Nje shaka gjermane me qendren e Korces?!

Një shaka gjermane me qendrën e Korçës?!
Studioja gjermane Bolles & Willson fitoi konkursin për masterplanin e qendrës së Korçës, por gjashtë muaj më pas projektit i kanë mbirë ndërtesa të larta dhe mes tyre humbasin objektet e traditës.


Çfarë ka ndodhur? Arkitekti Ilir Voci e ndan shqetësimin me opinion publik para se të jetë vonë


Isha në mëdyshje për vendosjen e shenjës së pikësimit në fund të titullit të këtij shkrimi dhe akoma nuk jam i bindur, nëse jam më tepër i shqetësuar, apo i habitur.


Në 16 Korrik, 2009, Bashkia e Korçës organizoi një konkurs ndërkombëtar për masterplanin e qendrës së qytetit, ku u paraqitën katër Studio Arkitekture: Domus Concept (Portugali), 51N4E (Belgjikë), Jaubert Architecture (Hollandë) dhe Bolles & Willson (Gjermani).


Një juri ndërkombëtare vlerësoi me çmimin e parë Studion Gjermane Bolles & Wilson që në propozimin e saj, pavarësisht njohjes jo të plotë të qytetit, tregohej e kujdesshme në përcaktimin e mashtabit të ndërtimeve, për të vendosur një marrëdhënie miqësore me pjesën historike të qytetit, pa e refuzuar atë, e ku kishte arritur jo pa sukses, të harmonizonte modernen me traditën.


Të them të drejtën u ndjeva mirë me variantin fitues të konkursit për sa i takon pikëpamjeve që kam për mënyrën si duhet të trajtohen qytetet tona, sidomos Korça, e cila ka privilegjin se ka krijuar një fizionomi të vetën, ndryshe nga shumë qytete të reja shqiptare, të ndërtuara rishtas në shumicën e tyre dërmuese në periudhën e socializmit.


Qyteti i Korçës shquhet në përgjithësi, për hapat e matura që hedh dhe pasi miraton epërsinë e tyre e përshpejton ritmin, një fakt ky, që, të themi, e ka mbrojtur deri diku nga zhvillimi i pafre i viteve të tranzicionit. Çdo vizitor e konstaton këtë fakt, çdo qytetar, ka arsye të ndihet krenar, sepse kjo rrugë zhvillimi i ka dhënë qytetit një karakter sa të lidhur me traditën aq dhe novator.


Po ç'ndodh më tej?


Pas 6 muaj, në Bashkinë e Korçës, paraqitet drafti paraprak i masterplanit, për të marrë vërejtjet e fundit nga specialistët e qytetarët.
Këtu fillon, problemi.


Masterplani i paraqitur rishtas, është një tjetër, në koncept e aq më tepër në detaje, në plan e në volumetri.


Diku, një objekt 8 katësh mbin pa pritur dhe i vetmuar në një lulishte; Mësonjëtores së Parë Shqipe tashmë, në variantin e ri, papandehur do të thoshte një korçar i vjetër, i "bëhen kurorë" disa ndërtime të reja katër, gjashtë dhe tetë katëshe; pallatit katër katesh prapa prefekturës i cili enkas është shkallëzuar duke përfunduar në një kat pranë zonës historike, një shembull ky i vlerësuar nga kritika për harmonizimin e të resë me traditën, krejt papritur i ofron shoqëri një objekt pesë katësh.


Në një rrugë tradicionale vilash dy katëshe, të ruajtura përgjithësisht në variantin fitues, tani shfaqen disa kulla tetë katëshe, si dhe shembuj të tjerë, që tani nuk po i përmend.


Çfarë ka ndodhur me studion gjermane që ka bërë të ndërrojë mendim për mënyrën se si duhet të trajtohet qendra e qytetit të Korçës?! Pse në të njëjtin qytet, për të njëjtën hapësirë, brenda 6 muajsh, i njëjti ekip flet me një tjetër gjuhë, por tanimë, profesionalisht më dobët?!


Ndryshimi bëhet dyshim dhe shqetësim, kur kryetari i bashkisë, z. Niko Peleshi, përpiqet të justifikojë e të mbrojë ndryshimet e bëra në variantin më të fundit të paraqitur.
Ky (ndryshimi i masterplanit), ishte objekti i diskutimit me specialistë arkitektë, urbanistë që u zhvillua në Bashkinë e Korçës, (KRRT) takim në të cilin pati debate e kundërshti, dhe e quajta të arsyeshme, ta trajtoj në këtë shkrim, pse jo, për të hapur një diskutim nga specialistë të fushës e më gjerë.


Natyrisht, në regresin që kanë pësuar qytetet tona nga pikëpamja urbane, nuk është vetëm "faji" i arkitektëve dhe as vetëm i sipërmarrësve, është një sistem në të cilin arkitektura është bërë arkitekturë komerciale, por në këtë kontekst mendoj se janë të gjitha mundësitë për të vazhduar në mënyrë moderne, duke u bazuar në dialogun me traditën.


Lewis Mumford një filozof amerikan i teknologjisë e shkencës, i cili 30 vitet e fundit të jetës ja kushtoi kritikës se arkitekturës në Revistën New Yorker, thotë: "Urbanistët janë etërit e qytetit".
Kush me tepër se urbanistët e arkitektët, pse jo dhe të tjerë qytetarë, duhet të flasin për këtë problem?


Qyteti ka nevojë të reflektojë për veten. Të mos kërkojë të jetë "modern" me çdo kusht duke prerë lidhjet me traditën. Një qytet nuk funksionon kur zhduket nga horizonti interesi i përgjithshëm, e mira e përbashkët. Sepse që e keqja të triumfojë, do të duhet të plotësohet edhe një kusht: arkitektët mos ta duan më qytetin e tyre dhe njerëzit e mirë të heshtin.


Dhe së fundi, ngre shqetësimin duke shtruar përsëri pyetjen: Të jetë kjo, "një shaka gjermane", me qendrën e Korçës?!

Autori është urbanist arkitekt dhe anëtar i Këshillit Bashkiak Korçë

Ilir Voci : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama