Për shumëçka mund të shprehemi këtu e në analizat e tjera që, me siguri në të ardhmen do t’i bëhen romanit të Arlinda Gumës, na i ka qartësuar vetë autorja. “Dua të të rrëfej se teksa i afrohesha podiumit dhe mbërthehesha nga sytë plot kureshti të të pranishmëve, seç më erdhi një dëshirë t’i evitoja ato fjalimet standarde, që mbahen rëndom në raste të atilla: falenderime standard, komplimente standard, buzëqeshje standard” i shkruan në një e-mail shkrimtarja e njohur Siria Athanas gazetarit të kronikës rozë L.E.
Duke iu përmbajtur këtij “urdhëri” të saj si tekst e nëntekst, dua të them se shkrimtaren e talentuar Arlinda Guma, nuk kam patur rast ta njoh dhe, këtu në këtë promovim, e shoh për herë të parë. Porse më vjen mirë, që në fazën parapërgatitore, kur më është kërkuar mendim, kam ndikuar, – jo pa entuziazëm të papërligjur, – që t’i hapet udhë botimit të këtij romani.
“Romani “Bulevardi i yjeve” i autores Arlinda Guma, – i shkruaja redaksisë së “Toenës”, – mendoj se është interesant, intrigues, shkruar me kulturë, këndshëm, rrjedhshëm dhe ndjehet poetja e ardhur në prozë. Gjykoj se kemi të bëjmë me autore me përvojë e kërkesa të larta artistike e estetike ndaj vetes; me kërkime e realizime serioze në strukturën kompozicionale të veprës, me një stil të konsoliduar e modern, me tipizim e individualizim origjinal të galerisë së karaktereve jetësore dhe me një gjuhë të pasur, me prirjen pozitive për ta pasuruar atë. Në tërësinë e romanit titullimi i kapitujve të tij mund të mos çojë peshë, po kjo s’ka se si të mos bëjë përshtypje, pasi në të shumtën e rasteve ato janë poetikë, kuitesencë e, si kudo gjetkë, ndjehet poetja.
Fokusimi në mjediset, psikologjinë e njerëzve me probleme mendore dhe të afërmeve të tyre, ndërthurja e tyre në kohë dhe hapësirë me realitetin jashtë spitalit psikiatrik, paraqet interes dhe nuk është aq e trajtuar në letrat shqipe, përveçse në kinematografi, dhe këtu shkarazi. Faqet në vazhdim, me hyrjen në rrjedhat e romanit të shkrimtares Siria Athanas, autores së romanit “Kukullat” dhe të gazetarit L.E, e bëjnë romanin më intrigues e dinamik.” etj, etj.
Në këtë audiencë mikse, me lexues të romanit, shpresoj të jetë kështu, me miq, shokë e shoqe e të afërm të protagonistes të këtij eventi, me autorë, botues e njerëz të medias e ndjen të vështirë për të gjetur një rezultante se çfarë më parë duhet të vësh në spikamë, gjithsesi sipas “urdhërit” paraprak e të paralajmëruar “antistandard” të Gumës. Përkitazi disa gjëra janë thënë në shënimet profesionale, mendoj, që shoqërojnë botimin, në disa recensionime në media, ku nuk mund të rri pa e cekur “komplimentin” ndaj librit në një të përditshme, tekstualisht “Një roman i shkruar KUJDESSHËM”, pasi sado që e vras mendjen për të gjetur domethënien kontekstuale të këtij cilësori, sinqerisht nuk e kuptoj se ç’do të thotë “roman i shkruar KUJDESSHËM”.
Në fakt s’e kam krejt hallin te ky cilësor i çuditshëm që hyn këtu nga fusha kryesisht militare, ndërtimore etj, po te preokupimi që prurja të tilla si romani i Arlindës etj, duhen trajtuar me kujdes të veçantë, me ndershmëri e dashamirësi, me vëmendje, seriozitet e përgjegjësi, pasi e them me bindje të plotë se nuk janë të përditshme, se nuk janë aq të shpeshta këso prurjesh, përkundrazi. Edhe kur të ka ardhur një shans për të afruar lexuesin e ri të ftohtë, dembel e përtac me një letërsi bashkëkohore e modern, – jo për humor, Bio, – ku mund t’i shohë bukur e realisht problemet e tij jetike brenda ose jashtë një spitali psikiatrik, qoftë dhe në kuptimin metaforik a nëntekstual, – si te enët komunikuese, – është vërtet mëkat ta trajtosh si të zakonshme. E quaj të vlertë vlerësimin dhe këtë promocion të parë mirëseardhës në letrat shqipe, që i bën Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe “Toena”, i cili me siguri, do të pasohet edhe nga të tjerë.
Ç’më ka bërë përshtypje, që dua t’i vë në spikamë këtu?
- Liria brenda autores, natyrisht jo si slogan me të cilin po na i shurdhojnë veshët përditë, po si mishërim konkret në kuptimin e plotë të fjalës, e pakalkuluar; vetëm një liri e tillë brenda vetes mund t’ia mbërrijë suksesit në letërsinë ballkanike e shqiptare;
- finesa, përpjekja për të qenë gjithnjë vetvetja ajo, krijimi dhe personazhet e saja, për të mos i lënë shkas recensionuesve disa radhësh në median tonë, – gjendja e kritikës sonë letrare dhe posaçërisht e ndonjërit syresh, që bëhet “bashkëkohor” duke përshtatur terminologji të studiuesve të huaj të përkthyer (fatmirësisht) në shqip pa ndonjë lidhje adekuate me tekstin që merr përsipër ta anlizojë, – që të mos vrasin fort mendjen se me cilin autor ngjet stili i gjallë, dinamik, përsiatës e shpesh poetik i Arlinda Gumës, e cila bën një letërsi ndryshe,
- kultura e gjerë dhe prirja për ta pasuruar e përcjellë lexuesit jo përmes kolazheve të mençurisë si ngjet rëndom, te gjinsi i fejsbukistëve, që qëmtojnë nëpër libra e blogje fjalë të urta e bëhen kësisoj krejt “të zotë” për shkak të këtyre publikimeve, por i jep në mënyrë origjinale e të tretësuara në tekst, vetvetiu si çdo letërsi modern të bën të vrasësh mendjen për domethënien e tyre;
- mencuria e zgjuarsia e autores, humori i këndshëm e befasues, ironia e sarkazma e saj, që sa i ka dhënë dorë “lënda e parë” e romanit, brenda dhe jashtë spitalit psikiatrik, aq dhe nuk ka abuzuar, kur i ka dhënë krahë fantazisë;
- ndjeshmëria spikatëse, delikatesa e brishtësia në trajtimin e kësaj teme të vështirë e, në përgjithësi të ideve substanciale që ngre përgjatë veprës, si ç’është lumturia për njeriun, raportet e talenteve me lirinë, me famën etj,
-aftësia e saj në zhbirimet psikologjike të atyre personazheve që janë brenda kangjellave dhe të atyre jashtë saj, po janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të këmishës së forcës së shoqërisë, për t’ia veshur gjithkujt që e gjen të ndryshëm, ku një vend të veçantë zë figura e Bashkiakut ose e Kryebashkiakut, mjaft groteske dhe tepër përfaqësuese për realitetin shqiptar, (Jam i sigurtë që nëse Shoqata e Kryetarëve të Bashkive të Republikës do të njihet me portretin e këtij Kryebashkiaku në romanin e Arlindës, keni për të parë po nuk zgjodhi ndonjërin prej tyre (sotpër sot rreth 390 të tillë), më tipikun, ta nderëzojë atë me ndonjë dekoratë të lartë, mundësisht presidenciale, siç ngjet rëndom e të thonë “Ja si i kemi ne kryetarët e Bashkive e jo ashtu siç është vizatuar në atë “Bulevardin…” e asaj çupe”.
- zotërimi i plotë i lëndës së romanit (vini re shënimin përmbyllës të librit tetor 2008-tetor 2012, botimi në 2014-en, çka duket se autoren nuk e josh aq suksesi e fama e menjëhershme, po mbi të gjitha i intereson vepra, vepra që mbetet) dhe aftësia e veçantë e plot finesë e thurjes së romanit, për të cilën në ndonjë rast tjetër, do të shprehem më gjerësisht për risitë që sjell, si përshkallëzimin e shpërfaqjes së subjektit, të karaktereve e zhvillimin e tyre, asocimet mjeshtërore, shmangia e trajtimeve tradicionale të një proze të rëndomtë e përshkruese, duke krijuar kësisoj një mozaik narrativ funksional e një procedim narrativ të larmishëm e të zhdërvjelltë, të ndërthurur me mjeshtëri, plot finesë e me dy-tre mënyra të treguari: i drejpërdrejt i autores, ditari, e-maili, retrospektiva etj,
Në këtë renditje të vetëm përkitjes së mbresave lashë enkas për në fund galerinë e pasur të karaktereve dhe aftësinë e saj të veçantë për t’i krijuar ato.
Nuk të bie shpesh rasti që brenda faqeve të një romani të të mbeten në mendja kaq shumë personazhe korelacioni i tyre, qofshin qëndrorë si “grupi i të pestëve” (me shtesën e papërfshirë në to, Noan) herë-herë en bloc e individualisht, Siria, gazetari L.E, studentja-aktore, Lejla etj e ato episodikë, nëse do t’i përmbahemi përkufizimeve tradicionale, pasi mjeshtërisht, – do të duhej ta përdorja më shpesh këtë fjalë, – për shkrimtaren e talentuar janë të gjithë të barabartë, pavarërisht peshës së tyre në roman, si arkitekti R., Fritzi, trupa e infermierëve e dallueshme për brutalitetin, po dhe poshtërsitë e tyre (shih fundin e romanit, drama e dyfishtë me Klarën etj) prej mjekëve të tjerë. Siç e ceka më lart me Bashkiakun e Kryebashkiakun e qytetit Arlinda sjell një ndihmesë në pasurimin e galerisë së personazheve me tipa të tillë.