Kushdo që do të lexojë këto radhë, sapo të shikojë titullin, me siguri do të ndalet të marrë me mend se për cilën rrugë bëhet fjalë. Dikush që ndodhet në Tiranë vetëm pas viteve ‘90, natyrshëm do të mendonte se ndodhet diku rreth ish-Bllokut apo është ndonjë nga rrugët e tij…e ndërkohë, çdokush tjetër që Tiranën e ka jetuar edhe para ‘90-s, pa mëdyshje do të thoshte… – Rruga e Liceut!…edhe pse aty pranë ndodhet dhe Radio Tirana, përsëri në mendje mbetet vetëm përcaktimi, – Rruga e Liceut…me liceistë, natyrisht. Ka diçka të pashpjegueshme ajo rrugë…E as që do të marr përsipër të merrem me zbërthimin e saj…Enigmat është mirë të përjetohen…dhe Arti është ai që më mirë se gjithkush tjetër na e “ndal” orën për t’i shijuar…
Por, le të kthehemi në kohë te kjo rrugë për të hyrë në institucionin prej të cilit identifikohet. Pamja e përditshmërisë urbane kryeqytetase ia ka humbur si të thuash gjendjen që kjo shkollë krijonte dikur dhe duhet pak përpjekje për ta zhvendosur realitetin përqark saj e për t’u përfshirë në atë që ofrojnë oborri, hollet, korridoret, klasat dhe atelietë e Liceut.
Prej vitesh, Shkollën e Mesme Artistike “Jordan Misja” e kanë drejtuar personazhe të ulur në karriget e katit të dytë të kësaj shkolle, pa e ditur as edhe ata vetë se pse e kishin përfituar gjithë këtë privilegj. E kanë drejtuar ata që vetëm pas ambientimit me zyrat dhe me pushtetin e zyrës, kanë menduar se edhe ata kanë të drejtë të bëjnë diçka, pavarësisht faktit se nuk e kanë kuptuar kurrë në thelb se çfarë domethënie ka Liceu jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. Kanë menduar se edhe ata kanë të drejtë të bëjnë diçka, pa ditur fare kuptimin e fjalës të bësh diçka në lice, pasi për liceun artistik fjala “diçka” peshon mundin, djersën dhe ëndrrat e qindra e qindra talenteve.
Janë ata që pa bërë zë dhe duke “vënë në sordinë” të tjerët ia dhuruan ambientet e konviktit të nxënësve të liceut dikujt tjetër. Janë nga ata, që për interesa momenti, menduan se shkolla artistike mund të ishte “autoshkolla” e pushtetit të tyre, duke harruar se çdo mandat drejtues në këtë shkollë është një hiç para punës në vite të kaluar në klasat dhe aktivitetet e saj. Thonë që vetëm shqiptarët përpara një ndërtese, mendojnë më parë se sa kohë duhet për ta prishur atë, sesa për ta ndërtuar. Vetëm ne mendojmë se historia fillon me uljen në karrigen e pushtetit të drejtuesit të radhës. Janë ata që pranuan përfundimin e rikonstruksionit të liceut, duke u mësuar njerëzve një proverb të ri, të vlefshëm vetëm për sallën e koncerteve të liceut: “Kur bie shi dhe ka koncert a saxhio, është mirë që ta mbani hapur çadrën edhe brenda në sallë, nuk i dihet nga cila anë mund të pikojë”. Po ashtu, për ata që e kanë njohur “Xhepin e kaldajës” vlen ajo shprehja “Sa mirë paskemi qenë, kur ishim keq”…tashmë në lice nuk ka ngrohje qendrore dhe fëmijët muzikantë duhet të formohen në mënyrë spartane për të luajtur në instrumente muzikore.
Ah, ka dhe më! Liceu nuk e ka më Muzeun e tij, atë sallë ku çdokush mund ta kuptonte se dekadat e moshës së tij janë të mbushura plot me punë, përpjekje, mësime, studime, koncerte, aktivitete të panumërta, me nxënës e ish-nxënës, profesorë e ish-profesorë…Liceu nuk e ka më kujtesën e tij…As galeria e arteve figurative nuk duket kurrkund…nuk shikon më punë të nxënësve a ish-nxënësve…Merreni me mend se ç’do të thotë një gjë e tillë në prag të 70-vjetorit të hapjes së Liceut Artistik?!
Nxënësve konviktorë liceistë u duhet tashmë, falë tjetërsimit të godinës së konviktit të tyre, të ecin a udhëtojnë çdo ditë nga një cep tjetër i Tiranës për të ardhur në shkollë për mësim e studim. Dikur ishte 2 minuta larg, sot varet nga oraret e urbanëve të Tiranës. Dhe e gjithë kjo nuk bëhet për motive pedagogjike dhe as për ndonjë trajnim për ecje sportive të nxënësve liceistë. Dikush mund të thotë që janë pak…Po! Kjo mund të jetë e vërtetë vetëm për ata që sasinë e lidhin vetëm me numrat…pa llogaritur që në Art cilësia është ajo që nuk lë të diskutohet për sasinë.
Megjithatë, arsyeja e vërtetë është se ata që nuk kundërshtuan për këtë tjetërsim, nuk mund t’u thonin Jo dhuruesve të peshqesheve (lexo karrigeve) të katit të dytë.
Tashmë në vend që të shikosh nxënësit liceistë të dalin nga konvikti për studimin e mëngjesit apo të hyjnë aty pas ditëve të lodhshme të punës në klasa e atelie, atje disa kanë zyrat e “punës” në qendër të Tiranës, në rrugën më të bukur të Tiranës; që sapo shkojnë në zyrë e mezi e mbajnë frymën deri në kafenetë e baret e rafinuar aty pranë e “performojnë” përgjatë gjithë ditës ecejaket e tyre boshe me kokën nga xhamat e ndërtesës fqinje të ish-konviktit, duke admiruar siluetat e veta në to.
A e meritojnë liceistët këtë? A e meritojnë këtë pozicionim mësuesit dhe trupa pedagogjike e liceut? A mund të pranohet që nga njëra anë, klasat e korridoret e tij të jenë në një gjallëri pune të pandalshme dhe nga ana tjetër, gjithë kjo të jetë si një zar që luhet aty për aty, me lehtësinë më të madhe, në tryezën e pushtetit në Tiranë?
Përgjigjet që do të vinin nga kushdo që e njeh dhe e do liceun për atë që ka demonstruar në vite e dekada, do të ishin tronditëse. Personalisht mendoj se liceut i duhet dhënë një mbështetje institucionale në disa drejtime, për t’i mundësuar një ringritje në autoritetin që ka pasur dhe merituar në thuajse shtatë dekadat e tij.
Së pari, do të duhej që të rikthehej çdo gjë që i takon liceut në kuptimin e pronësisë së ndërtesave. Konvikti i nxënësve të liceut duhet të rikthehet në destinacionin për të cilin është ndërtuar dhe ka funksionuar në vite. Po ashtu, edhe Shkolla e Baletit, e quajtur sot Akademia e Dancit, do të duhej të rikthehej nën administrimin e shkollës së mesme artistike “J. Misja”, pasi nuk ka asnjë arsye për të pasur dy administrata të ndara për të njëjtën tipologji shkolle. Nga ana tjetër, aktivitetet artistike do të duhej që të organizoheshin në partneritet dhe koordinim të përhershëm mes degëve të ndryshme të shkollës artistike, gjë që mundësohet vetëm nga një administrim i përbashkët. Koha ka dhënë prova të pashlyeshme lehtësisht nga kujtesa.
Së dyti, SHMA “J. Misja” mund dhe do të duhet të ringrihet në staturën e dikurshme të modelit të padiskutueshëm të nivelit dhe profesionalizmit të trupës pedagogjike në planin kombëtar. Kuadrot e suksesshëm dhe të palodhur nuk mungojnë, por ekspertiza e tyre nuk merret sa duhet parasysh si në drejtim të asistencës së nevojshme për Ministrinë e Arsimit apo drejtoritë arsimore në rrethe, ashtu edhe në drejtim të shkëmbimit të përvojave dhe kontrolleve në shkollat e tjera të vendit. Së treti, SHMA “J. Misja” mund dhe do të duhet të bëhet qendra koordinuese për ringritjen e klasave muzikore apo rretheve të pikturës në Tiranë, me qëllim zbulimin dhe trajtimin e talenteve të reja që në moshë të vogël. Ndërkohë që kryeqyteti është rritur e zgjeruar si në sipërfaqe e numër banorësh, e drejta për të studiuar muzikën apo artet e bukura në institucione shtetërore po u mohohet banorëve të zonave periferike të Tiranës dhe atyre që kanë më pak mundësi të ndjekin institucione private. Nuk mund të pretendohet që të kërkohen dhe zbulohen talentet e reja vetëm në Tiranën e Re apo në Bllok. Talenti nuk është si gripi “që mund të të ngjitet”, por, nga ana tjetër nuk përzgjedh dhe as ka as preferenca për lagje apo vendbanime. Sot për sot, Tirana, me trafikun që ka, i merr një banori të Kombinatit jo më pak se 30 minuta kohë për të ardhur në qendër. Nuk besoj që më pak i duhet dikujt që banon në Kamzë, në Babrru apo në Shkozë, në rast se vendos të dërgojë një fëmijë në një shkollë ku mësohet art. Vihuni në pozitën e prindit që duhet të shoqërojë një fëmijë të klasave të para, dy herë në çdo ditë për jo me pak se 60 minuta dhe thomëni nëse do të ishit të gatshëm të bënit një sakrificë të tillë.
Së katërti; SHMA “J. Misja” mund dhe do të duhej të gjeneronte projekte, ide dhe plane afatmesëm e afatgjatë zhvillimi të mirëplanifikuara dhe në gjendje për t’i dhënë asaj një status kompetitiv jo vetëm në planin kombëtar por edhe atë rajonal. Krijimi i një fondi ndihmë për nxënësit më të mirë të liceut për të marrë pjesë në konkurset ndërkombëtare në rajon, apo edhe më gjerë, do të ndikonte gjerësisht për të zgjeruar hapësirën e konkurrueshmërisë së talenteve shqiptare. Krijimi i kushteve më të mira të mjediseve të mësimdhënies, korrigjimit të të gjitha mangësive të lëna nga rikonstruksioni i mëparshëm i liceut, do të ishin një nga objektivat më të prekshme për këdo që studion apo jep mësim në SHMA “J. Misja”. Kapacitetet pedagogjike dhe talentet e prurjeve të çdo viti janë një pikënisje e sigurt për t’i dhënë kuptim çdo sforcoje që do të ndërmerrej për t’u inkuadruar në një hapësirë zhvillimesh e bashkëpunimesh afatmesme e afatgjata.
Së pesti, SHMA “J. Misja” do të duhej të fusë standarde kombëtare në vlerësimet e punës së talenteve të reja dhe mësimdhënësve të tyre, përmes organizimit të konkurrimeve kombëtare të talenteve të reja, duke përfshirë edhe ekspertë të deleguar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve për të garantuar kredibilitetin dhe standardin e unifikuar të këtyre aktiviteteve. Organizohen shpesh aktivitete të ngjashme nga OJF apo nisma të tjera individuale, por strukturimi në konkurse kombëtare do t’u jepte atyre jo vetëm seriozitetin shtetëror, por edhe garancinë e një vlerësimi të përgjegjshëm e profesional. Së fundmi, SHMA “J. Misja” ka nevojë për drejtues më energjikë, që marrin në konsideratë gjithçka është akumuluar në thuajse 70 vitet e jetës së liceut dhe që synojnë të orientojnë zhvillime afatmesme e afatgjata dinjitoze për këtë shkollë, si dhe me aftësi zgjidhjesh të problematikave që lindin çdo ditë në këtë “uzinë” talentesh. Këto pikëvështrime të miat në lidhje me liceun tonë artistik, megjithëse tentojnë të japin një ide të imazhit që bart në përfytyrimin tim të së tashmes, por edhe të një ardhmeje të tij, prapëseprapë nuk arrijnë të shpjegojnë atë që në fillim të këtij shkrimi përshkrova.
Rruga më e bukur e Tiranës…pa Liceun e liceistët, hiqeni nga mendja! Nuk mund të jetë më e bukura…Tirana e meriton këtë rrugë, me Liceun dhe liceistët!