Nje shans per historite qe mbajme ne lekure

Nje shans per historite qe mbajme ne lekure
I ftuar në Universitetin e Arteve për një javë praktike me studentë dhe takime me njerëz të teatrit në Shqipëri, Graham Whybrow, solli në vëmendje modelin që stimulon dramën bashkëkohore dhe nxit zbulimin e talenteve në teatër. Në një vend si Shqipëria që ka mjaft histori për t’i treguar vetes, e për t’i treguar në një skenë publike, është e nevojshme një strategji për teatrin. Whybrow është partizan i kësaj ideje, që dramaturgjia e re në teatër inkurajon shoqërinë për të përballuar bashkëbisedimin me vetveten.

Në bisedën me “Shekullin” Graham Whybrow tregoi se këto ditë, kudo ku ka shkuar, i kanë dhënë nga një tekst për teatër. Por gjetja e rrugës për te skena fillon nga konkurset e hapura, nga transparenca, nga talenti për të gjetur talente. Meqë monopolin e teatrit e kanë teatrot shtetërore që mbahen me fonde publike, ato duhet të marrin përgjegjësi dhe të mos justifikohen.

Graham Whybrow është i specializuar në zbulimin dhe inkurajimin e talenteve teatrale.  Ai ka dhënë leksione dhe udhëhequr seminare për shkrimtarë, ka trajnuar dhe dhënë kurse të shkurtra në 25 vende. Ai punon në nivel ndërkombëtar duke këshilluar institucione teatrale, organizata kulturore dhe universitete mbi parimet dhe praktikën e krijimit dhe zhvillimit të kushteve për një kulturë dramaturgjike. Për 12 vjet ka qenë Menaxheri Letrar i Royal Court Theatre në Londër kur aty janë shfaqur për herë të parë më shumë se 200 pjesë të reja teatrale dhe doli një gjeneratë  prej 50 dramaturgësh të rinj, siç tregon në këtë intervistë. Këtu përfshihen dramaturgët nga Mbretëria e Bashkuar (Sara Kane, Jez Butterworth, Simon Stephans, Richard Bean), Irlanda (Conor McPherson, Martin McDonagh, Enda Walsh), ShBA-ja (Rebecca Gilman, Christopher Shinn), Gjermania (Marius von Mayenburg, Roland Schimmelpfennig,) dhe Rusia (Vassily Sigarev, Oleg & Vladimir Presnyakov).

Zoti Whybrow, në takimin me studentë dhe njerëz të teatrit në Shqipëri, ju shtruat një pyetje: ku janë historitë tuaja. Morët ndonjë përgjigje?

Kjo është pyetja e parë e rëndësishme që shtroj unë: ku janë historitë tuaja? Teatri bashkëkohor është një media brilante për dialogun që një kulturë duhet të bëjë me vetveten; për të shtruar pyetje cilët jemi dhe çfarë bëjmë në Shqipërinë e sotme; për t’i parë përvojat e gjeneratave nga perspektiva të ndryshme, për të diskutuar mbi jetën  publike dhe atë private të njeriut, për psikologjinë dhe marrëdhëniet e tij ndërpersonale.

Ju treguat një histori të gjatë të traditës së teatrit britanik, që ndryshe nga ç’mund të mendohet tek ne, ka kaluar nëpër kriza apo nën një censurë serioze. Por nga këtej dolët te strategjia për gjetjen e dramaturgëve të rinj dhe veprave të reja për teatër. Ku bazohet kjo strategji?

Në Britani ka një traditë të mirë për shkrimin e dramës. Por gjithçka varet nga teatrot, ato e kanë në dorë prodhimin e dramave të reja. Kjo është çështje e politikës kulturore, e strategjive financiare që i shtyn teatrot t’i kërkojnë dhe t’i prodhojnë veprat e reja. Janë teatrot ata producentë kreativë që vihen në kërkim të talenteve, që gjejnë dramaturgët profesionistë, që stimulojnë një aktivitet teatral ndër ata që nuk janë shkrimtarë të dramës, sidomos ndër të rinjtë. Kjo krijon një kulturë të shkrimit të historive në teatër, për skenën, për aktorin. Teatri nuk është art letrar. Teatrin e bëjnë personazhet që veprojnë në kohë e në hapësirë. Kjo është një përvojë komplekse për publikun. Kur nisni të prodhoni vepra të reja, ju stimuloni audiencën lokale, e nëse i lini njerëzit të kënaqur ata do duan të vijnë përsëri dhe të kërkojnë teatër. Mirëpo kur kultura bëhet konservatore atëherë thonë se dramaturgjia e re nuk ekziston, dhe i jepet rëndësi teatrit klasik.

Mund ta tregoni shkurtimisht përvojën e suksesit në Royal Court Theatre?

Kam qenë në Royal Court Theatre prej vitit 1994-2007. Në fakt kishte një krizë të teatrit në krye të viteve nëntëdhjetë dhe vendosëm si qëllim që të rritnim numrin e prodhimeve teatrore dhe të zbulonim një brez të ri dramaturgësh. Në 12 vjet prodhuam 200 pjesë të reja, dhe u zbuluan mbi 50 dramaturgë të rinj. Shumë prej këtyre veprave u përkthyen dhe u prodhuan në vende të tjera. Unë vij nga një vend i madh me “publik modest” të artit po ta krahasoja me Gjermaninë. Britania me një popullsi mbi 60 milionë banorë ka një teatër ku shprehen influencat e origjinave dhe etnive të ndryshme që kanë krijuar  kulturën e një gjenerate kozmopolitane.

