Nje opera per Ali Pashen

Nje opera per Ali Pashen
'Ali Pasha i Janinës' do të jetë opera që do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit me rastin e 60-vjetorit të krijimit të këtij institucioni. Opera me një akt me regji muzikë dhe libret të Alkbert Lortzing do të vijë nën regjinë e Patrizia Panton dhe dirigjent Zhani Cikon.

Në rolin e Ali Pashës do të jetë tenori Gëzim Myshketa, në role të tjera janë: Sokol Tomori, Ogert Islami; Ergys Mita, Julian Gjojdeshi; Erlind Zeraliu, Klodian Kacani;Eriona Gjyzeli, Rezarta Qevani  Blerina Braka. Vepra do të ngjitet në skenë më datën 23 mars e do të vazhdojë të jepet deri në datën 27 mars. Por cili është subjekti që Lortzing shkroi dhe kompozoi për pashain shqiptar? Një ekspeditë franceze nën udhëheqjen e oficerit Bernier është rrugës për në Shqipëri tek Ali Pasha. Gjatë qëndrimit në Korfuz, Bernier dashurohet me korfuzianen e bukur, Ariana, e cila më pas zhduket në rrethana misterioze. Bernier dëshiron të gjejë me çdo kusht dashurinë e tij të madhe, kudoqoftë ajo. Miku i tij, Robert, nuk mund ta kuptojë këtë. Dashuria e madhe, besnikëria deri në vdekje janë të panjohura për të.

Për të bota përbëhet nga gra të bukura që duhen shijuar. Dy shokët kanë arritur me ekipin e tyre në Shqipëri. Robert nuk mund t’ia heqë mërzinë shokut të tij, humbja e të dashurës e rëndon atë. Edhe sikur ajo të ishte dërguar në ndonjë harem, Bernier beson në besnikërinë e saj të cilën ata të dy ia premtuan njëri–tjetrit. A do ta gjejë të dashurën e tij duke e kujtuar këtë premtim? Kjo e prek edhe shokun e tij, Robertin. Ai nuk i dëshiron Bernierit asgjë më shumë se një aventurë dashurie me një shqiptare të re që do t’ia largonte pikëllimin. Por tani nuk mund të ndodhë asgjë. Ali Pasha i madh po afrohet me shoqëruesit e tij, ai është informuar për misionin e ushtarëve francezë. Marshi dhe kori i turqve dhe shqiptarëve.

Muzikë e fuqishme për një njeri të fuqishëm, manovra ushtarake, nderime siç e do rendi. Edhe Pashai vëren mërzinë e Bernierit në vendin e tij të bukur ku nuk lulëzojnë vetëm limonët. Robert ia tregon arsyen: “e ka humbur të dashurën”. Ah, meqë nuk është diçka më tepër, Ali Pasha i madh e kupton mërzinë e Bernierit dhe e sheh në të jo armikun e mundshëm, por një vëlla. Le ta zgjedhë në haremin e tij një dashuriçkë të re. Ariana ka frikë nga nata që po afron, kur pashai, të cilit ajo me vendosmëri nuk po i jepet, dëshiron ta ketë në shtrat. Ai dëshiron ta thyejë me dhunë betimin e saj për besnikëri. Por ajo preferon vdekjen. Shoqja e saj, Ilen, e cila kishte një fat të ngjashëm, ia dëshiron ndihmën e të Shenjtit, Spiridon. Ama punët nuk do të venë më keq. Ariana nuk e di ende që do ta shohë së shpejti përsëri të dashurin e saj…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama