Fisnik Ismaili, tashmë është aktiv në politikë me opozitën dhe thotë se Coley është “shtyrë” të prodhojë propagandë. Ai sugjeron se do ta korrigjonte gabimin e tij, duke i ndryshuar fjalët në mënyrë që aty të shkruhet “Një vend i pariparueshëm”
Arti Publik në Ballkan
Nëse flasim për pionierë në artin botëror, kryeqyteti i Kosovës zakonisht nuk është në krye të listës. Por këtë vjeshtë, Prishtina ka mikpritur një skulpturë publike nga Nathan Coley, një artist bashkëkohor britanik. (Një version i dytë është prezantuar paralelisht në Londër). Ky instalacion shkruan me drita “Një vend përtej së besueshmes” dhe u hap për publikun më 11 shtator.
Ngjarja ishte pjesë e festimeve mbi ngjarjen e përfundimit të së ashtuquajturës “pavarësi e mbikëqyrur”, por qe gjithashtu e përshtatshme, për shkak se fjalët qenë frymëzuar nga një i mbijetuar i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Nëse do ta shihnim këtë vepër në sfondin e bardhë të një galerie, do të qe interesante, por në ambient të hapur në qendër të kryeqytetit të Kosovës, është shumë më tepër.
Për dy dekadat e fundit, arti publik përreth ish-Jugosllavisë është dominuar nga skulptura të njerëzve mbi kuaj apo heronjve nacionalistë. Ideologjia e veprës “Një vend përtej së besueshmes” është e paqartë. Ajo mbart një “shkallë ambiguiteti”, thotë Coley. “Ti mendon se e di se për çfarë bëhet fjalë për shkak se bie drejtpërsëdrejti mbi ty”. Por kjo përshtypje krijohet nga valët që ajo hedh, për shkak të vendit ku ajo gjendet.
Instalacioni është organizuar nga Galeria e Arteve të Kosovës dhe është ngritur në një copë toke bosh në kopshtin e Universitetit të Prishtinës, një vend i mbushur me histori, gjak dhe simbolizëm, të tilla si kupolat ikonë të Bibliotekës Kombëtare, e cila u ndërtua në vitin 1981 dhe që ngjan me qeleshet tradicionale shqiptare. Demonstratat studentore të vitit 1981 qenë shumë të rëndësishme për formësimin e historisë moderne të Kosovës dhe universiteti qe shtëpia shpirtërore e nacionalizmit të shqiptarëve të Kosovës.
Gjatë viteve të sundimit të drejtpërdrejtë të Serbisë, vetëm serbët studionin në universitet. Ata filluan të ndërtojnë një katedrale serbo-ortodokse, e cila nuk u përfundua kurrë dhe tashmë qëndron si një karabinë bosh. Vetëm një grusht i vogël serbësh jetojnë sot në Prishtinë.
Menjëherë pas luftës, pasi trupat e NATO-s hynë në Kosovë më 1999-n, ushtarët britanikë jetuan në një tendë brenda katedrales për ta mbrojtur atë nga sulmet e hakmarrësve, përfshirë edhe shumë tentativa nga shqiptarët për ta hedhur në erë. Shumë serbë u vranë në ndërtesën e administratës në ditët pas mbërritjes së NATO-s.
Deri më 1999, aty pranë gjendeshin statujat e serbëve, reformuesit të gjuhës serbe Vuk Karaxhiç i shekullit të 19, si dhe poetit prift-princ Njegosh nga Mali i Zi. Ata u përmbysën dhe u hoqën, pasi sundimi i Serbisë përfundoi. Shqiptarët ngritën statujat e heronjve të vet. Këta qenë Skënderbeu, që luftoi otomanët në shekullin e pesëmbëdhjetë, Nënë Tereza, shqiptare e cila ka lindur në Maqedoni dhe Zahir Pajaziti, një nga heronjtë e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra në luftë më 1997.
Pas pavarësisë, më 2008, shteti i ri u largua nga format e tilla tradicionale të artit publik, për të krijuar vepra më optimiste. Ajo ndërtoi një skulpturë të madhe të verdhë ku shkruhet “Newborn”, mbi të cilën publiku u nxit që të firmoste. Skulptori Fisnik Ismaili, tashmë është aktiv në politikë me opozitën dhe thotë se Coley është “shtyrë” të prodhojë propagandë. Ai sugjeron se do ta korrigjonte gabimin e tij, duke i ndryshuar fjalët, në mënyrë që aty të shkruhet “Një vend i pariparueshëm”. Por kur u zbulua, gjithsesi Coley dukej i lumtur që e kishte skulpturën e tij në Prishtinë.
Ka pasur diskutime mbi prezantimin e një vepre tjetër të tij, të titulluar “Këtu nuk do të ketë mrekulli”, por ky mesazh i drejtpërdrejtë u konsiderua i papërshtatshëm.
Nga njëri cep i ish-Jugosllavisë te tjetri, arti publik gjithmonë ka qenë i debatueshëm, veçanërisht për shkak se tradicionalisht ka pasqyruar shqetësimet ideologjike të qeverisë në pushtet.
Në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë, më pak se dy orë larg Prishtinës, autoritetet kanë qenë të zëna në ndërtimin e dhjetëra statujave, përfshirë edhe një statujë gjigante për Aleksandrin e Madh. Kjo gjë, në mënyrë të parashikueshme, ka zemëruar grekët, të cilët akuzojnë maqedonasit se i kanë vjedhur historinë. Ndoshta si grekët ashtu edhe maqedonasit duhet të ndjekin Kosovën dhe të ndërtojnë instalacionet e Coley-t.
“Një vend përtej së besueshmes” gjendet mes Katedrales Ortodokse dhe Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë deri më 3 tetor.