Po, ne ndoqëm një strategji: ndërtuam një program për prodhimin e pjesëve të reja në teatër. Që një strategji e tillë të aplikohet si model ndërkombëtar kërkon të jesh krijues dhe të marrësh parasysh rreziqet.

Aktualisht po punoni për gjetjen e dramaturgëve të rinj në Irlandë?

Po punoj në shumë vende të vogla të Europës, kryesisht të Lindjes. Aktualisht po punoj në Irlandë, një vend i vogël por pa traditë moderne të dramaturgjisë. Një vend me probleme ekonomike, institucionet janë konservatore, në Teatrin Kombëtar të Irlandës nuk sheh pjesë të reja në nëntë muajt e sezonit artistik. Shkova në Dublin dhe në muajin mars bëmë një ftesë të hapur për konkurs. Morëm 140 drama, nga të cilat zgjodhëm 30. Vendosëm të punonim me autorët e tyre. Punoj me ta në fundjavë, sepse shumë prej tyre janë punë. I takoj individualisht dhe përpiqem të gjej çfarë origjinaliteti ka secili. Atyre u është kërkuar të shkruajnë nga një dramë brenda tri muajve dhe në tetor do të shohim rezultatin. Por do të kemi 30 pjesë të reja që nuk janë prodhuar më parë në Irlandë. Kjo është njëlloj strategjie. Ju do të thoni se Irlanda ka një traditë. Edhe unë do thosha që Shqipëria ka një traditë, e nëse kjo është një traditë e kufizuar atëherë duhet krijuar një traditë e re. Ka shumë tema, personazhe, histori, vende, gjuhë, dialekte, përvoja të brezave që nuk janë trajtuar më përpara në teatër. Kjo liri e demokracisë, pa censurë është dhuratë për artistët e rinj.

Ne preferojmë politikën dhe historinë në vend të personales, individuales.

Kjo varet edhe nga përvoja e brezave. Gjatë këtyre ditëve këtu, pashë se stilet e jetës ndërmjet brezave, për mirë apo keq, janë krejt të ndryshme.

Falë ftesës së Arben Kumbaros u takova me studentë. Kumbaro po jep në disa klasa shkrimin e dramaturgjisë. Është një gjë mjaft e mirë, është një fillim i mbarë. Studentët kanë një formim nga artet vizuale, aktrimi, teatri, letërsia, apo regjia e filmit. Janë të shkathët në kapjen e teknikave të medias. Është një shans për ta që t’i paraqesin në teatër përvojat e tyre, imagjinatën e tyre. Një roman shkruhet privatisht dhe lexohet privatisht, po ashtu edhe një vepër e artit pamor. Ndërsa me teatrin ti i mbyll njerëzit në një dhomë ku ata do të shohin punën tënde. Është angazhim dhe përgjegjësi e madhe për atë që shkruan teatër. Vepra e tij do duhet të interpretohet nga të tjerë mediatorë, regjisori, aktori, skenografi, deri te përvoja vizuale që krijon për spektatorin. Dramaturgët e rinj duhet ta kuptojnë këtë media. Elementet teknikë janë një gjë, por për të qenë vërtet origjinal në stil dhe formë, për të patur një perspektivë, dhe klas botëror, është e vështirë. Kjo varet nga talenti, energjia dhe angazhimi për të kuptuar mediumin.

Teatrot angleze mund ta rinovojnë veten sepse kanë një popullsi të madhe dhe influenca të larmishme kulturore. Ndërsa Shqipëria ka një popullsi të vogël, bëhet fjalë për një gjuhë të vogël dhe kërkohet shumë, shumë, shumë inkurajim i talenteve të reja, mbrojtje dhe mbështetje e tyre. Por pyetja ime mbetet: ku janë historitë tuaja?

Domethënë nuk keni dëgjuar asnjë syresh?

Tani unë po ju tregoj tekstet që kanë mbushur çantën time këto ditë. Kudo që shkoj dikush më jep një tekst. Ka vepra që janë shkruar por nuk janë prodhuar.

Përderisa ato ekzistojnë, përse pyesni ku janë historitë tuaja?

Pyetja ime është ku janë historitë tuaja në teatër. Vendi është plot me histori, por cilat janë kushtet për të zbuluar dhe zhvilluar një program për prodhimin e dramave të reja në teatër? Unë do të kthehem në Shqipëri për ta ndjekur zhvillimin e kësaj pyetjeje. Por kjo mbetet çështje e vizionit, politikave, individëve të teatrit, e programimit, strukturave dhe modeleve të teatrit në Shqipëri. Duhen stimuluar njerëzit që të shkruajnë drama në një mënyrë amatore dhe vullnetare. Kjo është sot zemra e kulturës britanike në teatër: nuk është nevoja të studiosh kinema apo teatër. Mjafton të vendosësh sot, që ti do të bësh teatër apo kinema.

Padyshim që zhvillimi i një artisti është i lidhur me rolin e edukimit dhe me çështje të tjera si demokracia, transparenca, sipërmarrja.

Monopolin sot në Shqipëri e kanë teatrot shtetërorë, si mund të vihen ato para përgjegjësisë për ndryshimin e situatës?

Institucionet që funksionojnë me taksat e qytetarëve duhet të japin rezultat. Ku është politika e tyre kulturore, financiare? Shqiptarët meritojnë një lulëzim të dramës shqipe. Nuk do të jetë e vështirë që kjo të arrihet. Gjërat ndryshojnë shumë shpejt, nëse ekziston vizioni, nëse fondet publike administrohen mirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama