Këtë e tregojnë edhe vetëm shifrat: Ndërkohë që Frankfurti ka patur vitet e fundit më shumë se 7000 stenda botuesish, në Lajpcig këto janë diçka më shumë se 2000; porse kundrejt 1500 shkrimtarëve që lexojnë sivjet në mbi 2000 veprimtari në Lajpcig, panairi i Frankfurtit mijërat i ka agjentë dhe botues që japemarrin me mijëra botues dhe agjentë të tjerë. Kështu ndahen punët e librit në mënyrë që lexuesi të marrë gjithmonë autorë të rinj dhe të mos i harrojë të vjetrit, në botime gjithmonë e më të lehta e elegante, së paku për shijen e kohës. Të hysh e të lëvizësh nën kubetë e qelqta të panairit të qytetit të Blirëve (urbs Libzi) për të ardhur te sallat e stendave, konferencave e takimeve nuk është aspak e lehtë, sidomos pas orës 10. Lumenj njerëzish, sidomos të rinjsh, një pjesë e madhe të veshur me kostume mesjetare ose petka përrallash nga të Grimmit, Wilhelm Hauffit, nga historitë e Eulenspiegleit dhe baronit Mynhausen. Kalorës me armurë, murgj nën kapuçë, Borëbardha e Kësulkuqe shalëpërjashta, oficere naziste, lugetë e dhampirë sa të duash.
Më merret fryma si kudo ku ka masa të mëdha njerëzish dhe s'arrij t'i lidh dot me librin këto lëvizje masive që sikur i shkojnë më shumë festës së birrës në Mynih, Disney landit ose Praterit të Vjenës. Sepse libri lexohet në vetmi! ndryshe nga kinemaja ose teatri, ku sikur kërkon ta ndash përjetimin me të tjerë, leximet më të bukura janë ato që janë zhvilluar në shtratin tënd para gjumit kur janë platitur gjithë zhurmat e shtëpisë ose kur je zgjuar nga ndonjë makth, te minderi i kuzhinës dhe pranë sobës në dimër, me trokitjen e shiut mbi llamarina ose rrezet e diellit që hyjnë të dielave nëpër të çarat e grilave.
Kurse këtu sa nuk të merret fryma, koka jote të duket si sfera e një gjilpëre me kokë mes mijëra kokash të tjera që shkojnë për të dëgjuar... një tjetër gjilpërë me kokë ca më të lartë e më shejtane. Pastaj kur lirohem disi nga shtrëngimi i grumbullit, them se është mirë, shumë më mirë kur qindrat e njerëzve dëgjojnë zërin e një shkrimtari që flet (edhe me akustikën e tmerrshme të një salle që gumëzhin gjithë kohën) sesa kur bie fjala mbushin kafenetë e kryeqytetit tonë, marrin nëpër gojë të tjerët ose bëjnë politikën lokale dhe atë botërore të zhytur nën re tymi.
Edhe këtë vit vizitorët do të jenë më shumë se vitet e mëparshme. Më 2010 ishin 9.000 më shumë se në 2009, sivjet që pas ditës së parë qenë shtuar edhe me 1000 krahasuar me 2010-n. Këtu lexon Clemens Setz, fituesi i Çmimit të sivjetëm të Panairit të Lajpcigut dhe ai i të vjetshmit Clemens Mayer, ngjitur me ta Ingo Schulze, një nga autorët gjermanë më të suksesshëm thotë se libri elektronik nuk ka për të fituar ndonjëherë, pak më tutje bëjnë një debat (njëkohësisht televiziv) fituesi i çmimit tjetër, atij të Mirëkuptimit Europian, austriaku Martin Pollack, në një raund me gjermanin Wawerzinek dhe hungarezin Dalos. Gjermani ka një histori tepër të dhimbshme: e ëma e ka braktisur foshnje në ish-RDGJ për t'u arratisur në Perëndim.
"Edhe sot kam ndjesinë se diçka me mua s'është në rregull", thotë ai, "gjithmonë më duket se do të më lënë diku". Georgy Dalos është një i njohur i vjetër; dikur më 1992 më është rrëfyer se ka qenë admirues i Shqipërisë socialiste dhe i ish-udhëheqësit të saj, të cilit ia pat blerë të gjitha veprat; sot është, në gjuhën gjermane, një nga penat më të mprehta të librit shoqëror-politik. Tani po prezanton një monografi mbi Gorbaçovin, të cilin e quan "viktimë të një keqkuptimi", pasi ai, sipas Dalosit, nuk donte aspak ta shembte socializmin, përkundrazi donte ta shpëtonte, vetëm se më pas e kuptoi se qe e pamundur. "Për të Lenini ishte siç qe fantazma për Hamletin", thotë shkrimtari.
E kështu mund të dëgjosh me dhjetëra mijëra mendime të mençura që artikulojnë qindrat e shkrimtarëve. Vërshimin e njerëzve në këtë panair e shpjegoj jo thjesht me dashurinë për librin (pasi librin aty e kanë gjithë vitin në librari të paqme), as pse duan të blejnë libra më lirë se zakonisht, siç ndodh p.sh. me Panairin e librit të Tiranës - shitje me të lirë këtu nuk ka - por me arsye të tjera. Kryesorja është që njeriut të sotëm duket po i mërzitet individualizmi, mbyllja në jetën private dhe hapja ndaj botëve virtuale që ka krijuar interneti. Me sa duket interneti ka ardhur në kufijtë e tij dhe njerëzit e ndjejnë se pa kontaktet konkrete njerëzore mbeten të vetmuar. Një tjetër arsye ngjan të jetë një si ndjenjë faji që kanë shumë vetë ndaj librit, për të cilin dinë se është diçka e mirë por që e kanë lënë kaq keq pas dore për shkak të mediave të tjera, kryesisht vizive.
Dhe e fundit, shkrimtarët trajtohen këtu si personalitete tepër të veçanta, nderohen në shumë pikëpamje, aq sa afrojnë gati-gati me yjet e spektaklit. Është kënaqësi e veçantë t'i kesh ata kaq afër, t'u bësh pyetje, t'u shtrëngosh dorën e t'u marrësh edhe një autograf. Në fund të kësaj përsiatje thua: e çë pastaj? në fund të fundit gjithë ky teatër me librin dhe shkrimtarët vetëm të mira ka. Kush nuk do të lexojë më, pasi ia kanë sjellë librin kaq pranë, dreqi e mori, atë s'e shpëton dot. Dhe patjetër është shumë më mirë kur njerëzit shtyhen për të parë librat dhe shkrimtarët e ditës sesa kur shtyhen për t'u futur në një stadium, ose për të marrë pjesë në mitingjet dhe koncertet elektorale të x partie.
Natyrisht që leximet publike të Lajpcigut janë diçka krejt tjetër jashtë territorit të panairit, p.sh. në kështjellën e Moritzit, ose në Skala, ku lexoi parmbrëmë shkrimtari serb Bora Çosiq (letërsia serbe është këtë vit temë qendrore e Panairit, të pranishëm janë edhe David Albahari, Dragan Velikiq e plot të tjerë), ose në UT Connewitz, ku lexuan edhe shkrimtarë shqiptarë. Këtu në Connewitz teatri është si një ngrehinë e rrënuar, e braktisur, me një portal antik. Atmosferë e jashtëzakonshme, si te "Roma" e Felinit më thotë Ervin Hatibi, ndriçimi thuajse mesjetar. Në skenë u ngjitën, në dy net me titullin Balcan rocks, bashkë me shkrimtarë kroatë, serbë, bullgarë, edhe Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Albana Shala, Ardian Kyçyku.
Të ëmbël e të duartrokitur nxehtësisht kuarteti "Akustika" i Eduard Dashit (me Agi Dashin, Helidon e Joli Goron) me udhëtimin e tyre nostalgjik nëpër folkun shqiptar nga Kosova në Korçë e nga Përmeti në Kalabri, sidomos kur shoqëruan flautistin (apo fyelltarin?) virtuoz serb Bora Dugiq që i ndërronte fyejt nga një valixhe e vogël si berberët dikur brisqet e rrojës. E pabesueshme: dy të tretat e njerëzve kanë zënë vend, një e treta rri në këmbë, mbështetur pas mureve, deri dhe jashtë dere në korridore, për të dëgjuar poezi nga Shqipëria ose fragmente romanesh nga Bullgaria! Te ne t'i paguash njerëzit, t'u japësh kafe e koka-kola nuk i tërheq dot të ulen të dëgjojnë letërsi, pale të rrinë në këmbë. Dy shqiptareve shkodrane nga grupi u erdhi duket keq për ata vizitorë që po rrinin në korridore dhe filluan t'u këndojnë Lule bore, Margjelo etj.
Letërsia e re shqiptare (nuk i mungojnë as poetët as prozatorët e mirë) erdhi këtë herë në Lajpcig më mirë se çdo vit tjetër falë bujarisë së mikpritësve gjermanë, në radhë të parë fondacionit Traduki dhe drejtorisë së këtij panairi. Më e rëndësishme, ata u përzien kaq mirë me autorë të tjerë të vendeve ballkanike, në biseda e debate me shkrimtarë serbë, malazezë, kroatë sa të mos kesh asnjë ndjenjë inferioriteti për krijuesit e vendit tënd. Pyetja ose brenga e vetme që të mbetet është: po të mos jenë mikpritësit kaq bujarë, do mund të vetorganizohemi për të sjellë edhe ne një ngastër kulturë në Lajpcig? Dyshoj se jo. Shihi pak edhe vetëm si janë ndaj njëri-tjetrit. Përgjithësisht gjysma shkon keq me gjysmën tjetër, një e katërta flet keq ndaj tre të katërtave të tjera. Rrotull vijnë edhe disa përkthyes të shqipes që duket sikur ushqejnë dhe më prushin e mërive.
Brengë më vete ishte edhe stenda e Shqipërisë, se kishte qëlluar mu përballë asaj të Serbisë, që duke qenë dhe në qendër të vëmendjes ishte gjithë gjallëri, mbushur me autorë dhe diskutime. Stenda jonë kishte shpërndarë disa libra në rafte mes portrete shkrimtarësh, në tryezë dy palë vepra të plota dhe në shumicën e kohës aty asnjeri. As botues e as vizitorë. Vetëm dikur nga e shtuna paradite ra gongu në atë stendë, u shpërndanë qiqra, lajthi dhe fara të tjera me pak verë të kuqe gjermane dhe kaq.
Sot që po shkruaj, ditë e diel, stenda jonë u ndodh e boshatisur, edhe nga librat, qysh në orën 11. Pyeta se ku vallë ndodheshin 30 e ca libra që kisha prurë nga të mitë e të disa kolegëve botues ditën e parë, më thanë se ishin vjedhur. Epo kontribut për kulturën qe edhe ky, thashë. Shqipëria prezantohej në këtë panair për herë të parë me një stendë, e kjo patjetër duhej përshëndetur. Problemi kryesor i këtij përfaqësimi qe, mendoj, keqkuptimi: sepse këtu, siç thamë, nuk shkon as shitja e librit nga banaku as ardhja pa kulturën me vete, pa harmoninë e grupit që mbërrin për të paraqitur sa më mirë imazhin e një vendi. Komentet që mund të dëgjosh gjermanisht aty rrotull të bëjnë të skuqet maja e veshit. Koha kur na skuqej i gjithi me sa duket ka kaluar.