Nje romance pariziene per shqiptarken

Nje romance pariziene per shqiptarken

Gazetari dhe shkrimtari francez në Shqipërinë e Luftës së Parë Botërore, por dhe gjatë qeverisjes së Mbretit Zog. Eksperiencën shqiptare ai e solli në esenë “Luftimet në Shqipëri” dhe në një roman dashurie

A do të bëhesh mikja ime /Moj Shqiptarka këmbëlehtë?/Eja pra në mal me mua/Mes rrezikut në më do…Kur Pierrë Chanlaine, gazetar dhe shkrimtar francez mbërriti në Shqipëri, përpiqej të dallonte në ecjen e lehtë dhe veshjen karakteristike në vështrimet e femrave shqiptare, që e kishin joshur aq shumë teksa lexonte vargjet e poetit Ambroise Bétourné, shkruar që në vitin 1833. Vargjet e Bétourné, të jepnin idenë e një Shqipërie romantike, ku një i huaj kishte mbetur aq i mahnitur nga shqiptaret sa u kishte kushtuar dhe një vjershë. Ai i lutej të shkonte me të në mal, mes rrezikut vetëm të bëhej mikja e tij. Pierre Chanlaine ishte i frymëzuar nga këto vargje teksa përpiqej të kuptonte atë çfarë ndodhte me këtë vend diku në Ballkan. Ai e pa Shqipërinë në dy periudha para dhe gjatë regjimit të Mbretit Zog. Ishte viti 1928 kur ai shkruante “Kur unë luftoja dikur në Shqipëri, ai ishte vendi më i prapambetur që ekzistonte. Por gjithashtu, një vend i bukur, ku përrenjtë derdheshin gëzueshëm prej maleve gjigante, – një vend simpatik.

 

Shqiptarët e kanë mbrojtur gjithherë gjuhën e tyre kundër shtypjes greke ose turke. Shqiptari është i drejtë; ai çmon nderin më shumë se çdo gjë. Ai është ushtar i mrekullueshëm e me traditë. Të parët e tij kanë luftuar në Fornoue (Fornovo, burg në Itali pranë Taros në rrjedhën e lumit Po) në gjirin e ushtrisë së Henrikut III, të Maksimilianit, të Françeskut I. Ai është i matur. Ai është trim. Si mund të mos e duash me gjithë shpirt?”. Për Chanlaine, qeverisja e Mbretit Zog, ndryshoi disi kursin e vendit. “Anarkia po bënte kërdinë dhe – me gjithë simpatinë që shqiptarët kishin ditur të nxisnin dhe pavarësisht protestave të tyre të zjarrta e të ligjshme – po kërkohej që, nëse do të ishte e detyrueshme, të bëhej copëtimi i shqiptarëve ndërmjet Greqisë dhe Jugosllavisë. Por erdhi Ahmet Zogu. Dhe vendi u transformua. Në fillim ai vendosi një Kushtetutë. Dy dhoma. Dhoma e Deputetëve, e zgjedhur me votime të përgjithshme; Senati, në të cilin një të katërtën e zgjidhte Presidenti, ndërsa pjesa tjetër zgjidhej njëlloj si deputetët.

Presidenti i Republikës është në të njëjtën kohë edhe kryetar i Këshillit të Ministrave; njëlloj si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai krijon qeverinë dhe përgjigjet para Dhomës së deputetëve”, shkruan Chanlaine. Teksa tregon për rrugët e ndërtuara që po i jepnin një tjetër frymëmarrje vendit dhe për një projekt për tri linja avionësh Tiranë, Vlorë, Korçë; Tiranë – Shkodër, Brindisi – Vlorë që pritej të ndërtohej. Ai ka vëzhguar me kujdes xhandarmërinë, industrinë. “Industria e vjetër – sapuneria, rafinim i vajit, fabrikat e duhanit dhe të alkoolit – mbrohen nga shteti; kultura e drithërave dhe e verës është zhvilluar. Dhe meqenëse një vend që përparon zgjon edhe lakmi, e cila të shtyn drejt drojës e njëkohësisht drejt admirimit, Ahmet Zogu ka krijuar një ushtri dhe një xhandarmëri. Për organizimin e secilës prej tyre janë ngarkuar oficerë italianë dhe anglezë. Gjithë forcat ushtarake arrijnë afër 20 mijë vetë”, shkruan ai. Teksa vlerëson në shkrim atë çfarë po ndodhte në vend gjatë qeverisjes së Mbretit Zog, Pierre Chanlaine nuk e harroi Shqipërinë gjatë kthimit në Paris. Në studion e tij të punës ai u ul dhe shkroi një nga romanet e tij më të mira “Shqiptarka dhe urrejtja e saj”, një dramë e vërtetë shekspiriane në vitet ‘20 të shekullit XX.

 

Libri është i përkthyer në shqip nga Fotaq Andra dhe botuar nga “Zenit”. I gjithë subjekti i këtij romani është vendosur në viset shqiptare. Duket që Pierrë ka qenë një vëzhgues i mirë i dokeve zakoneve, por edhe psikologjisë së vendit. Nga ky roman kupton se ndonjë shqiptarkë me vështrimin fatal i ka rrëmbyer zemrën, aq sa ai e përjetësoi në një libër. Libri ka qarkulluar në qarqet letrare franceze si “romanca shqiptare” dhe personazhet e tij kanë qenë emra të njohur për lexuesin e kohës.  “Ajo afroi pranë buzëve të ethshme të komitit parakrahun e zhveshur dhe pastaj krahun. Xhemali me gjithë fuqinë e hojëzave të gufuara të syve hermetikosur dehshim thithtë krejt parfumin e atij mishi. Por, ngaqë s’po e prekte, Bejla ia afroi gjer te kontakti i buzës së plagosur. Xhemali ia mbërtheu atëherë krahun. Mbi supin e saj të lakuriqtë, dërrmoi gjithë shikimin e vet përpirës, pasandaj, buzët e zjarrta duke ndrydhur sakaq një rënkesë të lehtë epshore. Puthja s’po ndalej…”, janë disa pasazhe nga libri i Chanlaine. Shqipëria mbeti si një nga eksperiencat më të vyera në jetën e Chanlaine, të cilën e përshkroi jo vetëm në biseda me miq, por edhe në libra.



Pierre është një personazh i njohur në letrat franceze. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Luftëtarë në vitet 1944-1969, kalorës i Legjionit të Nderit. Në vitet e Luftës së Parë Botërore ai ishte në Shqipëri. Në vitin 1918 shkroi esenë “Luftimet në Shqipëri”. Pierrë ka shkruar një sërë romanesh dhe librash studimorë, mes të cilëve dhe një për Napolon Bonapartin. Njohës i mirë i shpirtit të luftës, personazhet ai i merr nga ky terren. Komitët dhe karakteri i tyre gjejnë një përshkrim te librat e tij, një përshkrim i cili jep dhe psikologjinë e kohës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama