Kur pak ditë më parë do të konstatohej zhdukja e 60 veprave të Vangjush Mios në Korçë, impakti në publik do të ishte i jashtëzakonshëm. Zhgënjimi do ishte masiv. Lajmi arriti, që përpos edhe temperaturave të larta, situatës së agravuar politike, të dilte realisht si kryelajm i javës. Vangjush Mio, një njeri i përkorë dhe një artist fin, më i miri peizazhist shqiptar, do të shqyrtohej dhe tirrej shumë në këto ditë vape, por trishtimi për humbjen e një serie të tërë të veprës së tij ishte me gjithë mend i frikshëm.
E vërteta ishte e dhimbshme edhe për një fakt tjetër. Veprat e tij rezultonin të humbura prej kohësh dhe askush nuk e kish çarë kokën deri më atëherë. Historia ishte tipike shqiptare: Ishte një kujdestar, që e kish bërë punën vullnetarisht dhe që tani duhej të dilte në pension dhe një tjetër që po e zëvendësonte dhe, falë insistimit të tij, ishin verifikuar dhe punët?!!! I gjithë problemi që de jure kish dalë nga ndërrimi i punonjësve përgjegjës që kishin bërë inventarin, de facto, duhej të dihej prej kohësh. Sot, ditë më vonë, lajmi është fashitur krejt, sepse askujt nuk i bën më përshtypje ky lajm.
Shqipëria prodhon vazhdimisht lajme dhe ai që botohet është krejt më i çuditshëm se tjetri. Megjithatë, duke u kthyer në argumentin tonë, e mendon çmimet e tyre, të zë me gjithë mend trishtimi. Mio në Korçën e tij, që e bëri të pavdekshme në telajo, kushtonte vetëm 2.500 Lek?!!! Z. Izet Duraku, drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, shpjegon për ‘JAVA’: “Në 61 veprat e humbura në Galerinë e arteve në Korçë, çmimet e ruajtjes në inventar për çdo vepër shkojnë nga 200 deri në 2500 lekë maksimumi për ‘Malet e Moravës’, një peizazh i V. Mios. Çmime dëshpëruese që na rikthejnë në periudhën komuniste, një kohë që e kishim menduar si të kaluar tashmë.
A e ka shtuar fondin e vet kjo galeri në këto 20 vjet të ndryshimit te sistemit? Kjo nuk pasqyrohet gjëkundi. Kjo Galeri ishte një magazinë pa inventar e mbuluar nga harresa dhe pluhuri. Përmes një letre, i kemi kërkuar edhe njëherë kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe disa bashkive të tjera ku ka galeri arti që, me ekspertë të fushës, sipas ligjeve në fuqi, të bëjnë sa më shpejt rivlerësimin për çdo vepër që kanë në inventar. Çmimet aktuale nxisin abuzimin me trashëgiminë kulturore duke paralajmëruar humbje të tjera”. Sa do të realizohet? Kjo do të shihet në ditët në vazhdim...
Regjistrimi
Ndërkohë, prej muajsh, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ka nisur një fazë regjistrimi dhe një fushatë sensibilizimi, e cila po vazhdon nëpër institucionet kulturore shqiptare. Puna po vazhdon me regjistrimet e muzeumeve arkeologjike, ndërsa po vazhdon puna në disa muzeume. “Në të vërtetë Qendra jonë është në një fushatë të pandërprerë regjistrimesh deri sa të përfundojë plotësisht inventarizimi i objekteve kulturore në pronësi publike. Për fat të mirë, ende ruhen në mbarë vendin pasuri kulturore që i përkasin kryesisht etnografisë lidhur me zejet tradicionale, mjeshtëritë e ndryshme të prodhimit të veshjeve, etj. Gjetja dhe dokumentimi i tyre, do të kërkojë një kohë më të gjatë. Tani jemi në valën e punës për regjistrimin e fondeve të muzeumeve arkeologjike të Tiranës, Durrësit dhe Butrintit, ndërsa kemi kryer këtë punë në muzeun arkeologjik të Korçës dhe Apolonisë. Duke bashkëpunuar me institutet në varësi të Qendrës së Studimeve Albanologjike duam të përshpejtojmë katalogimin e dhjetëra mijë objektesh etnografike dhe arkeologjike që janë ende të pa regjistruara në Qendrën tonë”, sqaron drejtori Duraku.
Ruajtja
Por humbja ka nxjerrë nga ana tjetër edhe se sa pak vlen dhe vlerësohet puna e artistëve në Shqipëri. Jo vetëm çmimet e veprave të tyre, por, më shumë nga të gjitha, mungesa e kujdesit dhe pseudot e ndryshëm lokalë, në këto ditë, i kemi dëgjuar me lloj-lloj justifikimesh. Vërtetë nuk ka ndodhur ajo që ndodhi më ’97, por kjo ka treguar në një farë mënyre, se një kategori njerëzish janë gati të përvetësojnë gjithçka.
“Humbja e pikturave të Mios na bën me dije edhe njëherë se veprat me vlerë, kur nuk ruhen si duhet, mbeten një pre e lehtë e rreziqeve që u kanosën. Pas shkatërrimeve që ndodhen në kapërcyell të ndërrimit të sistemit në vitet ‘91-92, kur u vodhën e u grabitën në disa muzeume në rrethe objekte arkeologjike, etj, për të garantuar ruajtjen, objektet e mbetura, u sollën me shpejtësi në Tiranë. Kështu u shpëtuan në Institutin e Arkeologjisë qindra objekte të muzeut të Apolonisë, të cilat me krijimin e kushteve (restaurim i godinës e ruajtje e saj sipas parametrave të kohës) u rikthyen para disa muajsh në Apoloni. Edhe sot ruhen te ky institut edhe objekte të tjera që u përkasin muzeve lokal, ku ende nuk është rikthyer siguria.
Pikturat e Mios nuk i ‘mori’ askush në mbrojtje. Po të ishin strehuar ato në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku përveç një personeli të posaçëm që merret me sigurinë, gjithë mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm është nën mbikëqyrjen e përhershme të kamerave, nuk do të ndodhte ajo që ndodhi”, citohet Duraku.
Privatët
Por koleksionistët privatë janë një shqetësim tjetër i madh për të gjithë këtë proces, ku punët e artistëve shqiptarë të traditës po harrohen. Megjithatë, deri më tashmë, janë rreth 50 syresh që kanë regjistruar punët e tyre, ndërkohë që një tufë të tjerash as nuk dihen fare. “Në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore kanë regjistruar objektet e tyre mbi 50 koleksionistë. Një pjese e tyre janë gati të hapin muze. Mund të përmendet muzeu ‘Mezuraj’ në Tiranë, Galeria F. në Shijak etj. Ka një shumëllojshmëri koleksionesh. Lulëzim Perati ka mbledhur nga gjithë krahinat e vendit stolitë e gruas shqiptare, Luljeta Dano ruan thesarin më të madh në vend të xhubletës 4 mijë vjeçare, Linda Spahiu ka një korpus të plotë kostumesh popullore... Por ende kemi shqetësimin se jo të gjithë poseduesit privatë kanë shqetësimin e katalogimit të pasurive të tyre, pajisjen e tyre me një pasaportë që tregon origjinën, gjendjen e objektit, karakteristikat fizike e shkencore. Vetëm përmes një pasaporte të tillë sigurohet qarkullimi kulturor brenda dhe jashtë vendit”.