Kukësi vijon përgatitjet për përballjen e dytë të gjysmëfinales së Kupës. Kuksianët janë me një këmbë në finale, gjithsesi janë dhe 90 minuta për t'u luajtur në stadiumin "Zeqir Ymeri".
Nënkampionët vuajnë mungesat nesër, pasi tre titullarë janë të pamundur për këtë sfidë. Ylli Shameti, Edon Hasani mungojnë për shkak dëmtimi, ndërsa Gledi Mici ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Por, trajneri Duro nuk duket i shqetësuar për këtë fakt, pasi ka gati zëvendësimet. Përveç mungesave, Kukësi po vuan disi golat e sulmuesve, të cilët, edhe pse kanë bërë punë mjaft të mirë në fazën ofensive, nuk kanë arritur të shënojnë.
Bomberi i Kukësit, Izair Emini, ka pesë ndeshje pa shënuar. 30-vjeçari ka shënuar për herë të fundit në ndeshjen Kukësi-Tërbuni, më 13 mars. Që nga ajo datë Kukë- si ka realizuar 6 gola, por sulmuesi kryesor nuk ka mundur dot të zhbllokohet.
Emini ka shënuar 7 gola në 12 takime të luajtur deri tani me verilindorët. Por ky fakt nuk e dekurajon 30- vjeçarin dhe as që e vë nën presion, pasi kur ekipi fiton kjo gjë nuk duket. Kukësi është në prag të takimit me vlonjatët, ndërsa Emini në një prononcim për "Panorama Sport" shprehet se është koha më e përshtatshme për të shënuar, si dhe për të hedhur hapin e madh drejt trofeut.
"Dihet për sulmuesin, kur nuk shënon është nën presion. Mirëpo kur ekipi ecën si duhet, mendoj se s'kam ndonjë presion, pasi prioritet kemi fitoret dhe vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Të them të drejtën nuk futem në ndeshje me qëllimin, o të shënoj, o s'ka.
Për mua primare është që të kalojmë në finale, pastaj shënoj unë apo dikush nga shokët, s'ka rëndësi. Goli do të vijë, nuk jam i shqetë- suar. Sa për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, kemi rezultatin e favorshëm të sfidës së parë, që na jep shumë mundësi për më tej.
Gjithsesi, jemi të përqendruar maksimalisht te ky takim që e luajmë në shtëpinë tonë. Pastaj për finalen të shohim e të bëjmë. Prioriteti aktual është kalimi në finale. Unë besoj te kjo gjë, pasi rezultatet tona nuk janë rastësore.
Çdo ndeshje e vlerësojmë maksimalisht dhe jemi të qetë dhe me këmbë në tokë. Sa për mungesat mendoj që janë të rëndësishme, por një skuadër e madhe dhe e mirëformuar si Kukësi, ka lojtarë të afirmuar dhe të denjë për t'i zëvendësuar.
Rezultati i sfidës së parë na e mundëson këtë, kështu që nuk do të ndikojnë mungesat ndaj Flamurtarit. Partizani? Të kalojmë ndeshjen e Kupës, pastaj flasim për Partizanin. Jemi të bindur në forcat tona, ndaj besoj se objektivat tona nuk do t'i vëmë në diskutim", përfundon sulmuesi i Kukësit, Izair Emini.