Nje mysliman turk u kerkon falje armeneve

Nje mysliman turk u kerkon falje armeneve
Një mysliman turk i kërkoi falje popullit armen me rastin e 24 prillit, ditës kur armenët në të gjithë botën përkujtojnë katastrofën e madhe – procesin e pastrimit të tyre etnik nga Anadolli në vitin 1915. Hakan Albayrak, një njeri i konsideruar si islamik dhe një veteran i flotiljes në ndihmë të Gazës në vitin 2010, tha se është e domosdoshme të pranohen krimet e së shkuarës. Shkrimi i tij u publikua në të përditshmen turke “Star”, me titullin e thjeshtë: “Ne duhet t’u kërkojmë ndjesë armenëve”.

Zyrtarisht Turqia nuk e njeh gjenocidin armen dhe përndjek penalisht të gjithë njerëzit që shkruajnë për këtë ngjarje.

“Sot është 24 prilli. Dita e përkujtimit për bashkëpatriotët tanë armenë. Dita kur ata kujtojnë barbarinë e vitit 1915. Ne duhet të bashkohemi në dhimbjen e tyre pa pyetur ‘po ata bashkohen me dhimbjen tonë?’ Çdokush është përgjegjës për njerëzillëkun e vet. Ne nuk mund të gjejmë justifikime për vrasjen e mijëra, dhjetëra mijë apo qindra mijë armenëve nga myslimanët. Ne nuk duhet ta shohim këtë si të justifikueshme. Nuk do të jetë e drejtë për ymetin, (popullin e besimtarëve myslimanë).

Kjo është një faqe e turpshme e historisë. Do të më pëlqente ta copëtoja atë, por ne nuk mundemi ta grisim. Ndoshta ne mundet vetëm të vendosim një shënim në të: ‘Nipërit e njerëzve që kryen këto krime të parrëfyeshme kundër armenëve kërkuan ndjesë dhe refuzuan të nderojnë të shkuarën e vet.’”

Turqia thotë se gjenocidi armen është një nismë propagandistike nga një lobing armenësh. Hakan Albayrak argumentoi se Turqia jo vetëm që duhet ta pranojë fajin, por duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për përfaqësuesit e popullit armen që, sipas tij, është Republika e Armenisë. Artikulli shkaktoi debat në Turqi, ku disa shprehën simpati dhe shumë e shpallën si tradhti. Por sipas analistëve, duket se kampi i islamikëve në politikën turke duket se është më e hapur në pranimin e fajit për ngjarjen sesa qemalistët laikë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama