Nje objekt i pazakonte ne Berat

Nje objekt i pazakonte ne Berat
Botohen për herë të parë fotot e një relikuari të rrallë, i shek. VI. Asnjë shembull të ngjashëm në hapësirën mesdhetare, veçse në Sirinë e Largët.
Gjetja: RELIKUARI – Përputhja e përshkrimit të bërë mbi 20 vjet dhe 94 vjet më parë me gjendjen e sotme fizike të objektit.

Prej vitesh, na ka bërë përshtypje mungesa e njohjes pamore dhe fizike të disa objekteve me mjaft rëndësi që përmenden në literaturë. Një prej tyre është edhe objekti i pazakontë, siç e cilësojnë disa specialistë të huaj. Njohja dhe studimi i mëtejshëm do të jetë padyshim një kontribut i vlefshëm për sqarimin e problemeve që lidhen direkt me origjinën e tyre. Kemi një vazhdimësi të objekteve të trashëguara në kohë të ndryshme. Specifikimi i vendndodhjes, funksionit, materialit, traditës së punimit teknik e artistik, do të saktësonte mjaft pikëpyetje, pasi duhet të kemi parasysh se disa objekte mund të jenë sjellë në Berat nga Apolonia. Karakteristikë e objekteve me punime artistike, i zhvilluar në fazat e krishterimit të hershëm, (mes shek. II-VI) është, sepse ato flasin me gjuhën e simboleve. Motivet dhe simbolet e këtij arti trashëgojnë elemente të artit antik, duke iu përshtatur funksioneve dhe mentalitetit të besimit të krishterë.

Sipas prof. dr. Guntram Koch “në pjesë arkitektonike që mesa duket vijnë nga kisha paleokristiane bën pjesë edhe një objekt i pazakontë. Ai ndodhet në hajatin e Xhamisë së Beqarëve, por më parë ishte në Kishën e Evangjelizmoit, është përshkruar në vitin 1918 nga Bushbek dhe që nga ajo kohë është cituar shpesh në literaturë, por me sa duket nuk ishte dhënë rëndësia e duhur. Kemi të bëjmë me një kuti përafërsisht kuadratike prej mermeri gri. Të katra anët janë të trajtuara me figura (fig. 1,2) nga të cilat njëra dallohet si pamja kryesore. Në pjesën e poshtme nga brenda ndodhet një kryq i ngritur paksa në relief (fig. 3). Kapaku mungon.

 Lind pyetja se për çfarë ka shërbyer kjo kuti dhe se nga ka ardhur. Figurat, pra kryqi dhe qengji (fig. 4), dëshmojnë se ky objekt është përdorur për qëllime të kultit të krishterë.

Mund të mendohet se kemi të bëjmë me një relikuar, pra mbajtës relikesh të një apo më shumë shenjtorësh. Megjithatë midis shumë relikuarëve të njohur deri tani, që janë relativisht të shumtë, nuk gjejmë asnjë paralele si nga madhësia, forma dhe dekoracioni. Nuk gjejmë shembuj të tjerë në Perandorinë Bizantine, veçse në Sirinë e largët. Meqë në të gjithë hapësirën e Detit Mesdhe nuk gjejmë asnjë shembull të ngjashëm, duhet të/////////////// bëjmë me porosi të veçantë, që ishte bërë një mjeshtri e pamësuar me prodhime relikuarësh. Ai mori motive nga gjini të ndryshme si në pllakat e parmakëve, amvonat dhe zgjodhi drejtkëndëshin me brinjë përafërsisht të barabarta dhe jo formën e sarkofagut. Mermeri duket se nuk është nga Prokonesi, se nga e ka prejardhjen ai, mbetet një çështje e hapur. Kemi të bëjmë me një punë lokale në mermer të importuar që i takon periudhës së dytë të lulëzimit të qytetit, pikërisht çerekut të dytë të shek. VI. Të dhënat historike, elementët e shumtë arkitektonikë, sidomos ata të shek. VI, relikuari i veçantë dhe pastaj kodeksi i kushtueshëm i purpurt, ndoshta një kushtim i perandorit Justinian për ‘Antipatrai’, flasin për atë, që të paktën disa materiale, u përkasin ndërtimeve të zhdukura në Berat”. (Guntram Koch, Disa dëshmi të periudhës së hershme bizantine në Berat, Monumentet 2/1990, GRAFIKA ARS, Tiranë, 1990, f. 116)

Pavarësisht se Koch nuk i ka dhënë rëndësi përshkrimit të detajuar të të katra anëve të kësaj kutie, më kryesorja është se të gjithë elementët e cilësuar: të katra anët të trajtuara me figura; kryqin e ngritur paksa në reliev në pjesën e poshtme brenda kutisë së mermerit; figura e qengjit e mungesa e kapakut, përputhen me objektin fizik që kemi zbuluar. Këtu, sipas shkrimit, cilësohet mermer gri, por mendojmë se mund të jetë bërë gabim edhe në përkthim.

Sipas informacionit të një prej punonjësve më të vjetër të muzeve në Berat, ky objekt dhe gjetje të tjera arkeologjike kanë qenë të ekspozuar në xhaminë “Mbret” rreth fundit të viteve ‘80-të kur kjo xhami ka shërbyer si muze arkeologjik. Në vitet 1990-1996 objektet e ekspozuara janë lëvizur duke u vendosur në Muzeun Historik, në banesën e Izedin Galip Pashë Vrionit, lagjja “Mangalem”. Pas vitit 1996 e deri më sot, objekti ndodhet i ekspozuar në hajatin e banesës së Llavdës, sot Muzeu Etnografik, lagjja “Përroi” me toponimin e vjetër sot “13 Shtatori”- Berat.

Për të qenë sa më të saktë mbi origjinën e këtij objekti, por edhe punimin, i cili ashtu si e përmend dhe Koch është një punë lokale me mermer të importuar, do të mundohemi ta argumentojmë me një krahasim mbi një fragment arkitektonik (kapitel) që ndodhet në fshatin Perondi, në afërsi të Beratit, te një ndër monumentet më të vjetra bizantine në vendin tonë. Ajo është Kisha e Shën Kollit. Në kishë ndodhen katër kapitele, dy mbi kolonat që ndajnë nefet dhe dy të tjerat përdorur më parë për tryezën e altarit, ndërsa sot janë poshtë në dyshemenë e kishës dhe mbi to janë vendosur mbajtëset e qiririt.

Ato duken që nuk i përkasin një serie të vetme, por dallohen në formë dhe dekoracion, pra i përkasin ndërtimeve të ndryshme. Kapitelet duket qartë se nuk kanë qenë bërë për Shën Kollin në shek. X, por janë punuar shumë kohë më parë. Ato duhet t’i përkasin gjysmës së parë të shek. VI dhe mund të jenë sjellë në mesjetë nga Berati në Perondi. (Guntram Koch, Disa dëshmi të periudhës së hershme bizantine në Berat, Monumentet 2/1990, GRAFIKA ARS, Tiranë, 1990, f. 115)

Në pjesën e poshtme në dyshemenë e kishës ndodhet një kapitel, ku faqet e ngushta të tij janë zbukuruar me motive bimore dhe simbolin e kryqit (fig. 8). Zbukurimi i këtij kapiteli është i njëjtë me motivet e relikuarit në punimin e simbolit të kryqit dhe motiveve bimore. Mendojmë se relikuari, ashtu edhe kapiteli kanë qenë pjesë e së njëjtës kishe paleokristiane në Berat. Nga materiali, kapiteli duket gur gëlqeror, ndërsa nga punimi tregon për një prodhim vendas. Pra ndoshta kapitelet e Perondisë janë mbetje të kishave të mëdha e të kushtueshme nga Berati, që u ndërtuan në shek. VI.

OBJEKTI: RELIKUAR

Materiali: Mermer; Gjatësia: 42cm, Gjerësia: 40cm, Lartësia: 29 cm. Në faqet që janë në gjerësi të objektit janë të punuar nga një kryq në qendër. Simboli i kryqit në njërën faqe në të majtë dhe të djathtë të tij shoqërohet nga simboli i pishtarit të ndezur, ndërsa në faqen tjetër shoqërohet nga simboli i pëllumbit me një degë ulliri në sqep. Në faqet që janë në gjatësi të objektit janë punuar përkatësisht: brenda figurës gjeometrike të një rombi simboli i një qengji të ulur. Mbi dhe nën brinjët e rombit janë punuar motive bimore, kurse në faqen tjetër në qendër brenda rombit është punuar një lule me katër petale dhe nga dy gjethe anash saj. Të gjitha këto motive simbolike që janë në relief, vijnë si rezultat i punimit me thellim të fushës së një drejtkëndori, i cili kufizohet nga një kornizë për mbylljen e dekoracionit. Në pjesën e poshtme nga brenda relikuarit ndodhet një kryq i ngritur paksa në relief, ashtu si është përmendur edhe nga përshkrimi që na ofron Guntram Koch.

PËRSHKRIMI I SIMBOLIKAVE

Kryqi i krishterë (fig. 3,5,7) është simboli më i njohur fetar i krishterimit. Përfaqësimi i instrumentit të kryqëzimit të Jezu Krishtit dhe përfaqësimi tredimensional i trupit të tij. http://en.wikipedia.org/wiki/Christian_cross

Qengji (fig.4) është përfaqësim simbolik me rëndësi të shenjtë. Simboli i pastërtisë së pafajshme, butësisë, sakrificës. Në krishterim ai përfaqëson kryqëzimin sakrifikues të Krishtit për mëkatet e botës. Simboli i Krishtit, “Qengjit të Perëndisë” (Numrat. 6,12; Gjoni 1,29,36; Dalja. 12,3; 29,38-42; Levitiku. 14,12-17; Isa. 16,1,52,7; 1 Korintianëve. 5,7).

Pëllumbi (fig.5) është simboli i Frymës së Shenjtë (Zan. 1,2; Mateu. 3,16; Marku. 1,10; Luka 3,22, Gjoni 1,32). Pëllumbi ishte lajmëtar i paqes për Noeun (Zan. 8,8-11). Pëllumbi si emblemë e pastërtisë (Psalmet 68,14)

Lulja me katër petale (Quatrefoil) (fig.6) në historinë e krishterimit është simboli i katër evangjelistëve, Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni autorët e ungjijve kanonikë të krishterë në Dhiatën e Re.

http://www.seattlefirstbaptist.org/?Locator=History_Quatrefoil&Header=The%20Quatrefoil&tm=lp_who_we_are

Pishtari ndriçues (fig.7) simbolizon jetën dhe fuqinë rigjeneruese të zjarrit. Ka qenë përdorur në shumë kultura dhe ishte emblemë, në mitologjinë greke, i Erosit dhe Afërditës, simbolizon flakën e dashurisë. Në krishterim, pishtari ndriçues përfaqëson pastrimin e shpirtit nëpërmjet Zotit, dhe Krishti si Dritën e Botës. Kthyer me kokë poshtë, ai përfaqëson vdekjen. http://buffaloah.com/a/forestL/symbols/index.html

Gjendja e objektit është relativisht e mirë duke pasur parasysh që është i plotë dhe jo fragment, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka nevojë për ndërhyrje restauruese, pasi shohim disa krisje në vende të ndryshme. Në këtë objekt ka pasur ndërhyrje të pjesshme restauruese, sepse e tregojnë gjurmët e lëna në të. Mendojmë se ky relikuar do trajtuar me përkujdesje të veçantë mbi restaurimin dhe konservimin e tij nga specialistët dhe restauruesit e duhur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama