Në Gjirin e Sarandës dy ditë më parë u ankorua një jaht gjigand prej 50 metrash me emrin M/Y Helios, i cili bëri përshtypje te pushuesit e shumtë me elegancën dhe madhësine e tij. Jahti M/Y Helios, pasi ka lundruar në bregun shqiptar nga Vlora për në Sarandë, hodhi spirancën në Sarandë dhe më vonë në Gjirin e Butrintit dhe më vonë u largua drejt Korfuzit. Nga mediat lokale të Korfuzit mësohet se në bordin e këtij jahti luksoz qëndronte miliarderi amerikan, David Bonderman, dhe disa të ftuar të tij, të cilëve nuk iu është mësuar emri.
David Bonderman, një nga 100 njerëzit më të pasur në Amerikë, president i linjës ajrore Ryanair dhe i një numri të madh kompanish investimi, njihet si nje nga miliarderët më ekstravagantë. I famshëm për festat e mëdha që organizon, ai njihet po ashtu si mbështetës i një numri muzikantësh dhe artistësh me famë botërore. Në ditëlindjen e tij të organizuar në një spektakël gala privat vitin e shkuar, mes të tjereve ishin të ftuar të këndonin edhe Paul McCartney si dhe grupi i famshëm Rolling Stones.
David Bonderman njihet po ashtu si mbështetes i një numri fondacionesh private të mbrojtjes së natyrës apo historisë si për shembull parkun e Grand Kanion.
Nuk dihet arsyeja e vizitës së tij dyditore në brigjet shqiptare. Duke ditur mbështetjen e David Bonderman për projekte në dobi të trashëgimisë historike, mund të hamendësohet se ai mund të jetë ftuar për të parë ekspeditën e kërkimeve nënujore në brigjet shqiptare si dhe projektin e krijimit të muzeut të parë nënujor në Mesdhe, që mendohet se do të krijohet në brigjet shqiptare. /A.Tare