Nje pershpirtje me muzike e poezi per Ali Podrimjen
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
U zhvillua në Teatrin e Operës “Gjithmonë Ali Podrimja”
Akademikë, shkrimtarë e politikanë nga Shqipëria e Kosova nderuan poetin.
Si një ikje pa lamtumirë ishte ajo e Ali Podrimjes. Larg syve të të gjithëve, që askush të mos e shihte tek i jepej vdekjes. Në një pyll të errët në Francë, ku kishte shkuar për poezinë. Por Ali Podrimja nuk mund të ikte kështu. Miqtë nuk mund ta pranojnë këtë, ndaj dhe që prej ditës që iku, nuk kanë reshtur homazhet ndaj poetit të Kosovës, ai që u këndoi dhimbjeve të bashkëkombësve, që u bë zëri i tyre. “Gjithmonë Ali Podrimja”, kështu titullohej përshpirtja poetike e zhvilluar mbrëmë në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ideuar nga mjeshtri Zhani Ciko dhe me regji të Adonis Filipit. Akademikë, poetë, studiues, politikanë, të gjithë ishin mbledhur dje për nder të poetit. I pranishëm në këtë mbrëmje letrare ishte Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, Hajdin Abazi zv. ministër i Kulturës i Kosovës, akademiku dhe miku i poetit Ali Aliu, Resul Shabani, shkrimtar nga Maqedonia, akademiku Basri Çapriqi, kryetari i “Pen Klub Kosova”, Rexhep Smaili etj.
Kjo përkujtimore për poetin kosovar ishte menduar në formën e një mbrëmjeje me katërt kohë (“Ika”, “Elozh”, “Homazh” dhe “Ardhmëria”) me poezi, muzikë, ndërkohë që miq të poetit ndanë me të pranishmit e shumtë mendimet dhe kujtimet e tyre mbi Ali Podrimjen. Një prej të ftuarve, akademiku kosovar Ali Aliu, do të ndalej te përballja prometiane që Podrimja u bëri gjithë përplasjeve të jetës, mes të cilave dhe vdekjen e të birit në një moshë fare të re. Për Aliun, Podrimja u bë “zëri i dhimbjes kolektive”, megjithatë nuk ishte një zë dëshpërues, por mobilizues e shpresëdhënës. “Arti i tij mbarte shpirtin dhe vlerat e shumë gjeneratave shqiptare”, tha akademiku.
Poezi e muzikë
Në qendër të skenës, të veshur në të kuqe, qarkuar me lule, qëndron një fron bosh. Është froni i poetit, të cilin aktorja Yllka Mujo e mbushi me lule. E para këtij froni u përulën të gjithë të pranishmit. Pas muzikës funebre nga Johan Sebastian Bach (“Toccata”), interpretuar nga pianistja Rudina Ciko, aktorët e Teatrit Kombëtar, Yllka Mujo, Mirush Kabashi, Fatos Sela e Bujar Asqeriu, sollën vargje nga disa prej poezive më të bukura të Ali Podrimjes, të cilat u duartrokitën gjatë nga të pranishmit. U hap me poezinë himn “Unë biri yt Kosovë”, njërit prej krijimeve më të bukura të Podrimjes, për të vazhduar me të njëjtën frymë në poezitë “Përtej dhimbjes”, “Etyd për Shqipërinë”, “Dua të jem”, “Kush do të vrasë ujkun”, “A ja dëgjoni harrimin”, për t’u përmbyllur nën interpretimin pasionant të Mirush Kabashit me “Një natë nga netët e mia pagjumë, Preveza”. Aktorët do të ktheheshin sërish në skenë me të tjera poezi në kohën e tretë me “Kthim në vete”, “Bukuria”, “Dashuria”, “Lumi”, “Historia e një nëne” etj. Nuk do të mungonte një “Ave” e Mascagnit, interpretuar nga tenori Armaldo Kllogjeri, që u la udhë romancave, mbështetur mbi poezitë e Ali Podrimjes dhe me muzikë nga Rauf Dhoni e Feim Ibrahimi. Disa syresh nxjerrë nga arkivi personal i kompozitorit Feim Ibrahimi. “Balladë” (1999), me muzikë nga Rauf Dhomi, interpretuar nga sopranoja Suzana Frashëri, “Rrjedh s’është lumë” (1994), interpretuar nga baritoni Solen Alla, “Në pyll” (1977), nën interpretimin e mexosopranos Vikena Kamenica, “Unë, biri yt Kosovë” (1982), kënduar nga baritoni Armando Likaj, të gjitha ishin muzikuar nga kompozitori Feim Ibrahimi.
Diku në botë
Po qe se nuk të
shkruaj
Miku im i dashur
Po qe se s’ma dëgjon zërin
Merr një karafil
E ma kërko varrin
Diku në botë
Se vajta pas Lumit
Ali Podrimja
Vdekja e papritur
Ali Podrimja kishte shkuar në Francë për poezinë dhe nuk u kthye më. E shpallën të humbur, ndërsa trupi i pajetë i poetit u gjet më 21 korrik, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës. Podrimja kishte udhëtuar për në Francë të hënën e 16 korrikut, për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”. Ato ditë kishte komunikuar me mediat kosovare për festivalin, por për tri ditë me radhë do të ndërpriste komunikimin me të gjithë dhe përgjithmonë. Pas gjetjes së trupit të pajetë, autoritetet franceze kanë konfirmuar të martën se poeti Ali Podrimja vdiq natyrshëm. Rezultatet e raportit mjekoligjor që janë kryer në Francë i janë dorëzuar Ambasadës së Kosovës atje. Ambasadori Muhamedin Kullashi ka thënë për gazetën se konstatimi kryesor i këtij raporti është se bëhet fjalë për vdekje natyrale. Thuhet se Podrimja ka humbur jetën për shkak të dehidratimit, pasi kishte humbur orientimin nëpër pyll. Një tjetër raport në detaje për vdekjen e poetit do të jetë gati pas 15 ditësh. Atë po e kryen klinika e mjekësisë ligjore në Montpellier, ku ishte dërguar trupi i pajetë i poetit. Në mëngjesin e 26 korrikut ai mbërriti në tokën e tij, ku u prit nga familjarët dhe kolegët i mbështjellë me flamur, për t’u përcjellë më pas në ambientet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, ku u mbajtën homazhe për plot dy orë. Më pas kortezhi i përmortshëm u drejtua për në banesën e fundit.