Burri që befas ka marrë statusin e heroit ka përpara një krikëll birre dhe një cigare. Netët e fundit nuk ka mundur që të vërë gjumë në sy dhe kjo lodhje vihet shumë mirë re në fytyrën e tij. Ditën pas masakrës, në kampin rinor në ishullin norvegjez, ai ndihej edhe më i këputur, por gjithsesi, ndërkaq e kuptoi se përse kishte ardhur ndopak në këtë jetë. Ngjarja ishte ndër më tragjiket që i ka qëlluar të përjetojë kombit norvegjez, një kombi të paqtë, të qetë, me besim te mirësia njerëzore. Gjatë 24 orëve në të cilat Marcel u shndërrua nga një njeri i thjeshtë në një hero, ai bëri vërtet maksimumin për të shpëtuar adoleshentët që hidheshin në ujë për t’u ikur plumbave të një të marri. Marcel, 32-vjeçar është një ndërtues çatish nga Gjermania, i cili ka punuar në Norvegji gjatë dy viteve të fundit. Së fundi ishte me pushime në fushimin rinor të ishullit të Utvikës së bashku me prindërit e tij.
Ndërsa qëndron para gotës së birrës, thith fort cigaren dhe nis të rrëfejë historinë. Ishte një pasdite e ftohtë dhe ai së bashku me prindërit kishin shkuar që të pinin një kafe në një lokal. Në qendër të bisedës së tyre ishte sulmi që kishte ndodhur vetëm pak minuta më parë në qendër të Oslos në të cilin kishin humbur jetën edhe shumë njerëz. Ishte një fqinj i vendit në të cilin pushonin që i kishte njoftuar për këtë sulm. Ndërsa flisnin, befas dëgjuan një zhurmë arme. Fillimisht ishte një, më pas dy dhe pas kësaj një breshëri e tërë. Nga ishulli që ndodhej përballë kafenesë së tyre panë që po dilte tym. Fillimisht kujtuan se ishin fishekzjarrë. Kështu vendosën që të merrnin një varkë aty pranë dhe të shkonin të shihnin se çfarë bëhej në ishull. Kur arritën te varka panë një vajzë rreth 16 vjeç që po dilte në atë moment nga uji dhe kishte veshur vetëm të brendshmet. Ishte një pamje e çuditshme.
Menjëherë pas saj panë një vajzë tjetër e cila ndërsa dilte nga uji nisi që të bërtiste duke kërkuar ndihmë. Ishte një moment kur Marcel e kuptoi befas që diçka e tmerrshme po ndodhte në ishullin prej nga ku tani fare qartas dallohej një tym i zi. Sakaq, nisën edhe adoleshentë të tjerë që të dilnin nga uji. Ishin të gjithë të ardhur nga ishulli që ishin hedhur në ujë për të shpëtuar kokën nga sulmi i egër i një maniaku. E ndërsa Marcel dhe familjarët e tij po shihnin këta të rinj të dilnin nga uji, dhjetëra bashkëmoshatarë dhe shokë të tyret kishin humbur jetën në atë fraksion kohe. Familja menjëherë hyri në veprim duke mos dashur të humbiste më asnjë sekondë, duke dashur që të vihej e tëra në dispozicion të jetëve të të rinjve në rrezik. Mamaja e Marcel fillimisht e nxori në breg vajzën e parë dhe e mbështolli me njëherë me një batanije. Ajo ishte e ngrirë dhe e shokuar dhe nisi që të dridhej dhe të qante. “Në situata të tilla një njeri nuk mendon fare”, thotë Marcel. Ai menjëherë mori çelësin e një varke që ishte aty pranë dhe u nis me shpejtësi drejt ishullit. “Menjëherë dyshova se do të kishte një lidhje mes sulmit në Oslo dhe asaj çka po ndodhte në ishull”, thotë heroi.
Ndërkaq, adoleshentët që shihte rrugës ndërsa ecte me varkë i thoshin që të mos shkonte drejt ishullit, sepse aty ishte ferri vetë. Por Marceli nuk i dëgjonte më. Ai tashmë ishte përfshirë nga ndjenja e përgjegjësisë dhe e sakrificës dhe e kishte marrë rrezikun në sy. Ndërsa i afrohej ishullit shihte gjithmonë e më shumë njerëz që hidheshin në ujë, ulërima, klithma. Gjithçka ia mundësonte një teleskop i vogël që kishte në varkë. Befas, sakaq, syri i zuri sulmuesin, njeriun biond që shtinte pa reshtur, shkaktarin e gjithë kësaj kasaphane.
“Ai qëllonte në mënyrë të vazhdueshme edhe ata që ia kishin dalë që të hidheshin në ujë. Kishte shumë njerëz që ndodheshin përreth në ujë, që notonin dhe tentonin t’i iknin të keqes. Unë u hidhja kamerdare dhe jelekë noti që të mund të kapeshin diku dhe të qetësoheshin për t’u përgatitur për pjesën tjetër të rrugës. Ata bërtisnin, qanin, ishin nën stres, të tmerruar dhe kjo i bënte që të qëndronin me vështirësi mbi ujë, por nga ana tjetër kapeshin dhe pas njëri-tjetrit dhe i jepnin njëri-tjetrit kurajë. Befas po mrekullohesha nga fakti që ata në të vërtetë megjithëse sulmi ishte i papritur dhe i rëndë po shndërroheshin në qenie të forta që i kishin vënë vetes një qëllim: mbijetesën”, thotë Marcel.
32-vjeçari nisi që të marrë në varkën e tij sa më shumë të rinj, t’i çonte në bregun tjetër dhe më pas sërish të shkonte për të ndihmuar ata që ishin ende në mesin e rrugës dhe kështu arriti që të bënte disa rrugë dhe të shpëtonte disa jetë të rinjsh duke u përfshirë i tëri në këtë mision. Tashmë, në bregun tjetër ishin grumbulluar edhe njerëz të tjerë që bënin ç’të mundin për të dhënë ndihmën e tyre në këtë situatë të rëndë për t’u ndier të dobishëm dhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj të tronditur nga ishulli i tmerrit. Madje, në det kishin dalë edhe të tjerë me varka që po bënin të njëjtën punë si Marcel. Ai për disa kohë kishte menduar se ishte tërësisht i vetëm në këtë ndërmarrje të guximshme. Disa nga adoleshentët dukej se nuk donin që të shpëtoheshin nga ata që ndodheshin në bregun tjetër dhe u thoshin varkave që vinin për t’i shpëtuar që të qëndronin larg, sepse u dukej sikur vrasësi do t’i diktonte dhe do t’i qëllonte sërish. Ishin të tmerruar, sepse nuk e dinin ende se nga vinin plumbat vetëm nga tronditja që kishin. E megjithatë, arsyeja e këtyre refuzimeve doli në dritë të nesërmen. “Sulmuesi ishte kaq cinik në gjithë çmendurinë e tij sa në një moment u bëri thirrje të rinjve që ishin futur në det që të dilnin, sepse vetëm kështu ai do të kishte mëshirë për ta dhe nuk do t’i qëllonte, por do t’i shpëtonte.
Disa nga të rinjtë u gënjyen nga kjo thirrje. Kanë qenë me siguri ata që nuk dinin not dhe kishin frikë që të qëndronin në ujë dhe pikërisht ata u qëlluan në befasi duke rënë të vdekur në ujë këtë radhë. Këto rrëfehen nga disa prej të rinjve që arritën të shpëtonin dhe me not të dilnin në bregun matanë. Psikologët që mbërritën në vendin e ngjarjes menjëherë pas masakrës u befasuan nga mënyra e shpejtë shumë e mirë e organizmit të kampistëve të rinj menjëherë pasi filloi masakra. Kur i çmenduri Anders nisi që të qëllonte kundër tyre, një pjesë e njerëzve që ishin grumbulluar aty vendosën me shumë shpejtësi fëmijët e vegjël nëpër makinat aty pranë në mënyrë që më pas të arrinin të kuptonin pa shumë presion se çfarë ishte duke ndodhur në të vërtetë. Mbi të gjitha, njerëzit ishin shumë të prirur që të ndihmonin njëri-tjetrin edhe duke vënë kokën në rrezik dhe kjo shenjë e një solidariteti altruist është më e jashtëzakonshme dhe më e fortë edhe se dhimbja dhe frika që deshi të mbyllte Anders me masakrën e tij. Në tërësi, njerëzit që ndodheshin në ishullin përballë ishullit të tragjedisë së bashku me Marcel arritën që të shpëtonin 150 kampistë të rinj.
Sipas psikologëve, mes të shpëtuarve, ekziston një ndjesi faji për ata që lanë pas që nuk patën mundësi t’i shpëtonin, t’i fusnin në varka e t’i çonin drejt shpëtimit. U dhemb shpirti për ata që u gënjyen nga thirrjet e rreme dhe cinike të vrasësit duke shpresuar se do të shpëtonin e duke shkuar në këtë mënyrë drejt vdekjes së sigurt. Detyra e psikologëve të shumtë që po u asistojnë këtyre të shpëtuarve është që mbi të gjitha të shpëtojnë nga kjo ndjenjë faji ndaj atyre që lanë pas dhe të ecin përpara duke e konsideruar veten me fat që shpëtuan nga një ngjarje e tillë fatkeqe. Sipas psikologëve, një e treta e kampistëve do të duan kohë që të rimëkëmben psikologjikisht. Jo mirë ndihet edhe Marcel, edhe pse ka shpëtuar shumë jetë njerëzish. Ai rri, rri dhe thotë me zë të ulët: mund të kisha bërë shumë më tepër….Pa e ditur se tashmë është një hero dhe e gjithë jeta e tij ka marrë një kuptim shumë të madh.