Nje mrekulli e lirise

Një mrekulli e lirisë

YLLI AGA

ylli_agaLiria, si element bazik në jetën e një shoqërie, nuk ka arritur të krijojë një raport të qëndrueshëm me shqiptarët. Pushtues, udhëheqës apo kastë drejtuesish ua kanë mohuar, ua kanë ndaluar apo i kanë privuar prej saj ndër shekuj.

Përfundimi, Shqipëria nga "Eden", është kthyer në një ishull të pashpresë, ku territoret e saj pushtohen, grabiten dhe sundohen nga njerëz të lig dhe ku shpëtimi i vetëm është arratia.

Në kërkim të lirisë, dinjitetit dhe një habitati ku shumëkush do të tentojë të jetojë dhe ndërtojë jetën e tij, të familjes dhe pasardhësve të tij. Kjo praktikisht duhet të jetë arsyeja pse Shqipëria është shumë më e vogël, e ndarë dhe masivisht e braktisur.

Kombëtarja, modeli i Shqipërisë së mirë

Shqipëria e varfër, vendi ku nuk respektohen liritë, e zvogëluar, e braktisur, po dëshmon prej vitesh se e ka të pamundur për të qenë e barabartë dhe dinjitoze me simotrat e saj. Megjithatë, në këtë tunel të errët, një ekip futbolli ka ndezur një dritë shprese. E vërtetoi me pjesëmarrjen në garën më të rëndësishme të kontinentit, me lojërat e saj, me dinjitetin e saj se është dhe meriton të jetë e barabartë me të tjerat.

Dhe merita për këtë prezantim shkon ekskluzivisht për këtë Kombëtare dhe frymën që e rrethon atë. Kjo pasi është nga të vetmet elemente, ku të gjithë shqiptarët ndihen të përfaqësuar, ku kufijtë dhe distancat kanë një kuptim virtual. Ku elementi i fundit i rëndësishëm është vendlindja.

Në Europianë dhe Botërorë jemi mësuar të shohim ekipe që përfaqësohen edhe me lojtarë që nuk kanë asnjë lidhje me atë vend, ndërkohë që shqiptarët më në fund janë zgjuar, janë ndërgjegjësuar dhe janë të lirë të ftojnë, të prezantohen dhe të ndihen krenarë për bijtë e tyre më të mirë.

Me një punë më të madhe, më bindëse, ndoshta edhe shqiptarë të tjerë, të mirë dhe të aftë, mund të ishin pjesë e saj. Gjithsesi, prezantimi në Europian ka bërë që emrin e Shqipërisë ta mësojnë të gjithë, vlerat e saj t'i njohin, ashtu si zakonet, dashurinë e tifozëve.

Krijimi i këtij "brand"-i është fitorja më e madhe dhe tanimë asnjë shqiptar nuk do të ketë arsye për ta refuzuar atë. Sa më mirë do të ishte sikur fryma e kësaj Kombëtareje dhe modeli i saj të mund të kopjohej edhe nga politika për të thirrur në apel shqiptarët më të mirë, për të zgjedhur dhe motivuar për t'u rikthyer për një punë në administratë, shqiptarët më të kualifikuar, për të stimuluar biznesin shqiptar nëpër botë për të investuar në vendlindjen e tyre apo minimalisht për të mundësuar më të fund që çdo shqiptar, kudo që ai jeton dhe punon, të votojë apo të ketë të drejtë të zgjidhet në vendin e tij të lindjes apo të origjinës. Kombëtarja e ka vërtetuar se me këtë model, Shqipëria mund të bëhet një vend i mirë.

EURO 2016, një histori suksesi

Shqiptarët ishin pothuajse të gjithë në një mendje se kjo skuadër e kishte fituar Europianin e saj qysh në momentin e kualifikimit.

Megjithatë, konkurrimi në këtë kompeticion konfirmoi se pjesëmarrja e kuqezinjve nuk ishte një rastësi, që futbollistët e saj kanë cilësi të mjaftueshme për t'u ndier të paktën të barabartë me secilin kundërshtar, që drejtohet nga një trajner i aftë për t'i marrë maksimumin këtij grupi dhe mbi të gjitha një skuadër që mbjell dhe rrethohet me entuziazëm, dashuri dhe besnikërinë e shqiptarëve të ardhur nga të katër anët e globit.

Në dinamikën e ndeshjeve, ndoshta mund të dilnim edhe pa asnjë pikë, referuar rasteve më të shumta të Zvicrës, pasigurisë në minutat e fundit me Francën, apo një fillimi të vështirë me Rumaninë, por gjykuar për gjithçka skuadra bëri nga minuta e parë në Lens dhe deri te sinjalizimi i fundit në Lion, kuqezinjtë tanë u shfaqën dinjitozë, duke luajtur një futboll modern dhe ku vetëm kapriciot e kësaj loje ia mohuan të drejtën për të vijuar më tej.

Gjithsesi, në këtë moment e rëndësishme është që Shqipëria e futbollit është pjesë e kompticioneve madhore, që e ka hedhur tutje inferioritetin tradicional dhe me siguri cilido kundërshtar do të duhet të djersijë në maksimum dhe të shpresojë edhe te fati, për të fituar ndaj kuqezinjve.

Gjithçka ndodhi në Francë do të mbetet e fiksuar në memorien e të gjithëve si momenti më i bukur i futbollit shqiptar, në raport me të gjithë historinë e tij modeste dhe mbi të gjitha një bazë e rëndësishme për të ngritur një të ardhme më të mirë.

Tanimë, shqiptarët më të mirë, më të zotë, e dinë se në vendin e tyre ka një element që mund t'i bëjë krenarë, të barabartë, të fortë, të bashkuar dhe fitues. Dhe kjo, si një mrekulli e lirisë, është Kombëtarja Shqiptare e Futbollit.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama