Nje ne tre shqiptare merr borxh per te jetuar

Nje ne tre shqiptare merr borxh per te jetuar
Një në tre shqiptarë ka një borxh për të shlyer, dhe më shumë se gjysma e tyre e kanë marrë këtë borxh për konsum, huazuar nga njëri-tjetri, ose nga dyqanet ushqimore. Në fshat, gjendja është edhe më e mjerë. Ndërsa jetojnë e ushqehen me prodhimet vetjake, shumë prej këtyre familjeve ia kanë harruar edhe pamjen lekut. Kësaj radhe, shifrat e publikuara nga Banka e Shqipërisë në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012 janë qartazi kritike

Nëse do mund të krijohej një pasqyrë e fjalëve më të përdorura nga shqiptarët (dhe jo vetëm) kohët e fundit, mund të vini bast sa të doni se fjala “borxh” do të qëndronte në top listë. Hiperbolës poetike të Xhevahir Spahiut se “gurin e varrit e shes, të laj borxhet” nuk do i mbetej shumë çudi brenda. Vetëm se kaq nuk do të mjaftonte për të larë borxhet e një shqiptari të mesëm, që një zot e di pse e quajnë të tillë, sa kohë kjo shtresë ka qenë dhe është inekzistente. Po, duhet pranuar mbarë se shqiptari i mesëm s’ekziston. Vakumi i krijuar prej tij është mbushur nga “fakirët”. Matanë janë “zengjinët”. Sado të ndryshëm për sytë e turmës, të dy palët e kanë një gjë të përbashkët në këtë ditë sot. Janë borxhlinj, diku, qysh kur. A do ta shlyejnë? S’e dinë kur... 

Kësaj radhe, shifrat e publikuara nga Banka e Shqipërisë në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012 flasin qartë. Studimi ka marrë si kampion të përdorur nga BSH 1210 familje, të shtrira në 16 rrethe të vendit.

Një në tre shqiptarë kryefamiljar ka një borxh për të shlyer, dhe më shumë se gjysma e tyre e kanë marrë këtë borxh për konsum, huazuar nga njëri-tjetri, ose nga dyqanet ushqimore.

Zor se mund të gjesh sot në Tiranë e kudo, ndonjë dyqan të shitjeve me pakicë të ushqimeve që nuk ka fletore borxhesh. E kjo jo vetëm në zonat periferike, ku është e përqendruar shtresa më në vështirësi e popullsisë, por edhe në ato qendrore. “Kam ende borxhlinj, klientë të rregullt të dyqanit tim, që kanë ende pa paguar ushqimet e marra me listë qysh për furnizimet e Vitit të Ri. Nuk kam ndonjë merak, se i njoh, janë njerëz të rregullt, e di që s’kanë ndaj s’më likuidojnë, por edhe unë më shumë shtrëngime e mbaj akoma në këmbë dyqanin, se për vete kam borxhe për të shlyer në pikat e shumicës e furnitorët e mallrave...”, tregon Festim C., pronari i një minimarketi në lagjen e ish-Bllokut. Megjithatë, ai nuk qahet. Mundet ende ta mbaj gjallë biznesin, ndryshe nga shumë të tjerë që tashmë kanë kohë që mendojnë ta mbyllin.

Në fshat, gjendja është edhe më e mjerë. Ndërsa jetojnë e ushqehen, e bëjnë si bëjnë e ushqehen me çka prodhojnë, shumë prej këtyre familjeve ia kanë harruar edhe pamjen lekut. “Kur të piqen kajsitë, do vjel ca arka e do i çoj te dyqani fshatit. Ia jap të zotit me çmimin e parë e likuidoj listën e borxheve që kam nga marsi e këtej. Jo ndonjë gjë të madhe, se veç sapunë, detergjente, oriz, makarona, sheqer e kafe blejmë, po që për xhepin tonë, edhe pak nuk janë. Borxhet para marsit i laja me qumështin. Ja kështu...”... Ja kështu e përkthen kleringun e saj një grua nga fshatrat e Librazhdit që pret të niset me furgonët te Rruga e Elbasanit. Çuditërisht duket më e qetë se shumë borxhlinj të tjerë. Duhet të jenë ethet e parasë dhe borxhit të lekut. Ajo s’i ka. Prej kohësh këmben mall me mall. Kajsi për kafe e qumështin për sapun...

Ndërkaq, më shumë se gjysma e bizneseve të mëdha deklarojnë se kanë të paktën një hua për të shlyer. Të marrë më së shumti nga bankat. Rrallë për të zgjeruar biznesin, më së shumti për ta nxjerrë atë, edhe një herë, nga balta. Shpesh për të likuiduar bashkëpunëtorët, për të shlyer pagesa e paga punëtorësh. Borxh për të larë borxhet.

Situata nuk pritet të ketë pasur ndryshime edhe në këtë gjashtëmujor të parë të 2013. Nga ana e tyre specialistët nuk janë optimist as për vazhdimin. Pragu i fushatës elektorale e më tej, duket se do ta thellojë edhe më situatën e vështirë ekonomike, sa u takon shpenzimeve. Edhe pse, për një të tretën e familjeve shqiptare që marrin borxh thjesht për tu ushqyer, kjo nuk ndryshon asgjë.

 
Milva Ekonomi: Kriza s’mund të fshihet më, duhet vepruar

 
Besoj se ka ardhur momenti që të pranohet, ndonëse edhe me shifra të zbutura, e vërteta rreth ekonomisë shqiptare. Matet që 33% e familjeve shqiptare që jetojnë në zonat urbane   kanë një hua të papaguar. Në vetë burimin e vrojtimit thuhet gjithashtu që të ardhurat e familjeve shqiptare në këto zona vijnë kryesisht nga vetëpunësimi, pensionet dhe puna në sektorin privat. Pesha që zë vetëpunësimi në totalin e të punësuarve ka rritje, ndërsa të punësuarit në shtet janë pakësuar.

Qëllimi kryesor i kësaj huamarrjeje në familjet shqiptare ka qenë kryesisht blerja ose riparimi i një prone dhe mbështetja e konsumit. Këto familje deklarojnë se vështirësia që ato hasin në pagimin e kësteve të kredisë vjen si rezultat i uljes së të ardhurave. Rreth ¼  e familjeve huamarrëse deklarojnë se presin përkeqësim të situatës së tyre paguese.

Nga ana tjetër, informacionet mbi vështirësitë ekonomike të bizneseve tregojnë se përqindja e bizneseve që tentojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre ekonomik në këtë gjashtëmujor është ulur. Gjithashtu, 25% e bizneseve tregojnë se kanë një rezultat financiar negativ gjatë këtij gjashtëmujori.

Po t’i referohemi edhe të dhënave që vijnë nga matësit e opinioneve , gati 48% e shqiptarëve  deklarojnë se, si gjatë vitit të fundit ashtu edhe gjatë katër viteve të fundit, situata e tyre ekonomike është përkeqësuar dhe 29% e tyre mendojnë se gjatë vitit të fundit jetohet shumë keq.

Ndaj, në këto kushte, nuk besoj se ka më ndonjë gjë për të fshehur. Familjet shqiptare jetojnë në vështirësi ekonomike të mëdha, biznesi e ka të vështirë të zgjerojë aktivitetin e tij ekonomik dhe të përmirësojë rezultatin financiar,  shenjat e rritjes së punësimit dëshmohen vetëm në letër dhe asgjë nuk vërtetohet dot me të dhëna, bujqësia e vogël e prapambetur vazhdon të mbetet sektori kryesor i punësimit, pra duhet menduar seriozisht çfarë mund të bëhet dhe si ta përballim këtë krizë.

Mendoj që edhe gjashtëmujori i parë i vitit 2013 nuk do të ketë ndonjë përmirësim të ndjeshëm. Sektorët e shërbimeve mbase do të jenë disi më të favorizuar gjatë kësaj periudhe, ose edhe ndonjë degë e industrisë së letrës, por sektorët e tjerë do ta kenë realisht të vështirë.

Gjallërimi i ekonomisë kombëtare është një çështje serioze dhe duhet menduar me kujdes  dhe me siguri, që masat e marra si kudo tjetër do të shfaqin rezultatet e para mbas 3-4 tremujorësh. Por, është shumë e rëndësishme që ndjekja me statistika gjatë kësaj periudhe të bëhet e drejtë dhe neutrale, e pa ndikuar dhe me sens përgjegjësie profesionale.

 
Adriana Berberi: Treguesit nuk mund të anashkalohen
 
Raporti i Bankës së Shqipërisë dhe rezultatet që ai prezanton nuk është se në thelbin e vet përbëjnë “lajm”. Përgatitja dhe bërja publike e raportit janë pjesë e procesit normal të funksionimit të saj. E njëjta gjë duhet të ndodhte edhe me institucione të tjera, përfshi edhe Qeverinë. Raporti i Bankës së Shqipërisë përbën lajm, pikërisht se institucionet e tjera nuk bëjnë detyrën, si dhe për faktin se në këto muajt e fundit vërehet një pozicionim paksa opozitar i Bankës së Shqipërisë në  analizën e situatës ekonomike, apo zhvillimeve të fundit fiskale dhe monetare.

Në raportin e saj Banka e Shqipërisë na bën me dije se gjatë vitit 2012:

 - Shqipëria ka patur një ritëm më të ngadaltë të rritjes ekonomike
 - Konsumi dhe investimet private vijojnë të jenë të dobëta
 - Papunësia mbetet e qëndrueshme
- Një rritje më e ngadaltë e depozitave
- Një ulje e ndjeshme e ritmit të kreditimit

Në raportin e BSH renditen edhe shumë tregues të tjerë, të cilët, në fakt, vetëm na përforcojnë bindjen se ekonomia është në tatëpjetë. Po t’i referohemi përsëri një konstatimi të këtij raporti mësojmë edhe se ritmet e ngadalësimit kanë qenë më të dukshme gjatë tremujorit të fundit të vitit 2012. Po në këtë raport na konfirmohet perceptimi se, në terma reale, ekonomia është tkurrur dhe se paga mesatare për tremujorin e katërt të vitit 2012 shënoi një tkurrje prej 6,5 % në terma reale dhe se treguesi i besimit të konsumatorit është përkeqësuar gjithashtu në tremujorin e fundit të vitit.

Mund të vijoja me prezantim të treguesve të cilët rikonfirmojnë situatën e vështirë, por mendoj se në jetën tonë të përditshme asnjëri prej nesh nuk ka dyshime apo dilema. Si konsumatorë të të përditshmes ne e kemi ndjerë në xhepat tanë se tkurrja është e konsiderueshme, pavarësisht se si mesatare ajo vlerësohet në nivelin e 6,5 %.

Një nga pjesët ngacmuese të raportit ishte edhe prezantimi i rezultatit të vrojtimit të situatës financiare të familjeve dhe të biznesit. Duke iu rikthyer pyetjes tuaj që lidhet me “besueshmërinë” e këtyre të dhënave, më lejoni të them se, pavarësisht se mund të duket sikur ka një mospërputhje ndërmjet treguesve për peshën e familjeve të intervistuara dhe të atyre që kanë konfirmuar që kanë një hua, vetë analiza e strukturës së huamarrjes është shumë domethënëse. Duke marrë në konsideratë që kampioni ka qenë modest, 1210 familje, dhe se prej tyre vetëm 401 kanë pohuar se kanë huamarrje (kjo nuk do të thotë se të gjithë kanë konfirmuar drejt statusin e tyre) leximi me kujdes i strukturës së huamarrjes, si dhe i burimeve të sigurimit të saj, është një tregues tjetër domethënës për situatën e vështirë ekonomike të familjeve, biznesit dhe të vetë ekonomisë.

Është  e vështirë të jesh optimist kur mëson se 33% e familjeve që deklarojnë se kane hua, e kanë marrë atë  për konsum dhe aq më shumë kur konstaton se ky tregues është rritur me 4 pikë përqindje nga gjashtëmujori i parë në të dytin. Në vlerësimin tim shqetësim përbën edhe fakti i konfirmuar nga ky vrojtim që 54% e rasteve kanë si burim huamarrje burime informale. Treguesi prej 13% që deklaron se si burim huamarrje kanë shërbyer shitësit me pakicë, që do të thotë Listat në librat e borxhit, është gjithashtu një tregues që nuk mund të anashkalohet.

Nuk ka asnjë dyshim që situata është përkeqësuar, jo më nga njëri vit në tjetrin, por tashmë edhe në mbështetje të analizave të bëra nga Banka e Shqipërisë edhe nga një gjashtëmujor në tjetrin, apo edhe brenda një gjashtëmujori. Ky përkeqësim është në fakt reflektim i përkeqësimit të pothuajse të të gjithë treguesve ekonomikë e financiarë të vendit. Problemi është se reflektimi i përkeqësimit të treguesve makroekonomikë nuk është se e ka dhënë apo e jep menjëherë efektin e vet në kohë reale, përgjithësisht ato kanë ndikim prapaveprues, i cili vjen në rritje, ndonjëherë edhe në progresion gjeometrik, nëse nuk administrohet situata në kohën e duhur dhe me mekanizmat e duhur.

Ajo që po ndodh sot në financat publike të vendit, është pararendur nga megalomania dhe papërgjegjshmëria profesionale dhe politike gjithashtu. Kjo qeveri asnjëherë dhe në asnjë moment nuk vlerësoi sa dhe si duhet krizën ekonomike botërore dhe mundësinë e ndikimit të saj në ekonominë e vendit. Sjellja e saj ndaj politikave fiskale, ndaj investimeve, ndaj borxhit dhe huamarrjes publike janë arsyeja e vetme se pse ne sot jemi në një situatë kur borxhi publik ka tejkaluar nivelin kritik aq shumë të paralajmëruar nga ekspertët ndërkombëtare, kur ritmi i realizimit të të ardhurave ka rënë ndjeshëm dhe kur sot niveli i realizimit të të ardhurave në madhësi absolute është më i vogël se ai i vitit 2009. Viti 2013, duke qenë edhe një vit elektoral, nuk ka asnjë mundësi reale për të reaguar ndaj situatës aktuale.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama