Ja disa nga rezultatet e studimit:
- Pas marokenëve, shqiptarët janë ata që mesatarisht paguhen më mirë ndër të huajt në Itali, mbi 1 mijë euro në muaj. Madje ajo që shqiptarët fitojnë mesatarisht në Itali është sa prodhimi i brendshëm bruto i krijuar nga 4,7 shqiptarë në Shqipëri. Këto përfundime fondacioni i nxjerr duke pasur parasysh që të ardhurat vjetore të një shqiptari , punonjës i varur në Itali, janë 13.047 euro, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto për kokë në Shqipëri është 2.776 euro (nuk është e qartë se nga e ka nxjerrë të dhënë për Shqipërinë).
- Në veri të Italisë të huajt fitojnë më mirë dhe dallimi mes rrogave të tyre dhe rrogave të italianëve është më i vogël: Në veri dallimi mes rrogave të të huajve dhe atyre të italianëve nuk i arrin 300 eurot (në favor të këtyre të fundit), ndërsa në Jug, diferenca edhe i kapërcen 500 euro. Në Friuli Venezia Giulia të huajt kanë rrogë mesatare prej 1.159 euro në muaj dhe vetëm 10,8% më të ulët se italianët. Ndërsa në Kalabri të huajt fitojnë 674 euro, 40,8% më pak se italianët.
- Nëse të ardhurat shihen sipas sektorëve të ekonomisë, të huajt fitojnë mesatarisht më mirë në transporte (1.348 euro). Fitojnë mbi 1.000 euro në ndërtim, shëndetësi, shërbime sociale, fabrika dhe tregti. Fitojnë më pak se njëmijë të punësuarit në hotele, apo ata që punojnë pranë familjeve. Më pak nga të gjithë fitojnë gratë e punësuara si badante, vetëm 724 euro, 26,4% më pak se kolegët e tyre italianë.