jenë tani më të vëmendshëm ndaj këtyre fjalëve? Ka ndodhur kjo që vuajtjet, kataklizmat e luftës së dytë dhe të mbasluftës, kampet naziste e komuniste, gjenocidet në Azi, Afrikë e gjetkë kanë prekur pa krahasim më shumë persona se kurdoherë.
Dhe sipas asaj vetëdije të lashtë që përmendëm më lart, janë goditjet e rrebeshet që i kthejnë popujt tek besimi dhe për pasojë tek drejtësia.
Dhe ja që kjo vleka me tepër në "periferi" të botës (Kina dhe Afrika po aderojne me dhjetëra miliona në krishterim) dhe më pak në qendër të saj, ku vuajtësi i ka mjetet dhe cektesinë individualiste për ti kompensuar të këqijat e hequra kryesisht me hedonizma personale dhe më pak me refleksion. Kësisoj mund të guxojmë të themi që qendra lëvizëse e botës bartet në zona të tjera...
Në periferi bashkëpunojnë veç pësimeve, durimi dhe thjeshtësia e njeriut "kopé", pra një ndjenjë përbashkësie e gatshme prej kohësh, kurse në qendër, ku individualizmi shfaqet i harlisur, qasja e krishterë është më e plogët si një veprim i kombinuar i ruajtjes së standarteve të larta për vete dhe e nismës për ndihmë emergjente botës së tretë, dhe mund të merret si një zgjidhje e temperuar pagano-kristiane e cila do të anojë nga termi i dytë i saj vetëm kur të vendoset në mënyrë vullnetare ulja për vete e standarteve të larta ekonomike, dmth kur tok me përjetimin e krishterë të shtrihen e zbatohen kudo të tjera derivate indirekte të tij si socialdemokracia veri-evropiane, kapitalizmi i kredive të vogla dhe misionarizmi laik e mjaft forma të tjera, të gjitha nën kërcënimin ekologjik, i cili vjen si një qortim i shkallëzuar për ti bërë edhe më urgjente.
Me një fjalë, është koha kur dashuria për tjetrin të realizohet edhe nga forca e gjërave. Mirqënia personale është fjala kyç.
Ajo mund të marrë formën ashtu siç po e merr, të një lubie që e thith njeriun tërësisht në lakminë e tij për vogëlima, por mund të nënkuptojë edhe një aventurë masive në vetë të parë dhe me komoditet minimal të përkushtuar përmirësimeve në tërë kontinentet.
Globalizimi i botës, që ka marrë rrugë sipas modeleve perëndimore të administrimit ka të mirën që korrigjon vazhdimisht veten, por shpresa kryesore është që në botën që do të rezultojë, të ketë peshë përherë e më të madhe faktori njerëzor i përzgjedhur me po atë frymë vetëkorrigjuese tek të gjitha komponentet raciale e kulturore.
Dhe kështu, do të bien poshtë si lëvozhga të tjera paragjykime. Është shpresuar, p.sh. për një kohë të gjatë që të gjitha pjesët e botës të merrnin beneficet e zhvillimit dhe të bollëkut në shtëpitë e tyre dhe të mos kishte përzjerje.
Por jo, siç duket do të ndodhë ndryshe. Një Evropë me shumë ngjyra kundërshtohet ende, por ngjan të jetë ajo zgjidhja e së ardhmes, mbasi njeriu priret të zbulojë tek bota rreth vetes atë që është, e të mos mjaftohet me atë që duket.
Prej atij shartimi racash që pritet në të ardhmen do të shperthejë një pasuri e madhe larmie dhe mendimi. Kjo është edhe "merita" e fundit e komunizmit, i cili ndezi detonatorin më të fortë për emigrimin e popujve në historinë moderne.
Që tani e tutje urojmë të mos jetë më në atë masë e nevojshme vuajtja dhe e keqja për të ndodhur ndryshimet, por të përfytyrohen paraprakisht ato dhe t'u dilet para me vullnet të mirë e sidomos me përulësinë e krishterë, që është reformuesi ideal i ndërgjegjeve, pra dhe më i sigurti mjet ideologjik për shoqërinë.
Gazeta Shekulli